Nga: Ivan Krastev / NY Times/
“Tranzicioni në Ballkan ka përfunduar,” më tha para disa kohësh Remzi Lani, një analist politik shqiptar. Por ndryshe nga ç’ka ndodhur në shumë vende post- komuniste, zoti Lani nuk nënkuptonte një kalim nga diktatura në demokraci. “Kemi kaluar nga regjime represive në regjime depresive.” Ai ka të drejtë. Komunistët e vjetër dhe nacionalistët radikalë etnikë janë pakësuar; në vend të tyre është stanjacioni – ekonomik, social dhe politik.
Pyetja tani është se si përshtaten këto regjime depresive në një rivalitet gjeopolitik në rritje.
Një ditë para vizitës së tij të fundit në Beograd, Serbi, Presidenti Vladimir Putin i Rusisë shprehu pakënaqësinë e tij të madhe me ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe akuzoi “Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore” për “destabilizimin” e rajonit. Ndërkohë, ministri i jashtëm rus ka denoncuar “gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’i futur të gjitha shtetet e Ballkanit në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për të hequr çdo ndikim rus në këtë rajon. “Rusia dëshiron që ta bëjë të qartë se kjo nuk është ajo që duan njerëzit në rajon”.
Duke parë vizitën e z. Putin në Beograd dhe duke dëgjuar retorikën e tij, nuk mundesh veçse të dalësh në përfundimin se përballja ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë në Ballkan po ndryshon si në natyrë dhe në intensitet. Në dekadën e fundit, Rusia e mbronte në mënyrë aktive praninë e saj ekonomike dhe kulturore në rajon, por kurrë nuk e sfidoi haptazi hegjemoninë e NATO-s apo të Bashkimit Evropian. Jo më.
Në pamje të parë, ambiciet e Rusisë duken joreale. Ballkani mbetet i ndërthurur fort me Perëndimin: Greqia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi janë të gjithë anëtarë të NATO-s dhe Maqedonia është drejt rrugës së anëtarësimit. Çdo vend në rajon ose është anëtar i Bashkimit Evropian, ose aspiron të bashkohet me të. Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i rajonit, investitori më i madh i tij dhe destinacioni i preferuar për emigracion. Mençuria konvencionale thotë se Rusia mund të jetë një shkaktues problemesh, por vështirë se mund të jetë më shumë se kaq.
Mençuria konvencionale mund ta ketë gabim. Moska ka ndjerë një dobësi kritike në pozitën e Perëndimit në Ballkan: Ndërsa në vende si Ukraina Bashkimi Evropian është perceptuar si një simbol i ndryshimit, në Ballkan shihet si mbrojtësi i një status quo-je që mund të jetë gati për shpërbërje.
Publiku është i frustruar dhe i zemëruar. Tensionet etnike janë në rritje. Pothuajse çdo shtet i rajonit ka parë demonstrata anti- qeveritare në shkallë të gjerë. Rritja ekonomike është e ngadaltë në shumicën e vendeve, mjerimi është tejet i përhapur dhe shpopullimi i rajonit është dramatik: Më shumë se 40 përqind e njerëzve të lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë janë larguar nga vendi; rreth 40 për qind e atyre që kanë lindur në Shqipëri dhe rreth 25 për qind e atyre që kanë lindur në Maqedoni kanë bërë të njëjtën gjë.
Dhe ndërsa sondazhet tregojnë se shumica e njerëzve ende e sheh hyrjen në Bashkimin Evropian si rrugën më të mirë drejt mirëqenies, premtimi i integrimit evropian po humbet fuqinë e saj magjike. Jo vetëm që e ardhmja e Bashkimit Evropian duket e pasigurt, por udhëheqës si Presidenti Emmanuel Macron i Francës kanë bërë të qartë se nuk do të shpenzojnë kapital politik për të lobuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Dhe prapë, edhe pse mendimi në rajon ka ndryshuar, Bashkimi Evropian ngurron ta ndryshojë qasjen ndaj tij. Kjo është pjesërisht rezultat i inercisë burokratike dhe mungesës së interesit politik. Por gjithashtu vjen nga një frikë se çdo ndryshim i politikës në Ballkan do të duket si tradhti ndaj parimeve.
