Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sot për rrezikun e rritjes së nacionalizmit në Europë dhe bëri thirrje për rigjallërimin e bashkëpunimit ndërkufitar, pasi ajo dhe homologu i saj francez nënshkruan një traktat për rigjallërimin e miqësisë shumëvjeçare mes vendeve të tyre.
Marrëveshja e re u nënshkrua në qytetin e lashtë të Gjermanisë Perëndimore Aachen, pikërisht 56 vjet pas Traktatit Elysee të vitit 1963, që përcaktoi marrëdhëniet e afërta që do të kishin të dy vendet pas shekujsh me konflikte, të cilat morën në fund me Luftën e Dytë Botërore.
“Në të gjitha vendet tona është duke u fuqizuar populizmi dhe nacionalizmi”, i tha zonja Merkel zyrtarëve francezë, gjermanë dhe europianë, që ishin mbledhur në qendrën e qytetit Aachen.
Ajo tha se bashkëpunimi ndërkombëtar po kalon nëpër një rrugë të vështirë dhe ajo përmendi si shembull largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, si dhe rritjen e prirjeve proteksioniste në mbarë botën.
Traktati i Aachen-it synon fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes të dy vendeve, si dhe përmirësimin e koordinimit mes tyre për çështje ndërkombëtare, si ndryshimet klimatike dhe terrorizmi.
Gjermaisë dhe Francës shpesh i referohen si lokomotiva të Bashkimit Europian, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek vendet e tjera anëtare, të cilat ndjehen të anashlakuara nga marrëdhënia e afërt mes Parisit dhe Berlinit.