E themi qysh në fillim: nuk është normale që Bashkia Tropojë të ketë vetëm një filial Banke në të gjithë territorin e saj gjeo-administrativ(!) Afërsisht Bashkia Tropojë është e shtrirë në një sipërfaqe prej 1.043 kilometër katrorë. Banohet nga 30 mijë banorë, sipas të dhanave të publikuara nga Qarku Kukës e Bashkia Tropojë.
Në këtë bashki, nga më të largtat e ma të thellat në lugina e male alpine, në qytetet Bajramcurri e Fierzë e Njësitë Administrative Lekbibaj (Nikaj-Mërturi), Tropojë e Vjetër, Bytyç, Margegaj (Lugina e Valbonës), Bujan e Llugaj, ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 1.000 biznese të vogla, të mesme e deri diku të mëdha. Numri i pagesave dhe i transaksioneve bankare është i konsiderueshëm.
Në këtë bashki sot funksionon vetëm një filial i Raifaissen Bank. Ky filial punon me korrektësi e përgjegjshmëri nga stafi i tij, por është fakt se njerëzit presin me orë të tëra në rradhë. Kjo vjen për arsye të ngarkesës së madhe që kanë punonjësit.
Banka austriake Raifaissen është ndër bankat më me reputacion e kredibilitet ne Evropë. Ajo ka mbi 150 vjet që është krijuar dhe është shtrirë në disa shtete. Është e mirëkapitalizuar dhe e sigurtë.
Duke qënë se për një filial ngarkesa është e madhe, do të ishte me vend që në Tropojë, në qytetin e Bajramcurrit, të hapej dhe një filial nga kjo bankë ose ndonjë bankë tjetër. Sot në Shqipëri funksionojnë mbi 15 banka private. Nuk na duket e arsyeshme që njëra prej tyre të mos futej në tregun bankar të Tropojës.
Kjo do të rriste konkurencën për tarifat e shërbimit si dhe interesin e depozitave e të kredisë.
Gjithsesi ky është biznes privat dhe pronarët i bëjnë vetë analizat, por ne shofim me rëndësi mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën ju shërbehet qytetarëve.
Vetë bankat duhet ta shofin këtë hallkë, pasi si rregull, në vendet ku qarkullimi i monedhës është normal, për 12 deri 13 mijë banorë duhet të ketë një filial banke.
Vetë perspektiva e zhvillimit të shpejtë të sektorit të turizmit në Valbonë, Sylbicë, Dobërdol, Markofçë, Bytyç, Nikaj-Mërtur, etj. do të shtojë kërkesat për shërbime bankare dhe për kreditim të këtij sektori.
E njëjta kërkesë do të lindë dhe për zhvillimin e pemëtarisë e të blegtorisë.
Bankat duhet të ju paraprijnë këtyre fenomeneve dhe të bëhen joshëse të zhvillimeve të shpejta ekonomike e kulturore.
Bankat në të gjithë historinë e zhvillimit të Evropës kanë qënë shtytëse, mobilizuese e joshëse.
Është koha që këtë rol ta luajnë bankat, prej nga Banka e Shqipërisë e Bankat e Nivelit të Dytë si Raiffeisen Bank e ndonjë bankë tjetër, edhe në Tropojën tonë.
Valdet ERMALI
Valbona GEGA
Shkëlzen UJEZA