Luftërat në vitet ’90 në ish-Jugosllavi luajtën një rol kritik në formimin e identitetit politik të Bashkimit Evropian pas Luftës së Ftohtë. Evropianët e panë tragjedinë e afërt jo si një përplasje midis shteteve apo kombeve, por midis dy parimeve: parimi i nacionalizmit etnik, i përfaqësuar nga Sllobodan Millosheviçi, dhe parimi i demokracisë multietnike, mishëruar nga Bashkimi Evropian. Rrjedhimisht, politika e Bashkimit Evropian në drejtim të Ballkanit është më e shtyrë nga ideologjia se sa në çdo pjesë tjetër të botës. Ngurtësia ideologjike e Evropës është e admirueshme, por është gjithashtu pjesërisht përgjegjëse për paralizën e rajonit.
Kjo ilustrohet më së miri nga roli i Bashkimit Evropian në diplomacinë e vazhdueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dialogu është iniciuar dhe inkurajuar nga Bashkimi Evropian sepse të gjithë e kuptojnë se njohja e ndërsjellë midis Beogradit dhe Prishtinës është e vetmja mënyrë për të hequr pengesat për një bashkëpunim më të thellë ekonomik dhe për të hapur rrugën për Serbinë dhe Kosovën që t’i bashkohen Bashkimin Evropian. Por kur Presidenti Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe homologu i tij në Kosovë, Hashim Thaçi, filluan të trajtonin çështjen e ndjeshme të “korrigjimit” të kufijve të tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare, kryeqytetet e mëdha evropiane nxituan të deklaronin se ata kurrë nuk do ta lejonin një gjë të tillë.
Ndryshimi i kufijve nuk është kurrë një ide e mirë, veçanërisht pas përvojës traumatike të luftërave etnike në Ballkan. Por as t’u thuash udhëheqësve të zgjedhur se ata nuk mund t’u japin formë marrëdhënieve midis vendeve të tyre nuk është ide e mirë. Kështu, ndërsa frika evropiane për faktin se ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi mund të inkurajojë vendet e tjera që të ndjekin të njëjtin shembull është legjitime dhe Bashkimi Evropian ka të drejtë kur këmbëngul që çdo ndryshim kufitar duhet të mbështetet nga shumica e njerëzve në ato vende, mesazhi vjen dobët. Duket sikur Evropa po i thotë fqinjit të saj trazovaç që të rrijë larg objekteve të mprehta. Dhe kjo është arsyeja pse ka dështuar. Shanset për një marrëveshje Serbi-Kosovë sot janë shumë më të pakta seç ishin muaj më parë, dhe rreziku i përplasjeve etnike është më i lartë.
Këtu hyn Rusia.
Nëntorin e kaluar, z. Putin u takua me z. Thaçi, pavarësisht faktit se Moska nuk e njeh Kosovën si shtet. Takimi tregoi se Rusia nuk e sheh rolin e saj në Ballkan vetëm si mbrojtëse e Serbisë, por gjithashtu si një influencues potencial politik dhe ekonomik. Prandaj evropianët nuk duhet të habiten nëse Rusia së shpejti prodhon hartën e vet për normalizimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare. (Ata gjithashtu nuk duhet të habiten nëse Turqia shpreh interes në një iniciativë të tillë ruse).
Me fjalë të tjera, veprimet e Rusisë në Ballkan nuk janë vetëm lojëra. Moska dëshiron të zëvendësojë Bashkimin Evropian si ndërmjetës për zgjidhjen e konflikteve rajonale, në mënyrën se si po përpiqet – me shumë sukses – të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si një ndërmjetës në Lindjen e Mesme.
Të premten, pas 27 vite mosmarrëveshjesh të hedhura dëm, Parlamenti grek më në fund aprovoi emrin e ri të Maqedonisë, Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund një prej konflikteve që ka kërcënuar Ballkanin. Kjo ishte një fitore e vërtetë për strategjinë evropiane për rajonin. Tani, Evropa duhet të gjejë energji dhe fleksibilitet të ngjashëm për të nxitur Serbinë dhe Kosovën që të gjejnë kompromisin e tyre. Kjo është mënyra e vetme që mund të mbetet e rëndësishme në rajon e jo duke qenë një forcë për status quo. /NYtimes/ Perktheu: Kebriona Veliaj, Tema/