40 vjet më parë, Presidenti amerikan Jimmy Carter negocioi dhe nënshkroi një marrëveshje historike me Kinën, e cila normalizoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Por që nga ajo kohë, rritja e jashtëzakonshme ekonomike e Kinës dhe sanksionet tregtare vitin e kaluar të Shteteve të Bashkuara ndaj Pekinit kanë bërë që dy vendet të krijojnë një marrëdhënie me dyshime reciproke.
Katër dekada pasi nënshkroi marrëveshjen, Presidenti amerikan Jimmy Carter i dha një intervistë ekskluzive gazetares Greta Van Susteren. Zoti Carter tha se marrëveshja e vitit 1979 mbetet e suksesshme.
“Ajo që Deng Xiaoping i premtoi në atë kohë popullit kinez, botës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe mua personalisht, ishte hapja dhe reformat ekonomike. Udhëheqja kineze lejoi reforma të jashtëzakonshme në vend. Më parë atje nuk kishte patur asnjë lloj reforme. Tani Kina është një shoqëri shumë e hapur, dinamike, kur është fjala për tregtinë”, thotë ai.
Zoti Carter nuk është dakord me sanksionet e administratës Trump ndaj Pekinit dhe me këtë rast përmend koncesionet e Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara, pas takimit të vitit të kaluar të G-20-ës në Argjentinë.
“Kina ka rënë dakord të bëjë dy-tre gjëra. Njëra është që të blejë më tepër bimë soje. Ata kanë blerë një sasi të madhe të sojës amerikane. Po ashtu kanë premtuar të hapin rrugën e investimeve për korporatat amerikane në Kinë. Kur nuk kemi marrëdhënie të mira me Kinën, kjo dëmton të dyja palët, i dëmton ekonomikisht Shtetet e Bashkuara,” tha zoti Carter.
Eksperti për Kinën Christopher Johnson mendon se Presidenti Donald Trump bëri gabim që i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Partneriteti i Transpaqësorit, i njohur edhe si TPP:
“Në thelb, shumica e sfidave me të cilat përballemi, janë dy-palëshe; marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kinën trajtoheshin në një mënyrë apo një tjetër në Partneritetin TPP. Sidomos çështje të rëndësishme, si subvencionet ndaj ndërmarrjeve shtetërore, transferimi i detyruar i teknologjisë, apo mbrojtja e pronësisë intelektuale, të përfshira në TPP, ishin nënshkruar nga një numër i madh vendesh; kur shqetësimet vijnë nga një grup vendesh, Kina ka prirjen t’u kushtojë më tepër vëmendje,”- tha zoti Johnson.
…Përsa u përket marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, zoti Johnson thotë:
“Jam i shqetësuar kur është fjala për marrëdhënien afatshkurtër. Jemi duke përjetuar një keqësim të përgjithshëm në marrëdhëniet strategjike, do të thoja më të këqijat në një periudhë të gjatë kohe. Përplasjet ekonomike dhe tregtare janë vetëm një simptomë e një sëmundjeje më komplekse, që ka të bëjë me marrëdhëniet tona si dy fuqi botëtore.”
Zoti Johnson shton se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit janë tepër të rëndësishme kur është fjala për një tjetër shqetësim që kanë Shtetet e Bashkuara: të bindin Korenë e Veriut të heqë dorë nga armët bërthamore.