* * *
Më ka ndodhur jo rrallë
Të ma thyejnë qeshjen në gjoks
Oh sa dhemb, tmerr
Si brinjë e thyer
Që shndërrohet në vrer
.
Realitet i trishtë
Kur i hap sytë
Kam ftohtë
Kam frikë
Kam uri
I vesh ata me errësirë
I gjuaj në gjumë
Që të mund të kap një ëndërr
Që ma shuan urinë
Ma vret frikën
Më ngroh.
.
Imazh përmbys
Dita sot më ngjan me një kërmill dembel
Që i fshihet zhguallit të vet
Me një derë të mbyllur
E bravë të ndryshkur
Me një orë të ndalur
Që akrepat i flejnë mbi zero
Me një kalë gërdallë
Bujtinë mizash të urituna
Me një ëndërr të vrarë
Akoma të paparë
Me arkitekturën mjerane të qytetit
Që lultet t`i bjerë një termet tetëballësh.
.
Liri e helmët
Rriska e tokës ku na lejuan
Të mbjellim hisen tonë të lirisë
Kullonte gjak e gjamë
Si një trup-cung
Pa krahë, pa kambë
Me veshë të premë dhe sy të nxjerrë
Mielli me të cilën gatuam bukën e parë të lirisë sonë
Kish qenë i helmët
Që ditën kur na e ” dhuruan” farën
Qysh ditën kur na lejuan ta mbillnim
Rriskën e cunguar të tokës amë
Ndaj kullon gjak
Varfëri e gjamë
Liria jonë e helmuar qysh në farë.
.
Epitaf
Një pendë pulëbardhe
Gjeta të mbytur në det
Lehtë e futa ndër gishta
E ngjeva në rreze të arta dielli
Dhe shkrova me të mbi detin blu:
“Jeta dhe vdekja
Nisin dhe mbarojnë këtu”.
.
Shpresë e varur në ngjyra
Shi bojë hiri
Lag pisllëkun e kohës së thatë
Dhelpra të veja
Me burra të vrarë në një betejë pa gjak
Ujqër shpirtmirë
Me gojë të mbetur cullak
Zogj pa sy
Pa krahë, qëndrojnë pezull në ajër
Silueta ëndrrash të përgjakura
Mbytur rrëmujshëm në radë
Një lakore ylberi
Që nis prej syve të një drenushe të fjetur
Çel sythet e një pranvere
Kushedi ndoshta me fat.
*(Cikël poetik, shkëputur nga libri me titull “Edhe zogjtë i mashtrojmë” me autor poetin e mirënjohur Bislim AHMETAJ).