Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues

1.

Tashmë, janë të shumta femrat krijuese, sidomos në mosha të reja, të cilat jetojnë në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës ose që kanë emigruar jashtë, nga trojet e tyre amtare. Talentin dhe frymëzimet e tyre, ato i shprehin në poezi, prozë ose picture etj. Shumica nga ato, kanë botuar libra të bukur me krijimet në poezi ose prozë, nëpër libra, revista ose faqe të ndryshme Interneti. Jo të pakta janë autoret femra, të cilat edhe kanë marrë çmime ose “Mirënjohje”, në konkurse e veprimtari letrare e artistike, që janë organizuar në vendlindjet e tyre ose jashtë Atdheut.

Lexues të vëmëndshëm, sidomos në këta vitet e fundit, kanë parë që publikon poezitë e veta, sidomos në Internet, bija e qytetit të bukur të Pejës, Marigonë Kelmendi, e cila nuk ka shumë kohë që i mbushi 25 vite të jetës. Emri i saj është domethënës, sepse na kujton qendistaren e Flamurit tonë Mbarëkombëtar, i cili u valëit në qytetin historik të Vlorës, nga atdhetari i madh, Ismail Qemali, para delegatëve të Kuvendit Historik, ardhur nga të gjitha trojet tona amtare dhe që shpalli Pavarësinë, më 28 Nëntor 1912.

Ajo, tashmë, jeton në Prishtinë dhe aty vazhdon studimet në Fakultetin Teknik. Por, asnjëherë, nuk e harron vendlindjen dhe ajo e frymëzon gjithnjë, në krijimtarinë e saj poetike. Se nga ai qytet emërmadh janë atdhetari i shquar, Haxhi Zekë Byberi e Sali Gjukë Dukagjini, firmatar i Shpalljes së Pavërësisë Kombëtare, në Vlorë, më 28 Nëntor 2012 (tani “Mësues i Popullit” e “Nderi I Kombit”) dhe sa e sa trima e luftëtarë, të mendjes e të pushkës, në betejat e parreshtura për pavarësi, liri e demokraci.

Këto tradita e mbrujtën Marigonë me shpirt atdhedashurie e lirie dhe ndjenjat e veta nisi t’i shkruajë që në rininë e herdhme. Ishte viti 2014, kur ajo publikoi librin e parë me poezi, i cili e ka titullin e bukur, “Ecje drite…”. Por dhe në vijimësi e vazhdoi krijimtarinë e saj, si me poezi të larmishme, por dhe me tekste këngësh.

Një ngjarje e shënuar në jetën e kësaj poeteje të re ishte pjesëmarrja në Panairin e Librit , që u organizua në muajin tetor 2018, në Fankfurt të Gjermanisë. Aty u paraqit me librin e saj, “Marimangat e Lirisë”, i cili u pëlqye dhe u vlerësua, si për tematikën dhe poezitë e shkruara plot frymëzim.

Për tërë krijimtarinëë e deritanishme, Marigona flet me nderim e respekt dhe falënderon përzemërisht, për ndihmën e dhënë, nga mësuesi i letërsisë, Abdullah Zeneli, si dhe për bashkëpunimin me krijuesit dhe botuesit e njohur: Adem Gashi, Behar Gjoka e Anila Xhekaliu.

Prirjet e saj ndaj krijimtarisë poetike, por dhe nxitja, që asaj i kanë dhënë lexuesit, me mesazhet e shumta të tyre, kanë bërë që Marigonë Kelmendi të mos rreshtë së shkruari. Më poshtë, pa njohur se çfarë mund të ketë ajo diçka tjetër nga krijimtaria e saj, po ndalem shkurtimisht vetëm në poezitë, që ka publikuar, në muajt dhjetor 2018 e janar 2019. Por jam i bindur që ajo ecën më shpejt, se sa kam punuar unë, për këtë shkrim modest, pra do të ketë edhe poezi të tjera, për të cilat nuk arrij të shprehem as t’i citoj këtu.

2.

Kam patur në duar shumë libra ose kam lexuar poezitë e autoreve krijuese, si nga Shqipëria e Kosova, por dhe nga trojet tjera amtare e nga emigracioni. Për këtë gjë, dëshmojnë dhe tri antologjitë, që kam publikuar për ato: “Për ju, krijuese…”(Tiranë, 2015), “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, 2016) e “Si ujëvarë bjeshke…”(Tiranë, 2017). Por nuk më ka rënë rasti që të lexoj poezitë e ndonjërës prej këtyre autoreve, të shkruara në vijimësi dhe në një periudhë kaq të shkurtër kohore, për kaq qytete të trojeve tona amtare, siç ka shkruar e publikuar poetja e re, Marigonë Kelmendi.

Sigurisht, që të hedhësh në vargje mendimet tua poetike, për mjaft qytete të njohur, duhet që më parë ta njohësh gjeografinë, historinë dhe traditat e ndryshme të tyre. Pra, natyrshëm, Mrigonës i është dashur ta bëjë këtë gjë, duke shfrytëzuar literaturën përkatëse, faqet e Internetit e tjerë.

