Rrugët e Tiranës janë plot histori. Ato të vjetrat sidomos. Dhe plot kujtime. Me mimozat tashmë gjithnjë e më të rralla (“ku ta gjej mimozën, vallë ku ta gjej?”, thuhet në një këngë të viteve të mia studentore). Me jargavanët e dorëzonjat, që varen shkujdesshëm nëpër mure.
Mjaft prej tyre ndihen të dhunuara. Shpirtërisht, pa shkuar më tej. Si quhen ato? Janë pagëzuar me emra heronjsh, që janë kundërheronj. Politikisht të njëanshëm po se po. Nëpër botime e në kujtesën kombëtare flitet për mizoritë e tyre, në pllakat me emrat e rrugëve të kryeqytetit nderohen. Një shejni (simptomë) e qartë spikat te kryqëzimi i unazës me rrugën e kombinatit. Është lartësuar një bllok me shkronja të mëdha: “21 Dhjetori”. Të mos harrojmë ditëlindjen e shokut Stalin!
Kadare shkruan:
“…një dukuri tepër shqetësuese, për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë”.
Ndihet nëpër rrugët e fyera të Tiranës. Të përplasen turinjve stërpikët e këtij pasioni.
Mehmet ELEZI
24 janar 2019