Ballina Kulturë ARKA – Nga Mark SIMONI

ARKA – Nga Mark SIMONI

Pavarësisht se me Arkën (Varkën) e Noes, sipas konceptit biblik, filloi jeta në Tokë, unë mbaj mend se fëmijëria ime e ka zanafillën të lidhur me një Arkë tjetër, arkën e gjyshes sime. Dhe për çudi, këto dy arka ngjanin shumë me njëra tjetrën. Në to kishte çdo gjë që ka bota.
Edhe sot e kësaj dite më duket se e ndjejë aromën që kishte arka e gjyshes sime, një përzierje e çuditëshme mes erës së naftalinës, (që mola të mos ia brente teshat), aromës së ftonjëve të verdhë dhe gjetheve të larit (dafinës), futur me kujdes nëpër petka. Në një rize, (shami të vogël), qenë mbështjellë sheqerat në formë kubash, që i ruante për të sajdisur ndonjë fëmijë kur vinte për vizitë. Neve të shtëpisë na jeptë sheqer refuxho, me të njëjtën lugë. Na vinte në rresht dhe ne hapnim gojën me rradhë, si sot në kishë, kur të fusin peten e vogël të brumit.
Në arkë ishin xhupi, antaria, stravecja, mangorja, qemeri, të bardha dhe gjithë ojna, pafte të ndryshme, qendisur me gajtana. Fshehur me kujdes, kishte dhe një foto të të shoqit, (gjyshit tim të vdekur), që e ruante të mos ia shikonte kush. (Qe turp që gruaja e asaj kohe të kishte foton e burrit).
Petkat sa të bukura, palë palë. Në qosh ndonjë sapun Venus, ndonjë trastë e vogël me arra dhe lajthi apo ndonjë kavanoz me mjaltë, për ndonjë të sëmurë, (të paqefë, të ramë derta, apo të ligsht). Diku të ruajtur me kujdes një binde, (shishe e vogël) me vaj, që gjyshes i duhej për flokët. Ajo e hiqte shaminë kur në shtëpi qemë vetëm ne fëmijët. Kishte marre, (turp), të ishte pa shami para të rriturve. Ngjyente krëhërin me vaj, dhe krehej ngadalë e me kujdes, duke bërë bishtalecat që i lidhte rreth fytyrës, pak të dala nga shamia.
Atje, thellë në arkë, qenë dhe një palë petka të shenjta, dhe që s’prekeshin kurrë. Ishin teshat (rrobat) e vdekjes. Ruheshin vetëm për ditën e mbrame, bash atëherë kur njerëz nga të katër anët do të vinin ta shtinin në dhe’. Qenë më të bukurat tesha, si akt që njerëzit ta mbanin mend sa më bukur.
Në arkën e gjyshes sime qenë stinët e frutave, qerasjet dhe sajdisjet, qenë bukuria e flokëve, teshat e nusërisë, strenglat, (varëset metalike me pare sermi), qe dhe vdekja. Eh gjyshja ime, Gjelina e Bunajve. Duhet të më ketë dashur fort, mbasi kujtoj se, më me kollajllëk hapej një portë kalaje se sa hapej kapaku i arkës së saj. Askënd s’linte ta prekte. Dhe përderisa unë isha i vetmi që më linte ta sodisja, e kuptoj se ajo më ka dashur fort.