Nga AZGAN HAKLAJ*
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar i shndërruar tashmë në parlament shpirtëror të trashëgimisë kulturore dhe patriotike të Kombit Shqiptar, i vetëdijshëm për momentin historik që kalon sot mbarë bota shqiptare, duke ndjek me vëmendje zhvillimet politike dhe proçeset integruese, të cilat vendosin fatin e shqiptarëve në Ballkan dhe Europë, shpreh mbështetjen e plotë e të pakushte për z. Basha dhe opozitën shqiptare në betejën e pabarabartë por të vendosur, që forcat demokratike, progresive dhe atdhetare zhvillojnë prej 6-të vitesh për përmbysjen e regjimin despotik, antidemokratik e antikombëtar të Edi Ramës.
Kjo thirrje për liri, demokraci e dinjitet kombëtar vjen pikërisht në kohën e duhur, në janarin historik të shqiptarëve.
Janari është 551 vjetori i kalimit në amëshim i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, është 100 vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit, arkitektit të Krujës së dytë dhe të intipendencës së Shqipërisë, 130 vjetori i Lidhjes së Pejës “Besa Besë”, 103 vjetori i vrasjes së Isa Boletinit – Robinhudit Shqiptar, i cili me kobure dhe trimërinë e tij legjendare i rivendosi piramidat e Atdheut dhe të Mitrovicës së bashkuar.
Janari 1862 është ditëlindja e tribunit popullor, personofikimit të qëndresës Bajram Currit, krahu i djathtë i Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit. Bajram Curri që në moshën 16 vjeçare rroki pushkën për mbrojtjen e Atdheut dhe lirisë së tij. Ai mori pjesë dhe dha kontribut të çmuar në të gjitha kuvendet kombëtare ku u farkëtuan betejat për çlirim kombëtar deri në hartimin e platformës për Kryengritjen e Përgjithshme që çoi në shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë.
Janari është 100 vjetori i Konferencës së Paqes së Versajës, që shembi mbretëritë gjermane, ruse, turke, austro-hungareze, por krijoi tri mbretëri armike të shqiptarëve, serbo-kroato-sllovene, greke, sovjetike.
99 vjet më parë u mblodh Kongresi i Lushnjes, ku patriotët shqiptarë çertifikuan pavarsinë e Shqipërisë Londineze dhe i dëbuan nga trojet tona pushtuesit italianë e serbo-malazezë.
83 vjet më parë lindi gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, i cili përveç veprave monumentale letrare që na ka dhuruar është dishepull i shqiptarizmit, apostull i flaktë i çështjes kombëtare.
Me 17 janar 1982 u vra Robespieri Shqiptar Isuf Gërvalla, djaloshi zemër luan i Tropojës sëbashku me vëllain e tij Bardhoshin dhe Kadri Zekën, nga falangat e UDB-së dhe tradhtarët e Kombit.
35 vjetori i vrasjes të heronjëve të ri Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, rënë heroikisht në Kodrën e trimave në Prishtinë, janar 1984 dhe gjaku i derdhur i Pushkës së Parë të lirisë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, vrarë në janar 1997 na urdhërojnë të ngrihemi në kombë për liri dhe demokraci, për Mitrovicën, për Luginën e Preshevës, Çamërinë, Shkupin e Tetovën, Ulqinin e Tivarin
Masakra e Reçakut në 20 vjetorin e saj është apel i ndergjegjes kombëtare.
20 vjet më parë Bota u shokua nga kanibalizmi i regjimit gjakatar të kasapit Millosheviç.
Reçaku i ngjante krematoriumit të Hitlerit.
Janë këto arsyet që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar i përgjigjet thirrjes së z. Basha me një “Po” të madhe e të vendosur nën moton: “O sot o kurrë për Demokracinë, për Atdheun, për të realizuar ëndrren e Rilindjes Shqiptare, që shqiptarët të bashkohen nën siglën e një kombi, shteti, gjuhe e flamuri të vetëm.
Mirë u takofshim në Protestën e madhe të 16 shkurtit, ditës kur Sovrani Shqiptar nën udhëheqjen e opozitës së tij do të marrë në dorë fatet e Atdheut.
Me dt. 16 shkurt në Jubileun e Pavarsisë të Kosovës, është finishi i Qeverisë Rama dhe i klikës së tij, e cila ka 6 vjet që i shërben trekëndshit antikombëtar Moskë-Beograd-Ankara, të cilët punojnë natë e ditë për ndarjen e Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare.
Me 16 shkurt të gjithë në shesh për të mbrojtur Lirinë, Demokracinë dhe Atdheun! “Një Komb, një Vendim”.
Rrëzimi i qeverisë despotike, kleptokratike, kuislinge që ka uzurpuar institucionet demokratike duke shkatërruar shtetin e së drejtës, kapur prokurorinë, asgjësuar sistemin gjygjsorë, ka shitur pasuritë kombëtare strategjike, po përpiqet të asgjesojë fjalën e lirë, ka shitur Kauzën Çame dhe është angazhuar për ndarjes e Kosovës duke u bërë mëkëmbëse e Kalifatit Otomano-Ortodoks të Binomit Erdogan-Putin.
Të gjithë sëbashku me 16 shkurt të mbrojmë demokracinë dhe Atdheun!
Misioni ynë historik kombëtar finalizohet në sheshet e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe Shenjtores Nënë Tereza dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dt. 16 shkurt.
*Azgan HAKLAJ – President i Unionit Artistik të Kmbit Shqiptar-i dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ish-deputet i PD në Kuvendin e Shqipërisë. Mjeshtër i Madh