GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU, MOISIU YNË

Arbërorët e quanin Kryezot

Papët e Romës e emërtuan “Atlet i Krishtërimit”

 

 Nga AZGAN HAKLAJ

Studiuesit e artit ushtarak e kanë vendosur Gjergj Kastriotin – Skënderbeun në Panteonin e strategëve gjenialë, përkrah Aleksandrit të Madh, Jul Qezarit, Kostandinit të Madh, Napoleon Bonapartit. Shumë kritikë e krahasojnë me Rikard Zemërluanin, me Frederiko Barbarosën. Disa studiues e krahasojnë me Babain e Evropës, Karlin e Madh.

Ndërsa unë në këtë rekuem për Të, në prag të 550 vjetorit të vdekjes së Tij, do ta emërtoj: “Moisiu Ynë”.

Aureola e lavdisë, me të cilën kryetrimi shqiptar u rrethua qysh në të gjallë të tij, na shfaq një dimension të mahnitshëm të emblemës së shndritshme të Shqipërisë dhe Evropës njëherësh: dimension i një Prijësi, Strategu, Udhërrëfyesi të pagabueshëm të popullit të vet nëpër terrin dhe shtërngatat e historisë.

Ashtu si Moisiu rreth 3.300 vjet më parë, Gjergj Kastrioti ynë në betejat e tij epike u riktheu bashkatdhetarëve të vet Tokën e Premtuar, trojet amtare mijëravjeçare të uzurpuara me zjarr e hekur, me dredhi e pabesi nga pushtuesit turqë (otomanët).

Kur u shfaq Gjergj Kastrioti në skenën e historisë për t’u bërë protagonisti absolut i epopesë, që mban me meritë emrin e tij, Arbëria ishte një vend i robëruar dhe stërgjyshërit tanë vuanin në skllavërinë e Sulltanit ashtu si izraelitët në skllavërinë e Fareonit të Egjiptit.

Burrështetasi i madh e me vizion të jashtëzakonshëm, Heroi ynë Kombëtar e njihte me refleksion historinë e mbretërive Iliro-Dardane, atë të Shtetit të Arbërit dhe të dinastive të njohura të Balshajve, Arianitëve, Muzakajve, Topiajve, Dukagjinëve, Zenebishtëve, Spanëve, Shpatajve.

Ai nuk ia lejoi vehtes dhe princërve arbërorë të binin në gabimet e tē shkuares së largët dhe të afërt historike.

Me Besëlidhjen e Lezhës iu dha shqiptarëve kohezionin e brendshëm politiko- ushtarak dhe moral, i cili iu kishte munguar duke u bërë faktor themelorë në betejat çlirimtare e në krijimin e shtetit të përqendruar Arbëresh të trojeve shqiptare, si bazament i shtetit nacional, që sot në gjuhën juridike e diplomatike emërtohet: Shteti-Komb.

Gjergj KastriotiSkënderbeu e nxori popullin e tij nga zinxhirët e skllavërisë aziatike dhe e riktheu atë në familjen e popujve të lirë të Evropës Perëndimore duke e projektuar kështu të ardhmen e tij të shkëputur njëherë e përgjithmonë e jashtë demonit të perandorive turko-bizantine.

Heraldika, Stema e Flamuri që na lá, Shqiponja Dykrenare në fushë të kuqe, e kurorëzuar me stemat mbretërore dhe yllin 6 cepësh tē Balshajve, simbol ky i Yllit të Davidit të Kombit të zgjedhur Hebre, na tregojnë qartë e pa ekuivoke simbolikën e shtetit që Heroi ynë Kombëtar krijoi në zjarrin e betejave.

Rëndësinë që Ky Burrështetas gjenial i jepte historisë së lashtë të Shqiptarëve, e bënte për t’i treguar botës se Atdheu i Tij ishte një vend që duhet të respektohej, jo nga madhësia e territorit, por nga lashtësia e tij dhe kontributi që ka dhanë në historinē e njerëzimit përmes personaliteteve të shquara shqiptare.

Kur princi Orsini i akuzonte Arbërorët si njerëz të pagdhendur, pa kulturë e histori, Gjergj KastriotiSkënderbeu shkruante: “Në mos më gënjevshin kronikat e vjetra ne jemi pasardhësit e Pirros që luftoi me romakët dhe u nda me nder, ne jemi pasardhës të fitimtarit Aleksandrit të Madh. Për çfarë më flet ti për tarentinët e tu, rracë nevrike që është e aftË vetëm për të peshkuar”.