Atdheu i secilit fillon nga familja, tualli i shtëpisë tënde dhe vazhdon më tej. Prandaj Marigona, duke u ndodhur tani larg tyre, frymëzohet dhe merr “udhën” për atje. Këtë gjë e ka shprehur me ndjenja të pastra në poezinë “Udhëtim, në një drejtim…”. Aty shprehet:

Autobus i ftohtë, si ajëri i këtij nëntori,
uturin drejt Pejës sime…
Do t’i numëroj kunorat e pemëve
gjethepak,
zverdhur tashmë;
trungje, sa trungje,
rritur me mua…
Para derës së fëmijërisë do të pres,
udhëtimi im ka një drejtim:
Vendlindjen time,
nismën time!…

Ndërsa për bukuritë e pashoqe, të qytetit të vendlindjes, shkruan në poezinë “Pejë”:

E bukur është Peja,
në këtë vrap kohe: shko e eja!
Peja ime e fëmijërisë,
Peja ime e dalldisë…
…Sa herë shkruaj, sikur më ndërmendin,
vargun ma gdhendin:
Pejë, oj Pejë!

Siç dihet, Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës, ku Marigona e ndjen veten “si në shtëpinë e vetë”. Prandaj asaj i ka thurur një poezi:

Prishtinën e dua, sa Pejën,
ndoshta, pak më shumë!…
Prishtina është qytet ëndrrash,
është liman anijesh mendimi,
arenë përballjesh konkurrence,
ku lulëzon qytetërimi…
Prishtinë, moj, të dua, moj!
Mjafton: TD-TD!

Tërë populli i Kosovës, me të drejtë, krenohet për Skënderajt, ku lindi dhe shkroi një Epope Heroizmi të pashoq, Adem Jashari, me tërë familjen e tij. Prandaj dhe Marigona i thurë Himn Lavdie e Përjetësie:
…Për Prekazin, që bëri historinë,
Prekazin e Ademit;
me Jasharët, këta apostuj lirie…
Skënderaj është monument,
është lapidar,

është sakrificë
është vetë liria;
është Kosova,
është Shqipëria…
Skënderaj!

Pastaj, vijnë varg e varg, secila poezi më e bukur se tjetra, që Marigonë Kelmendi u kushton traditave të lavdishme të qyteteve të Kosovës, e cila u martirizua në shekuj, në luftërat kundër çdo pushtuesi dhe, së fundmi, ndaj atij serb. Kështu, ajo ka thurur poezi të frymëzuara për: Gjakovën e Deçanin, Prizrenin e Besëlidhjes së Madhe Historike; Ferizajt, Fushë-Kosovën, Janjevën, Artanën, Besianën, Kaçanikun, Mirtovicën e Vushtrrinë…

Në poezinë kushtuar Dardanës, Marigona shprehet:

Dardanën nuk di përse e ngatërrojnë me gur?!
Është thjesht Dardanë,
në zemër të Dardanisë…
Gallapi në krye,
Lugina mënjanë…
Dardana, tutje-tëhu, nuk lëviz
Është e Kosovës-kërthizë!…

Është e vështirë që, në një shkrim të shkurtër, siç është ky, të përmblidhen tërë ato ndjenja e mendime, atdhetare e qytetare, shprehur nga kjo poete e re. Sepse, në secilën poezi, kushtuar këtyre qyteteve ose të tjerëve, ajo i bën ata ende më të afërt e të dashur, për çdo lexues shqiptar, kudo që ai ndodhet.

3.

Për Shqipërinë ose “Atdheun mëmë”, gjithashtu, poetja e re Marigonë Këlmendi shkruan poezi plot frymëzim, si të ishte bijë e qyteteve të saj, pra dhe e kryeqytetit:
Tirana-Meka ime!
Sa herë bëj pelegrinazhin,
e laj me lot gëzimi…
Gurë e guralecë, pa fund,
djalli nuk ka më vend!
Kombëtarja-Kuq e Zi,
qendresë mitike,
Europë e Azi!
Tirana ime:
Sa e dashur më je,
Më e bukura mbi dhe!

Po kjo poete ka përherë në zemër edhe Krujën legjendare të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu:
…Krujë e Kastriotit,
edhe sot rrjedh ujë të bekuar,
ujë shqiptarie,
shkrin gëlqerore e çimentore…
Poshtë monumentit të Atdheut,
tymnajë tranzicioni,
po Kruja-Krujë mbetet!…
550 vjet, Krujë e patundur,
nga asnjë tërmet!…

Në kujtesaën e brezit të sotëm janë të pashlyera ngjarjet tragjike, në Kosovën e fundshekullit të kaluar. Pushtuesit gjakatërë serbë, në përpjekjet e tyre të dëshpëruaara, të ndodhur përballë Bashkësisë Ndërkombëetare dhe UÇK-së, bënë krime çnjerëzore mbi popullatën e pafajshme. Për t’u shpetuar atyre, gra e fëmijë iu drejtuan Atdheut-Mëmë, Shqipërisë. “Porta” e parë bujare ishte Kukësi, me njerezit e tij mikpritës, të dashur, të besës dhe të traditave më të mira të shqiptarizmës. Prandaj poetja Marigonë shkruan një poezi të frymëzuar:

Kukësi është ndalesa e radhës…
Kukësi, që ishte i Vjetër dhe u bë i Ri,
si vitet, kur i lëshojnë vendin njëri-tjetrit…
e bardha mund të zezën,
si pranvera e Nëntëdhjetenëntës!
…Kukësi im i nëntë-nëntës,
qyteti im i nëntëmbëdhjetës:
Gjithëherë i Ri!

