1. Interpret i Shpirtit Shqiptar të Lirisë. E ktheu Kosovën dhe çështjen e saj nga Perëndimi, nga aleatët tanë të natyrshëm: SHBA dhe Europa.
2. Vizionar. Në tërë karrierën politike katër-pesë fjalë shqiptonte përherë: protektorat ndërkombëtar, pastaj pavarësia, një Kosovë e lirë për të gjithë, demokratike, e hapur. A nuk qenë pikërisht këta gurët kilometrikë të Lirisë së Kosovës?
3. Dëshmoi se shqiptarët janë njerëz të paqes (si edhe të lufës, kur sosen alternativat e tjera). Qëndresa paqësore që udhëhoqi mbetet e pashembullt në historinë e Ballkanit, madje edhe të Europës.
4. Përcillte vetëm energji pozitive. Qetësia e tij ndaj sulmeve të kundërshtarëve politikë është proverbiale. Kush mund të thotë një fjalë të rëndë, shqiptuar prej gojës së tij për ta?
5. Ende s’ka vdekur. Do të vdesë nëse hiqet dorë nga idealet dhe rruga e tij. Nuk duhet të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë.

Kam pasur fatin me qenë ndër shqiptarët e parë të Republikës së Shqipërisë që e kanë njohur së afërmi.
Në maj 1971 kam lëvizur me të një javë nëpër Shqipëri. Ai djalosh 27-vjeçar, kryeredaktor i gazetës “Bota e Re” të Prishtinës, unë student 22-vjeçar, kryeredaktor i gazetës “Studenti”.

Mehmet ELEZI

21 janar 2019