Ballina Bota SHBA dhe Rusia nuk bien dakord për paktin bërthamor INF

SHBA dhe Rusia nuk bien dakord për paktin bërthamor INF

Shtetet e Bashkuara kundërshtuan të mërkurën një ofertë ruse për të shpëtuar traktatin historik që shërben për të mos lejuar raketa bërthamore në Evropë.

Zyrtarët thanë se traktati nuk mund të verifikohet si duhet.

Kundërshtimi amerikan i hap rrugën Uashingtonit për t’u tërhequr nga pakti muajin e ardhshëm.

Pas një takimi në Gjenevë midis zyrtarëve të Rusisë dhe SHBA, nënsekretarja amerikane e shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Andrea Thompson, tha se Moska refuzon të lejojë inspektimin e duhur të një sistemi të ri raketor rus që Uashingtoni thotë se e shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).

Traktati INF, i negociuar nga ish-presidenti Ronald Reagan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov dhe i ratifikuar nga Senati amerikan, eliminoi arsenalet raketore të dy fuqive bërthamore më të mëdha në botë dhe uli aftësinë e tyre për të nisur një sulm bërthamor me një njoftim brenda një kohe të shkurtër.

Traktati ndalon raketat me bazë tokësore dhe me rreze nga 500 në 5.500 km.

“Ne nuk mundëm të arrijmë asgjë të re dje me Rusinë”, tha zonja Thompson për takimin e 15 janarit me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme ruse. “Bazuar në diskutimet e djeshme dhe retorikën korresponduese, sot nuk shohim ndonjë tregues që Rusia do të zgjedhë t’i përmbahet traktatit”, u tha zonja Thompson gazetarëve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s duan që Rusia të shkatërrojë sistemin e saj të raketave 9M729 të aftë për armë bërthamore, që Uashingtoni thotë se mund ta lejojë Rusinë të godasë Evropën me një njoftim brenda të kohe shkurtër. SHBA kërkojnë që Rusia t’i përmbahet klauzolave të traktatit INF.

Pa një marrëveshje, tërheqja e SHBA nga traktati do të fillojë më 2 shkurt. “Rusia duhet t’i përmbahet traktatit,” tha Sekretari i NATO-s

Jens Stoltenberg për agjencinë e lajmeve Reuters pas një takimi në NATO, ku zonja Thompson informoi aleatët.

Por ai tha se aleanca tani duhet të përgatitet për rënien e traktatit INF dhe se ai ka kërkuar nga autoritetet ushtarake të shqyrtojnë pasojat, edhe pse nuk pranoi të hynte në hollësi. Aleatët europianë janë të shqetësuar për vendosjen e mundshme të raketave të SHBA në Evropë, siç ndodhi në vitet 1980, kur vendet evropiane u gjendën në mes të një gare bërthamore midis Moskës dhe Uashingtonit.

“Kjo është pjesë e një modeli ku Rusia po investon në modernizimin, stërvitjen dhe testimin e armëve bërthamore,” tha zoti Stoltenberg “Mendoj se e gjithë ideja është që Rusia të përpiqet të jenë në gjendje të rivendosë një sferë të ndikimit ku të mund të frikësojë dhe kontrollojë disa nga fqinjët e saj”.

Rusia mohon se ka ndonjë strategji të tillë dhe akuzon Presidentin e SHBA, Donald Trump, për përdorimin e Moskës si pretekst për t’u larguar nga traktati INF./VOA