Me emrin e saj të bukur Marigonë, kjo poete nuk mund të mos I thurte poezi edhe Vlorës plot tradita atdhedashurie, lirie e demokracie:

Vlorë, moj,
sa herë të kujtoj, gjaku më vlon,
emrit m’i jep kuptim!
…Po si Vlora s’ka,
është tej profecive,
se aty gjithmonë vlon…
Pasha Liman, të kam xhan!
Ankoro, ankoro, ankoro,

Po Kosovën, të lutem:
Mos e harro!

Më tej, në poezinë kushtuar Ditës së Flamurit Mbarëkombëtar Shqiptar, shkruan poezinë: “E zezë, moj Hyjnore, shkrirë në të kuqe”:

Kurrë më shumë shqiponja,
mbi qytetin tim:
Fluturojnë
krahështrira,
sa gjithë Iliria…
Ti,
Shqipe!
Ti, Flamur,
nga Nishi, në Krujë,
Tokë Skënderbeu!…
Sa i madh,
i shqipeve, At-Dheu…

Por Marigona u ka kushtuar poezi edhe disa qyteteve tjerë të Shqipërisë, si: Durrësit bregdetar, që i prat krahëhapur shqiptarët përvit, në stinën e nxehtë të verës; për Fierin, Gjirokastrën, “qytet i gurtë”; për Lezhën, me kalanë shekullore të saj etj. Dhe, kudo, ndjen dashamirësinë e vetë, për këto troje, ku jetojnë e punojnë, të lirë, në demokraci, bashkatdhetarët e saj.

4.

Tashmë, është e njohur që Konferenca e Ambvasadorëve, që u mbajt në Londër, më 1913, ia shkëputi Shqipërisë disa pjesë nga trupi i saj, pra ato mbetën jashtë kufinjëve të sotëm të Shtetit Shqiptar. Po edhe për Marigonë, këto toka e qytetet e tyre, janë pjesë e së tërës, pra e Shqipërisë së Vërtetë dhe jo e “Shqipërisë së Madhe”, term që e përdorin disa të huaj, me dashakeqësi.

Për sa më sipër, kjo poete flet, me zemër e ndjenja të atdhedashurisë së zjarrtë, si për: Janinën e Konicën, Manastirin e Alfabetit të Shqipes, Podgoricën e Nishin, Ohrin, Shkupin, Tetovën e Dibrën dhe Rozhajën e Ulqinin bregdetar…Me mall të pashuar ka shkruar poetja për Preshevën, e cila është aq afër, por dhe aq larg Republikës së Kosovës:

Pas bjeshkëve, pas shpine,
gjithmonë para syve…
Luginë qendrese, kthese, fshese,
shprese…
Kështjellë, ku përplaset ardhmënia:
Fol shqip,
jeto shqip,
ëndërro shqip!
Preshevë ,moj Preshevë,
trung i pandarë:
Sot me lotë,
nesër pa lotë-
Profecia
më thotë!…

5.

Ndokush, mund të pyesë: Pse, kjo krijuese nuk paska poezi me tematikë tjetër? Po, ajo ka shkruar plot frymëzim edhe për ndjenjat njerëzore të miqësisë e dashurisë, për për objektet që e rrethojnë, për natyrën e bukur etj. Ja, si shkrehet në ndonjë varg te poezia “Pasqyrë”:

Nuk je ti, po unë,
pasqyra ime…
Nuk janë sytë e tu,
jaanë dritat e mia
që të gllabërojnë ty!
Nuk janë buzët e tua,
është shpërthimi im rinor!…

Ndërsa te poezia “Lule” shprehet, me fjalë të kursyera:

Lule
dhe një lule,
tufë lulesh
mora dje…
Atje,
në tempull dijeje…
Për një poezi
dhe një poezi,
një tufë poezish…
Festë,
libri,
miqësh…
Gëzuar:
Për artin,
Jetën,
Suksesin!

Një ndjeshmëri të bukur ka Marigonë Këlmendi edhe në poezi të tjera të bukura, si: Hareja e kandilit, “Trotuar”, “Mjegull” etj…

…Në mbyllje të këtyre radhëve, kshtuar disa poezive, besoj të pabotuara në ndonjë libër nga Marigonë Këlmendi, e uroj dhe e përgëzoj atë për hapat e sigurtë, që po hedh në udhën e gjatë dhe të bukur të krijimtarisë letrare… Me shëndet të plotë, arritje në studime dhe në punë, mbarësi e krijimtari të pandalshme, gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, 29 janar 2019