Shqiptarët në ankth; Përqindja më e lartë e të sëmurëve në rajon

Sëmundjet  e shëndetit mendor janë një sfidë që po prek të gjithë globin, madje në vendet e zhvilluara, ato janë më të përhapura. Ndër të tjera, sëmundjet e shëndetit mendor ndikojnë direkt tek produktiviteti në punë i popullatës, si dhe me shpenzime ekstra për mbështetjen sociale që i jepet kategorisë së prekur.

Ky grup sëmundjesh, përveç vështirësisë dhe kujdesit që duhet për rikuperim, shoqërohet edhe me stigmatizimin dhe diskriminim të të sëmurëve dhe kjo, për arsye të parë për moskurimin dhe trajtimin në mënyrën e duhur të tyre. Në Shqipëri, ankthi është sëmundja më e përhapur, me 3.56% të popullsisë së prekur.  Së bashku me Malin e Zi mbajnë vendin e parë për përhapjen e sëmundjes në rajon. Në vend të dytë me përqindjen më të lartë janë të sëmurët me depresio, të cilët përbëjnë rreth 2.45% të totalit të popullsisë së prekur. Të varurit nga alkooli janë rreth 1.67% e popullsisë, çrregullimet bipolare rreth 0.67%, të varurit nga droga 0.66%, të prekurit nga skizofrenia rreth 0.23% e popullsisë dhe të prekurit nga çrregullimet në të ngrenë janë rreth 0.11%. Në total, rreth 13.8% e popullsisë është e prekur nga sëmundje të shëndetit mendor.

Për sa i përket ankthit, ai është më i përhapur në vendet e zhvilluara si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6%, apo në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore, ku të prekurit me ankth përbëjnë nga 5-6% të popullatës. Në nivel global, të prekurit nga ankthi përbëjnë 3.86% të popullsisë, depresioni 3.77%, varësia nga alkooli dhe droga përbëjnë përkatësisht 1.37 dhe 0.85% të njerëzve.

Sipas të dhënave të fundit të ekspertëve të Komisionit Lancet, çrregullimet mendore janë në rritje në nivel global (rritja gjatë 25 viteve të fundit është quajtur “dramatike”) dhe do t’i kushtojë ekonomisë deri në 16 trilionë dollarë nga viti 2010 deri në 2030 në mungesë të adresimit të problemit. Sëmundjet e shëndetit mendor kanë kosto direkte mjekësore, duke përfshirë barnat dhe terapitë, si dhe kostot indirekte (produktivitetin e humbur, ditët e humbura të punës për shkak të sëmundjes, shpenzimet për mirëqenie sociale, arsim, etj).

Në nivel shoqëror, izolimi dhe vetmia që njerëzit me probleme të shëndetit mendor përballen kanë efekte dramatike, si në rastin e njerëzve që vuajnë nga sëmundje të rënda të tilla si skizofrenia dhe çrregullime bipolare. Mosha e vdekjes, për shumë pacientë të rëndë, është edhe më herët se 20 vjet.

Burimi: Monitor.al