Ballina Ravijëzime Domosdoshmëria për një qasje të re ndaj trupës së pedagogëve

Domosdoshmëria për një qasje të re ndaj trupës së pedagogëve

Nga Ndriçim Kulla

Protestat studentore të dhjetorit, pasi njohën rrudhjen e natyrshme që sjell çdo qëndresë e gjatë në kohë, duket se po marrin forcë dhe mbështetje nga një tjetër bashkim, nga një tjetër bojkot, që duket të plotësojë qarkun e aktorëve veprues në zgjidhjen e problemit, shteti dhe pedagogët përballë kërkesave të studentëve. Nëse do t’i shtonim këtu edhe propagandën dhe show-n e vazhdueshëm që shoqëron këtë ngjarje nga ana e qeverisë, shohim që qëllimisht përgjithësohen shumë problematika dhe pështjellohen shumë të tjera, për të lënë para syve të njerëzve vetëm një pleksje të pafund pyetje-përgjigjesh që fshehin shumë gjëra dhe japin vetëm gjysmë të vërteta.

Baza e qëndrueshme në kuptimin e së drejtës dhe së vërtetës në gjithë këtë histori duhet të jenë studentët dhe kërkesat e tyre. Ata janë konstantja, qeveria, rektorati, pedagogët janë vetëm variablat e zgjidhjes. Sipas këtij këndvështrimi është krejt e pandershme, e paligjshme dhe deri dëshirimisht pështjelluese, nga ana e qeverisë që barrën e zgjidhjes së kërkesave të studentëve ta kalojë te pedagogët dhe financat e tyre. Po njëlloj, e papranueshme është edhe sulmimi që qeveria u bën pedagogëve gjoja në emër të studentëve, duke i adresuar si kategoria përgjegjëse e problemeve. Përkundrazi, ajo duhet të marrë përsipër me gjithë fuqinë e paaftësisë që Ministria e Arsimit ka treguar ndaj investimeve që duhet të kryente për projekte të ndryshme shkencore, të larmishme e të shumëllojshme, duke filluar nga konferencat, doracakët shoqërues të kumtesave, tryezave të rrumbullakëta të herëpashershme për ngjarje e tematika të caktuara e kështu me radhë. Më tej, për mos mbështetjen drastike të kërkimit dhe botimeve shkencore që i tejkalojnë projektet e fakulteteve dhe dekanateve të veçantë, që natyrisht shtrihet në zona e fusha më të ngushta studimi e përqendrohen kryesisht në prirjet dhe interesat e aplikantëve.

Përkundrazi, Shqipëria ka patur e do të ketë gjithmonë e më shumë nevojë për projekte që lidhen me një popullarizim shkencor të arritjeve dhe studimeve të reja të këtyre dekadave, me edukimin me bazë kombëtar të rinisë dhe intelektualitetit të saj, e me një profilizim ndërdisiplinor që sot është prirja kryesore e së ardhmes, ndërkohë që te ne as që arrihet të konceptohet nga burokratët e Ministrive, të bllokuara në fushëpamjen e mjegulluar dhe këndngushtë të dikastereve të tyre. Ndaj, të lë shijen e keqe të hipokrizisë kërcënimi i qeverisë ndaj studentëve për humbjen e vitit shkollor dhe mësymja idhnake dhe djallëzore ndaj gjithë trupës së pedagogëve për pyetje të drejta, por me synim të gabuar. Edhe njëherë, për të mos e humbur fillin e Adrianës në labirintin e ngërthimit të problemeve, duhet të kujtojmë se ishin pikërisht studentët ata që shpalosën në protestën e tyre disa ditore korrupsionin, imoralitetin, paaftësinë dhe plagjiarizmin e doktoraturave te pedagogëve të tyre, por kjo nuk mund të përdoret nga ana e qeverisë për t’u bërë zëdhënësja e baltosjes së kategorisë në përgjithësi dhe bojkotit të tyre që sapo ka nisur. Po njëlloj, studentëve nuk u zgjidh e nuk u shpjegon asgjë mbrojtja personale ose edhe një rrethi të caktuar pedagogësh të një fakulteti të caktuar rreth problematikave që ata shtrojnë. Pastërtia e tyre dhe moskapja nga vala e plagjiarizmit që ata pretendojnë, vetëm sa e mbulon masën e madhe të së keqes që ka kapluar cilësinë e mësimdhënies në universitetet tona publike.

Le të mos e ngatërrojmë mbështetjen e dhënë nga ana e pedagogëve për studentët dhe vazhdimin e bojkotit të drejtë, me alarmin që duhet të zgjojë brenda çdo ndërgjegjeje vigjilente intelektuale dhe civile për fatin e edukimit të bijve tanë dhe gjeneratave që po vijnë. Edhe reduktimi i problemit vetëm te plagjiarizmi nuk na ndihmon. Cilësia e një teze diplome apo doktorature nuk varet vetëm nga mungesa e kopjimit, por nga vlera dhe rëndësia e teorisë, paradigmës, përshtatjes dhe ambientimit të saj në kallëpin e mendësisë dhe sistemit-vend shqiptar. Po t’i analizojmë kështu, degradimi dhe atrofizimi i gjithëpranuar i Akademisë së Shkencave, fare thjesht mund të shtrihet edhe për një pjesë të konsiderueshme të trupës sonë mësimdhënëse. Mbetja prapa procesit të studimeve dhe botimeve shkencore me universitetet private është e dukshme, madje në fusha të caktuara ky kapërcim ka ndodhur edhe nga ana e institutive dhe organizatave jopublike. Vijimi i vazhdueshëm i formimit për gjatë gjithë jetës akademike (life-long learning) është shkaku themelor i kësaj prapambetje, e cila i ka larguar pedagogët nga kontakti me zhvillimet më të reja të fushës së tyre, por edhe i ka lënë të mos i përgjigjen dot as nivelit të përparuar të autodidaktëve.

Natyrshëm, i gjithë faji nuk është vetëm i tyre, por e gjithë trupës së senatit, rektoratit dhe dekanatit që gjithnjë e më shumë është prirur drejt menaxhimit ekonomik dhe korrupsionit, duke anashkaluar detyrën parësore, studimin, formimin dhe pastaj veprimin. Por megjithatë, përpara se të nisin bojkotin dhe të paraqitnin mbështetjen e vet për studentët, pedagogët ne emër të të gjithëve duhet të bëjnë një mea culpa të madhe për vettingun e parealizuar përgjatë gjithë këtyre viteve të titujve dhe gradave të tyre, për katarsisin e munguar të të gjitha atyre metodave të përdorura për zhvatjen dhe përuljen e studentëve përpara autoritetit të tyre të padiskutueshëm. Vetëm nëse kuptohet se ka ikur koha kur ata janë dhe flasin si ex-cathedra, por nevojitet të fillojë lëvizja e madhe e vetëkorrigjimit, verifikimit, krasitjes së degëve të kalbura apo sterile, pedagogët nuk mund ta rifitojnë respektin dhe autoritetin e lëkundur para syve të studentëve. Pasqyra e cilësisë së mësimdhënies është studenti dhe shoqëria jo qeveria, ndaj dhe fillimi i gjithçkaje të re për ta duhet të fillojë nga ndërtimi i një qasjeje ndryshe ndaj tyre, përtej se ndaj qeverisë.