Donald Trump është një President jo-konvencional dhe askush nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë doktrinën e tij të politikës së jashtme. Ajo rrotullohet rreth kundërshtive që i mbajnë aleatët dhe kundërshtarët e SHBA-ve të çorientuar. Tre grupe kundërshtish janë të dukshme në përqasjen e Trump – në deklaratat, emërimet dhe politikat e tij.
Gjatë fushatës presidenciale dhe menjëherë pasi mori detyrën, Trump shfaqi pak entuziazëm për politikën e jashtme dhe u deshën disa muaj përpara se ai të bënte një vizitë jashtë vendit. Edhe slogani i fushatës së Trump, “Ta Bëjmë Amerikën të Madhe Përsëri”, mund të interpretohet në dy mënyra – Amerika si udhëheqëse botërore ose një Amerikë izolacioniste.
Populistët dhe nacionalistët që rrethonin Trump gjatë fushatës ishin kundër çdo përfshirjeje të SHBA-ve në luftërat e huaja apo ofrimit të mbrojtjes për aleatët e Amerikës. Ata bënë presion për një tërheqje të shpejtë ushtarake nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, një pakësim të angazhimit në NATO, dhe reduktim të numrit të trupave në Korenë e Jugut dhe Japoni.
Ata argumentonin se bazat ushtarake amerikane jashtë vendit ishin tepër të shtrenjta dhe nuk sillnin përfitim te drejtpërdrejtë për atdheun.
Gjatë kohës që është në detyrë, Trump është përfshirë në sjellje joetike – si duke bërë presion ashtu edhe duke lavdëruar udhëheqësit botërorë me qëllim që përmes lajkave ose joshjes t’i bëjë të nënshkruajnë marrëveshje. Kjo ka shqetësuar disa aleatë por të tjerë kanë kuptuar që kjo mund të jetë thjesht një manovër taktike.
Një fushë e dytë e kundërshtive të Trump ka të bëjë me emërimet e tij për pozicione të larta drejtuese. Ka pasur disa mospajtime ndërmjet një numri këshilltarësh të afërt dhe anëtarëve të ekipit të tij të sigurisë kombëtare. Trump mori me vete në Shtëpinë e Bardhë disa populistë radikalë dhe nacionalistë ekonomikë të vetë-shpallur.
Për fat të mirë, ai dëgjoi këshillën e republikanëve me përvojë dhe jo izolacionistët dhe populistët në emërimin e internacionalistëve dhe Atlanticistëve në pozicione qeveritare kyç, përfshirë Sekretarët e Shtetit dhe Mbrojtjes, shefat e inteligjencës dhe ambasadorë të ndryshëm.
Kundërshtitë e Trump janë shumë më të dukshme në vendime të rëndësishme në politikën e jashtme ku sulmet e tij verbale shpesh janë minimizuar apo injoruar nga kabineti i tij. Kështu, Trump mund të ankohet sa relevante është NATO por të emëruarit e tij mbështesin forcimin e Aleancës përgjatë krahut lindor dhe zgjerimin në Ballkan.
Trump mund të veshë me lavdërime Putinin ndërkohë që kabineti i tij dhe Kongresi forcojnë sanksionet financiare kundër elitës së Rusisë dhe ndihmojnë të armatosen ushtritë ukrainase dhe gjeorgjiane.
Në vlerësimin e ndjekjes së politikave vlen të kujtojmë që Trump ka një histori në sektorin e argëtimit dhe “televizionin e realitetit” në të cilën spektakli dhe imazhi janë më të rëndësishem se përmbajtja.
Nuk është e habitshme që lëvizjet e tij në politikën e jashtme shpesh ndjekin një skenar televiziv në të cilin Trump kërkon popullaritet, marrjen e lëvdatave dhe mbulim të favorshëm nga media dhe jo rezultate reale.
Sekretari Pompeo ka mësuar si të kënaqë egon e Trump duke hartuar politika që Presidenti mund t’i shpallë si sukses edhe nëse në të vërtetë arritja është minimale. Koreja e Veriut shërben si një shembull i vlefshëm, në të cilin Samiti i Singaporit në qershor 2018 me Kim Jong Un u shpall si një sukses i madh për paqen botërore.
Megjithatë, në realitet Pyongyang vazhdon të ndjekë programin e tij bërthamor. Megjithëse pak gjëra kanë ndryshuar, Trump e përshkruan veten si një fitimtar dhe mbështetësit e tij besojnë se ai është një burrë shteti i madh të cilit duhet t’i jepet çmimi Nobel për paqe.
Tregtia ndërkombëtare është një arenë tjetër ku Trump pretendon fitore pa ndonjë fakt real. Presidenti thekson që marrëveshjet e mëparshme të tregtisë së lirë kanë dëmtuar ekonominë amerikane dhe fitorja e luftërave tregtare është e kollajtë për Uashingtonin.
Në realitet, luftërat tregtare në rritje mes SHBA-ve dhe Kinës, Kanadasë dhe Evropës do të lëndojnë shumë bazën e Trump në bujqësi dhe prodhim dhe do të dëmtojnë një numër të kompanive të SHBA-ve.
Kabineti i Trump është shpesh i angazhuar në kontrollin e dëmit në marrëdhënie me aleatët e NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të cilët janë të shqetësuar nga deklaratat e Presidentit. Ndërkohë që lavdërojnë publikisht sukseset e tij në politikën e jashtme, ata gjithashtu përpiqen të shpërqendrojnë Trump që ai të mos marrë ndonjë vendim të nxituar dhe destabilizues.
Ata inkurajojnë mitingje të shpeshta të stilit të fushatës me mbështetësit e tij të zjarrtë për të ndihmuar në shkarkimin e një pjese të zemërimit të Trump, dhe ata nuk përpiqen të ndalojnë sulmet e tij ditore ne Twitter kundër armiqve të ndryshëm. Në të njëjtën kohë, ata mbajnë kontakte të rregullta me aleatët që t’i sigurojnë ata që Amerika mbetet e angazhuar ndaj aleancave të saj tradicionale.
Pavarësisht nga të gjithë këto masa zbutëse, mbetet frika që në një moment të caktuar, ndoshta gjatë një mosmarrëveshjeje serioze ndërkombëtare, Trump mund të shkaktojë një krizë madhore dhe të injorojë këshillat e veteranëve të politikës së jashtme.
Kontradiktat e tij ose do të paralizojnë politikën ose një vendim i rrëmbyer nga Presidenti do të anashkalojë kabinetin e tij, do të përshkallëzojë konfliktin dhe madje edhe mund të nisë një luftë të papritur.
DITA