Ballina Aktualitet Proces mё rigoroz negocimi me vendet e Ballkanit Perëndimor

Proces mё rigoroz negocimi me vendet e Ballkanit Perëndimor

Sipas ekspertëve vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre për anëtarësim në BE do të përballen me një proces më rigoroz dhe më gjithëpërfshirës se ai nëpër të cilin kanë kaluar vendet e Evropës Lindore.

“Procesi negociatave është bërë më rigoroz dhe më gjithëpërfshirës. Por ai është strikt dhe korrekt me kushtëzime që duhet të realizohen. Afati i plotësimit të këtyre kushteve është tërësisht në duart e vendeve aplikuese”, ka thënë Sabine Zwaenepoel, eksperte për sundim të ligjit në departamentin për zgjerim në Komisionin Evropian. Ajo i bëri këto komente në një debat me ekspertë nga shoqëria civile, ku edhe shpjegoi se BE-ja ka vendosur metodologji të reja sa i përket negociimit me vendet që dëshirojnë të futen në union. Ajo duke folur në kushtet e reja ka thënë se BE-ja gjatë negociatave fokusohet në tri aspekte të rëndësishme për integrim në BE: Sundimi i ligjit, qeverisja ekonomike dhe reformat administrative. BE ka filluar negociatat për anëtarësim me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa shtetet kandidate që presin hapjen e negociatave janë Maqedonia Veriore dhe Shqipëria.

Rezultatet e proceseve gjyqёsore më të rëndësishme

Sa i përket sundimit të ligjit, Zwaenepoel tha, se tani çështja më e rëndësishme do të jetë rezultati i gjykimeve që kanë të bëjnë me korrupsion dhe sundimin e ligjit. “Ne i kemi kushtuar rёndёsi rezultateve” në vlerësimin që do t’u bëhet shteteve në procesin e negociimit.

Sabine Zwaenepoel

Duke shpjeguar këtë Zwaenepoel tha, se BE-ja ka vendosur sisteme monitorimi të gjykatave. Ajo shtoi se BE është në negociata me OSBE në që të vendosin një mekanizëm për monitorimin e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përveç kësaj BE-ja ka aplikuar edhe mekanizma të ndërprerjes së negociatave, suspendimit të tyre, apo futjes së kushteve të reja gjatë procesit negociues. Të gjitha këto do ta bëjnë procesin e anëtarësimit në BE për shtetet e reja më të komplikuar, por duke forcuar punën për sundimin e ligjit.

Sundimi i ligjit i sfiduar brenda BE-së

Ky debat bëhet ndërkohё qё BE-ja është duke u përballur vet me probleme në sundimin e ligjit nga vendet anëtare. Shkelje të rregullave të BE-së ka bërë Hungaria me ligjin e OJQ-ve sidomos me pjesën ku ndalohet financimi i tyre nga jashtë. Gjithashtu Zwaenepoel, përmendi që Gjykata Evropiane e Drejtësisë është duke u ngarkuar me raste të reja duke iu referuar situatës në Poloni ku pavarësia e sistemit gjyqësor është e kërcënuar.

Ekspertja nga BE-ja gjithashtu theksoi se në raste kur buxheti i BE së është i kërcënuar nga keqmenaxhimi do të ketë mekanizma për ndërprerjen e fondeve si për anëtaret aktuale të BE-së ashtu edhe për ata të cilët aspirojnë unionin. Në kuadër të mekanizmave nxitëse për zbatimin e reformave, Zwaenepoel përmendi liberalizimin e vizave. Në këtë çështje reagoi hulumtuesja Tena Prelec duke thënë se BE-ja duhet ta mbajë fjalën, sepse ndryshe humb kredibilitetin siç ka ndodhur me rastin e Kosovës.

Tena Prelec

Korupsioni në Balkan rregull jo përjashtim

Tena Prelec nga Universiteti London School of Economics prezantoi një raport të bërë nga një grup i hulumtuesve për Ballkanin të quajtur BiEPAG. Raporti i jep rekomandime BEsë se çka duhet bërë në mënyrë që sundimi i ligjit të përmirësohet dhe kjo të bëhet në formë të qëndrueshme në mënyrë që të mos ketё prapaktheu, kur hiqen kushtëzimet e BE-së. Në raport sa i përket korrupsionit në Ballkan thuhet se ai është “i veçantë” në formën që shoqëritë e Ballkanit janë të karakterizuara me shpërndarje të vazhdueshme të të mirave publike në baza jo universale, që pasqyron shpërndarjen e padrejtë të pushtetit në këto shoqëri. Pra që korrupsioni është më shumë rregull se sa përjashtim.

Në raport gjithashtu thuhet se BE ka bërë kushtëzime për vendet e Balkanit Perëndimor, mirëpo përkundër kësaj “ndikimi mbetet i kufizuar. Në vend që të forcohen institucionet, demokracia është në tërheqje në Balkanin Perëndimor”.

Në kuadër të masave të parashikuara në këtë raport përfshihet dhënia e”masave korrektuese në mënyrë më të shpejtë dhe më të fuqishme si dhe veprime të tjera që kanë të bëjnë me raportim më të shpejtë dhe më të shpeshtë. Aty gjithashtu rekomandohet që “prioritetet të pasohen nga nisma pozitive dhe masa sanksionuese”.