“Të nderuara media të Republikës së Kosovës, na lejoni që përmes këtij reagimi të shprehim mllefin tonë ndaj fjalimit të diplomates shqiptare në organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Më datë 05.02.2019 përmes disa medieve elektronike në Kosovë, jemi informuar në lidhje me Konferencën ” Një çështje e njerëzimit : Shpëtimi i Hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit”, që është mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe sjelljen e Ambasadores së Shqipërisë në OKB, znj. Besiana Kadare ndaj konsulles së përgjithshme në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York, znj. Teuta Sahatqija.

Për Bashkësinë Hebreje –Bet Izrael Kosova nëse këto që mediet theksojnë janë të vërteta, atëherë jo vetëm që është e papranueshme një sjellje e tillë por është edhe sjellje injorimi ndaj diplomates kosovare, e posaçërisht në lidhje me kërkesën e saj për të prezantuar marrëdhëniet ndihmën dhe trajtimin qe iu bë popullit hebrenj nga popullit shqiptar i Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Populli shqiptar në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore me vetëmohim dhe sakrificë ka mbrojtur dhe shpëtuar familjet hebraike në Kosovë dhe këtë e dëshmon njohja e kontributeve të disa familjeve tona nga ana e Institutit Yad Vashem në Jerusalem, Institut që punon në identifikimin e familjeve që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mohimi i së drejtës për të folur dhe prezantuar historinë e popullit të Kosovës dhe të hebrenjve që u shpëtuan në Kosovë, paraqet jo vetëm një akt të papëlqyeshëm të diplomates shqiptare, por edhe një skandal, sidomos kur të dihet mirë se diplomatja vjen nga Republika e Shqipërisë.

Bashkësia Hebreje –Bet Izrael Kosova pret dhe kërkon nga Ministria e Punëve te Jashtme e Shqipërisë që të thërras në përgjegjësi ambasadoren znj. Kadare dhe që mos të lejojë përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Bashkësia Hebreje –Bet Izrael Kosova edhe një herë i kërkon falje gjithë popullit të Kosovës për këtë sjellje të Ambasadores së Shqipërisë në OKB znj. Besiana Kadare”.