Nga Harry BAJRAKTARI – Nderi i Kombit
Sot përkujtohet 13 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili, në kohë të vështira, kërkoi liri dhe pavarësi për Kosovën përballë regjimit të egër serb. Kjo liri e shqiptarëve të Kosovës për një shekull ishte e mohuar. Merita e madhe e Dr. Rugovës qëdron në faktin se ai diti ta orientojë Kosovën përkrah SHBA dhe vendeve të Bashkësisë Evropiane.
Me vizionin e tij, me politikën paqësore, bashkoi popullin kundër dhunës dhe terrorit serb që ushtrohej në Kosovë. Shpëtimin e Kosovës ai e shihte në Washington.
Për t’i sjellë liri Kosovës, ai udhëtoi pandërprerërë në SHBA dhe në vendet e Evropës Perëndimore në mënyrë që t’ i bindte aleatët tanë në kërkesat legjitime të shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Dr. Ibrahim Rugova ishte mik i imi personal, me të cilin kam bashkëpunuar për shumë kohë dhe kam pasur shumë takime për çështjen e Kosovës në Washington dhe në New York, gjithashtu edhe në Prishtinë, kur udhëtoja në Kosovë.
Ditëlindja dhe ditëvdekja e ish presidentit të Kosovës po na bashkon, duke kujtuar këtë vizionar të madh të historisë sonë kombëtare.
Sot me rastin e 13 vjetorit të ndarjes së tij nga jetaj, Dr. Ibrahim Rugovën e përkujtojmë si arkitektin më të madh dhe krijuesin e pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.
Janar, New York, 2019