Orientimi politik i Shtetit Arbëror dhe aleancat e fuqishme që Gjergj KastriotiSkënderbeu krijoi me Mbretërinë Hungareze, atë të Napolit, me Raguzën, Venedikun e Papatin, krijuan de fakto një aleancë Evropiane Antiturke në krye të së cilës qëndronin Arbërit, të udhëhequr nga Prijësi i tyre legjendar.

Se kush ishte dhe çfarë është akoma statura e Gjergj Kastriotit si Simbol i Lirisë së Shqipërisë, dhe njëherësh si Strateg e Burrështeti i Koalicionit Botëror, që frenoi për 25 vjet vërshimin e armatave Turke drejt Perëndimit duke i hapur rrugë Rilindjes Evropiane, e tregon popullariteti i jashtëzakonshëm me të cilën u prit botimi i parë i veprës së Barletit në Romë në vitin 1510. Brenda një dekade kjo kryevepër e historisë shqiptare u ribotua 30 herë në gjuhët kryesore të kontinentit duke i dhënë Heroit tonë Kombëtar dhe Epopesë së udhëhequr prej Tij një vend nderi e të pavdekshëm në Historinë e Kombeve.

Sot bibliografia e veprave kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut i kalon 1.200 titujt, duke e bërë kampionin tonë të lirisë një nga personazhet më të lançuara të historisë, figura e të cilit jo vetëm nuk është zvetnuar gjatë shekujve, por përkunder është kthyer në burim frymëzimi për popujt që luftojnë për liri.

Ai vjen në ditët tona me staturën e një heroi modern, siç shprehet me të drejtē njē autor i njohur italian në librin e tij të titulluar “Skënderbeu, një hero modern”.

Përtej portretit të strategut gjenial tē betejave, Heroi ynë ishte dhe një diplomat e humanist i kalibrit të lartë.

At Dhimitër Frangu, biografi e bashkëkohësi i tij, na tregon se në Shtetin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut ishte hequr dënimi me vdekje, një fakt mahnitës, të cilin Evropa e qytetëruar e ka berë vetëm para 2-3 dekadash.

Marrëdhëniet diplomatike dhe aleancat me Fuqitë e Mëdha Evropiane të kohës: Mbretëritë Polake, Hungareze, Aragonase, Papatin, Republikën e Raguzës e të Venedikut tregojnē jo vetēm vizionin e jashtëzakonshëm të Prijësit Shqiptar, por dhe faktin se Stërgjyshërit tanë Arbërorë, së bashku me hungarezët, shiheshin në Evropën Perëndimore si faktori determinues në rezistencën antiosmane, dhe si forca kryesore goditëse në planet e Vatikanit e të Papa Piut të Dytë, me rastin e organizimit të një kryqëzate pan-Evropiane anti-Turke.

Pushtimi i Kostadinopojës nga Sulltan Mehmeti i Dytë në vitin 1453 i tregoi Evropës se çfarë rreziku i kanosej nga fuqia e Mehmetit të Dytë, i cili e kishte shpallur vetvehten: “Perandor të Dy Romave”.

Sulltani turk i dërgoi me anë të ambasadorit të tij Prijësit Shqiptar, Skënderbeut, një letër me dy fraza, ku shkruhej:”Kostadinopoja ra. Sulltan Mehmeti”.

Luani Shqiptar i kthen po ashtu një përgjigje të shkurtër e krenare: “Kruja nuk do të bjerë kurrë. Gjergj Kastrioti”.

Pritja që i banë Heroit Kombëtar Shqiptar Papët e Romës, Kolegji i Kardinalëve, Paria e populli i Qytetit të përjetshëm në vizitën e tij në Vatikan, janë evenimente që nuk i janë rezervuar asnjë perandori, mbreti apo burrështetasi në shekujt e mëvonshëm.

Emërimi nga Papa Piu i Dytë si Kapiten i Përgjithshem i Selisë së Shenjtë, apo thënë ndryshe: Komandant i Ushtrisë Aleate të Evropës, na sjell në mendje se qysh në tē gjallë të tij Gjergj KastriotiSkënderbeu ishte ngjitur në Apogjeun e lavdisë së përjetshme, duke u bërë personaliteti më i fuqishëm i Epokës.

Në se Karli i Madh me të drejtë quhet “Babai i Evropës”, katër shekuj më vonë historia e vendosi Heroin tonë Kombëtar në Piedestalin e Kryembrojtësit dhe të Kampionit të Lirisë së saj.

Këtë fakt e thekson fort Albanologu me famë botërore Milan Shuflaj kur shprehet: “Produkti më Hyjnor, luftëtari më i tmerrshëm që prodhoi përplasja e Evropës me Turqit është Gjergj Kastrioti”.

