Nga Kolë NDREKA – publicist
Poeten Rajmonda Maleçka, tashmë e njeh një opinion i gjërë, në Shqipëri, në Kosovë, Luginë të Preshevës e në Viset Shqiptare nën Maqedoni. Ajo ka botuar disa libra, por, unë dua ta quaj “Poetja e Lirisë”. Po përse kështu? Sepse në majën e mendjes, që është fjala, ajo thërret lirinë, metaforën më të bukur e më të madhe të të gjithë popujve. Lirinë në kuptimin më të gjërë të jetës!
Rajmonda, i ka shkruar vargjet apo, reportazhet, skicat, librat e poemat, në hapsirën e tokës së përgjakur, në pozicionet e luftëtarëve për lirinë e Kosovës të rreshtuar në UÇK – në. Tek shkruante ajo mbante në krah pushkën dhe nuk stepej nga gjëmimet e topave të shovinistëve serbomëdhenj.
Po pse, kjo vajzë nga Tirana, bij e Dibrës ushtare e UÇK –së, dhe poete e lirisë përgjakur, që është bijë e vatrës atdhetare shqiptare, se ndjen dhimbje të padurueshme, kur bashkëkombësit e bashkëkombëset e saj, terrorizohen në vatrat e tyre. Sepse, nuk qeshet, kur vëllezërit e motrat qajnë. Sepse s’mund të jesh i lirë kur barbaria ç’njerëzore, shkatërron jetë njerëzish, sepse humb durimi, kur përballesh me hipokritët e pa cipë që për një strofë, a një fjali në libër, përdorin pushtetin e të çojnë në burg. Sepse po mos jesh kryengritës kundër të keqes, s’mund të jesh qytetar i shekullit, aq më pak poet e shkrimtar që padrejtësisë i thua: pa drejtësi, dhe të drejtës e drejtë.
Kryengritëse kundër të keqes është Rajmonda jonë, ndaj ka mbërritur në poezi e në prozë, të bëhet zëri i lirisë. Më lejoni të ripërsëris një të vërtetë historike.
Qëndismat më të bukura e më prrallore i kanë bërë e i bëjnë femrat, sepse i kanë sytë e mprehtë dhe ndjenjat e shpirtit shumë të fuqishme. Qëndisma u thonë, por janë edhe poezi të heshtura…
Po, kur femrat flasin në poezi me fjalë, vargjet e tyre janë tepër të ndjeshme. Le ta ilustrojmë këtë me disa vargje të poemës, Rajmondës për Legjendën e Kosovës, Adem Jashari…
Nëpër shtigjet e Drenicës
u bë kohë që ka ra malli
i mungon Kosovës Baca
i mungon Adem Jashari.
Ajo e cilëson Prekazin, vendlindja e heroit si memorje e përjetshme, heroizmi dhe ka të drejtë.Poetja me uniformën e UÇK –së, vazhdon:
Njerëz pa fund thërret liria
Legjendë burri kërkon malli
në lirinë e Kosovës
fytyrën e la Adem Jashari.
Sa bukur e thua, moj Rajmonda! Se liria vërtetë ka edhe emrat, edhe fytyrat e të rënëve, që poetët i shohin ndoshta më qartë se të tjerët. Shpirti i poetes shpërthen krenarinë mbi dhimbjen kur thotë:
Çdo konak e ka një këngë
një legjendë ç’do vend e ka
i merr qielli luftëtarët
brenda varri nuk i mba.
Epopeja e çlirimit të Kosovës dha dy mesazhe të mëdha: – I pari, ndryshimin e kohës e të shekullit, për ta njohur Europa plakë, padrejtësinë që u bën shqiptarëve.
E dyta se përballë robërisë, nëna e lirisë, është pushka e trimërisë, – fundi i durimit të së keqes. Kosova kishte një shekull e më shumë që po ecte te ky prag ballafaqimi madhor. UÇK – ja, pararoja e ardhjes lirisë e pavarësisë, zëri i ri i shekullit të trimave legjendarë, ndaj poetja thotë:
Is’ Boletini malit ka zbrit
Ded Gjo Luli ka lënë varrin
Azem Galica i ka ik shpellës
Kuvend bajnë me Adem Jasharin.
Po a kishte kuvend më të madh, se kushtrimi i tyre pas luftën çlirimtare, kuvend që u detyrua ta njohë Bota.
Poetja nuk i merr ngjarjet si ardhje të lehta, nuk e kupton fitoret, pa i kushtëzuar me sakrifica të mëdha. Ajo e sheh Kosovën si një tokë me histori sa tragjike, aq edhe të lavdishme në kuptimin më të saktë të fjalës, dhe ja ç’është Kosova: –
I ka varret me amanete
i ka këngët lashtësi
i ka dasmat me flamurë
thellë, legjenda ka në gji.
I ka mortet ditë betimi
si asht guri fjalën e ka
fole trimash asht Atdheu
prej zemrash i ban Kala.
Së fundi dua ta pyes Rajmondën, po të mos ish në Prekaz, a mund ta shkruajë ato që ka shkruar? Unë them se jo . . .
“ Prekaz . . .! Të gjithë duan të shkojnë drejt Drenicës. Të gjithë duan të shkojnë atje. . . në Prekaz. Është njëri nga vendet më të njohura. Të huajt dhe shqiptarët duan të shohin çdo gjë atje . . . rrugët, malet, fushat, njerëzit, fëmijët, vajzat,pleqtë… Eh! – atje vjen erë shqiptare. Duam ta prekim me dorë historinë vetë, atë që vjen nga përjetsia për të shkuar në përjetësi.”
Të lumtë dora dhe zemra, moj Monda! Ne kolegët dhe vëllezërit t’u – ushtarak në rezervë e lirim, të falenderojmë nga zemra dhe të urojmë ecje të mbarë në krijimtari. Për ty ka hesht kritika e letërsisë, kur duhet të fliste. Po ç’të bëjmë, ajo s’po ndjehet e gjallë as për të tjerët. Ç’të bëjmeë moj Monda. Shoqëria jonë sot po sulmohet, nga amoraliteti, i politikës dhe i medias, nën pushtetin e interesave të vogla. Por e mira, s’ka për fund humbjen, ajo e njeh vonesën, dhe din ta sfidojë të keqen.
Më ngacmojnë fjalët e tua, kur thua: – Eh! – atje vjen erë shqiptarie. Sa do donim që ajo të frynte dhe këtu në Shqipërinë amë. Po ç’të themi. Erërat u përzien keq dhe s’dihet sa do të zgjasin. Magjithatë, këtu ku jemi tani ka vllazën shqiptarë,të ardhur nga viset tjera shqiptare, dhe ty midis nesh, për nga mosha je bij, për nga idealet motër, duke të uruar që së shpejti të lexojmë të tjera krijimtari nga Ti.