Ballina Rajoni Opozita greke kërcënon me bllokimin e Maqedonisë në BE

Opozita greke kërcënon me bllokimin e Maqedonisë në BE

Opozita në Greqi kërcënoi me bllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, nëse nuk përmbushen kërkesat e saj lidhur me marrëveshjen e arritur për çështjen e emrit.

Udhëheqësi i opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis, tha se kontestin e emrit me Maqedoninë nuk e konsideron ende të mbyllur, ndërsa në rast të fitores së partisë së tij “Demokracia e Re” në zgjedhje, “do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë në dispozicion për bllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian”.

“Do ta shfrytëzoj të drejtën e vetos për çdo kapitull në lidhje me integrimin e Shkupit në Bashkimin Evropian. Që ky vend të anëtarësohet në BE, ekzistojnë 35 kapituj për të cilët duhet miratim në fillim që të hapen, por edhe që të mbyllen. Këta 35 kapituj patjetër se duhet të mbyllen që të arrihet integrimi evropian i Shkupit. Ata as nuk do t’i hapin, as nuk do t’i mbyllin, nëse paraprakisht nuk kënaqin pozicionet e palës greke”, tha Kyriakos Mitsotakis në një tubim partiak në Athinë.

Reagimi vjen pas ratifikimit të marrëveshjes së emrit nga ana e Parlamentit të Greqisë më 25 janar.

Për dallim nga opozita, kryeministri grek, Alexis Tsipras, qëndron fuqishëm pas marrëveshjes, duke e vlerësuar si më të mirën që mund të ketë arritur Athina lidhur me zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve.

Greqia pritet të jetë vendi i parë që do të ratifikojë edhe protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kjo, sipas mediave në Athinë, pritet të bëhet deri në fund të javës.

Marrëveshja për emrin, e arritur verën e kaluar, i ka dhënë ish-shtetit jugosllav emrin Maqedoni e Veriut.

Për gati tri dekada, Greqia i ka kundërshtuar përpjekjet e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, duke thënë se emri i këtij vendi nënkupton ambicie territoriale për një rajon grek që po ashtu quhet Maqedoni.

Marrëveshja për emrin kundërshtohet edhe nga opozita në Maqedoni. Lideri i partisë VMRO DPMNE, Hristijan Mickovski, ka thënë se në rast se partia e tij vjen në pushtet, do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për anulimin e saj./REL