Pas goditjes së tmerrshme që mori në Albulenë, më dt. 7 shtator 1457, Sulltan Mehmeti nuk guxoi të sulmonte Shqipërinë për 5 vjet. Kanë mbetur proverbiale fjalët e tij kur mori vesh për vdekjen e Kryetrimit tonë: “Luan të tillë nuk do ta lindë më dheu kurrë. Mjerë Krishtërimi që i iku shpata e mburoja”.

Personalitetet më të shquara të Evropës përgjatë shekujve janë përulur para tij dhe kanë evokuar figurën vigane të Gjergjit të Madh.

Mbreti Ferdinand e quante: “Baba”.

 Papët Nikola, Kalisti e Piu i Dytë: “Atlet i Krishtit”.

Mbretëresha Elisabeta e Parë: “Shfarosës i Turqëve”.

Volteri shprehej: “Sikur perandoret e Bizantit të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtuar”.

Perandori Napoleon Bonaparti e rradhiste Gjergjin e Madh me pesë gjeneralët më të mëdhenj të kohërave.

Simbolika e Besëlidhjes së Lezhës dhe krijimi i Shtetit Arbëror të Përqendruar i dhanë fund separatizmit e tradhëtisë, i cili jetësoi projekt-idenë gjeniale të shtetit që përfshinte të gjitha trojet shqiptare, që sot quhet:  Shteti-Komb.

Jo vetëm Heraldika e Shtetit të Tij, Flamuri e Stema me Yllin e Balshajve, por së pari gjeografia e betejave çlirimtare nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim të trojeve etnike arbnore-shqiptare na tregojnë se Prijësi i Lirisë vështronte përtej egocentrizmit e partikularizmit të krerëve të principatave dhe e kishte qëllim të jetës së tij bashkimin e trojeve etnike Arbërore nën një Shtet të Vetëm e nën një Flamur.

E nëse kjo nuk u realizua plotësisht në ato kohëra heroike e të trazuara amaneti i Gjergjit të Madh për Bashkim Kombëtar në emër të Lirisë, flamuri i tij ngadhnjimtar e Kastriotizmi- si filozofi nacionale, janë sot premisat mbi të cilat klasa politike panshqiptare duhet të funksionojë si ansambël e të konstruktojë Shtetin-Komb sipas porosisë, amanetit të Atit e Kryezotit të Arbërit, Gjergjit të Madh.

Shteti-Komb ndalon projektimin e “Jugosllavisë së Re” të maskuar me “Komunuellthin Ekonomik Ballkanik”, “Tregun e Përbashkët Ballkanik” apo “Ballkaniaden”- me një Serbi tē fortë brenda për të minimizuar Faktorin Shqiptar, me qëllim ngadalsimin e proçesit të Bashkimit të Kombit Shqiptar, tashma të pashmangshëm. Klasa politike panshqiptare duhet ta ketë të qartë se Amanetin e Bashkimit Kombëtar të Gjergjit të Madh nuk e tret as dheu.

Në këtë 550-Vjetor të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut mesazhi i thuprave është kuptimplotë edhe për faktin se ky përvjetor përkon me 100 vjetorin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, që shembi disa perandori, por fatkeqësisht Konferenca e Paqes në Paris e vitit 1919 krijoi Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. Gjysma e shqiptarëve u bá pjesë e saj nga “loja e kungulleshës” e Fuqive tē Mëdha për të kënaqur interesat utilitare të tyre dhe për të ruajtur gjoja “ekuilibrat”(!). Prandaj Amaneti i Gjergjit sot i thotë: “Jo, Jugosllavisë së Re”.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar(UAKSH) do ta kthejë “Vitin e Gjergj Kastriotit –Skënderbeut” në një vit peligrinazhi artistik. Uragani i artistëve të Kombit Shqiptar do të marshojë në të gjitha kalatë, malet, qytetet, ku ka luftuar Gjergj Kastrioti. Të gjitha aktivitetet, festivalet, koncertet tematike do të organizohen me moton: “Gjergj KastriotiSkënderbeu – Moisiu Ynë” dhe “Një Komb, Një Shtet”.

___________

Referenca:
Marlin Barleti –  “Historia e Skënderbeut”.
Dhimiter Frangu – “Veprat e lavdishme të Skënderbeut”.
Frang Bardhi – “Përse fajsohet Skënderbeu“.
Virgjil Kule – “Gjergj Kastrioti, kryqtari i fundit”
Mark Milani “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”.
Mis Edit Durham  – “Brenga e Ballkanit”.
Dr. Milan Shuflaj – “Akta Albanika”
Dr. Abaz Ermenji – “Vendi që zë Skenderbeu në Historinë e Shqipërisë”.
Akademik Kristo Frashëri – “Historia e Skënderbeut”.
Rezoluta e Kongresit Amerikan për Pavarësinë e Kosovës.