Nga Qemal SAKAJEVA

Dinim se Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova kishte mbërritur në Uashington, i ftuar për të marrë pjesë në festën amerikane të Ditës së Falenderimeve. Mes gazetarëve të Kosovës që punonin në Televizionin Shqiptar, qarkullonte si thashethem mundësia për një takim të Presidentit Bill Clinton me Rugovën.
Të ishte dëshirë, apo e vërtetë? Nëse po, kjo ndodhte për herë të parë. Një sinjal i tillë do të ishte shpresë për shqiptarët dhe në mbrojtje të tyre. Po si të merrej lajmi që, Televizioni Shqiptar të ishte i pari në botë që ta transmetonte, edhe më përpara se “Zëri i Amerikës” (nëse?!), nga që ne ishim gjashtë orë më herët?
E shtunë, 5 janar 1994. Ora 19.50 minuta. Për dhjetë minuta fillonin lajmet e orës 20.00. Gazetarët e Kosovës erdhën në zyrë dhe me dëshpërim thanë se kishin dështuar. Nuk patën gjetur asnjë rrugë për të marrë lajm. Ndjeheshin hem të mërzitur, hem përgjegjës.
Atëherë i telefonova në zyrë përgjegjësit të seksionit në gjuhën shqipte të “Zëri i Amerikës”, Elez Biberaj.
“Zoti Elez, në Televizionin Shqiptar thuhet se Presidenti Clinton mund të ketë takuar Kryetarin Ibrahim Rugova. A është e vërtetë?”
“Po, janë takuar, por unë nuk kam qenë aty. Lajmi po përgatitet nga kolegia e dërguar posaçërisht. Mund të flasësh vetë me të”, tha dhe menjëherë u dëgjua zëri i ngritur i Elezit tek i thirri gazetares në emër.
Ajo e foli lajmin në tërësi. Ashtu, të shkruar me dorë dhe me shkronja mjaft të mëdha mbi një fije letër A4, e zbrita me ngut shkallëve për në studio dhe, disa sekonda përpara se të lëshohej sigla, ia vura mbi tavolinë folësit që kishte radhën. Natyrisht, me të u hapën lajmet e asaj mbrëmje, ilustruar me pamje të veçuara, të Presidentit Clinton dhe Kryetarit Rugova, me stop camera.
Takimi ishte kryer në hotel “Hilton” të Uashingtonit. Presidenti Clinton theksoi angazhimin e SHBA për një politikë parandaluese në Kosovë, u shpreh se njeh problemet e Kosovës dhe se ishte i shqetësuar për gjendjen e rëndë që zotëronte atje.
Më 10 shkurt, pas kthimit nga SHBA, Rugova u ftua për intervistë të drejtpërdrejt në studio. Ai, ndër të tjera, theksoi që,“Mund të themi se SHBA dhe Departamenti i Shtetit e përcjellin mjaft mirë situatën në Kosovë”, “Qëndrimi pozitiv i SHBA shprehet në predispozicionin pozitiv për të ndihmuar Kosovën”, “ndihmën politike që do t’i jepet Kosovës në të ardhmen”.
Presidenti Clinton bëri atë që tha: ”… ju nuk jeni as të harruar, as të braktisur”!