Nga Harry BAJRAKTARI
Sot para një viti më15 janar, në Vranoc të komunës së Pejës, ndërroi jetë axha im Qerim Musli Bjajraktari. Vdekja e tij la zbrastësi të madhe në familjen tonë.
U lindi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u rrit me plot vuajtje, sepse në familjen tonë në vitin 1945 pat ekzekutime dhe burgosje nga komunistët serbë e jugosllavë. I ndjeri ishte dëshmitar i shumë ngjarjeve tragjike të asaj kohe kur familia jonë ndiqej, torturohej dhe izolohej nga regjimi komunist. “Nuk guxonte askush të vinte te ne, e as ne të shkonim diku tjetër”, më thoshte ai. Si fëmijë kishte përjetuar një skamje të madhe, të shkaktuar nga regjimi i kohës. Familja jonë qe bojkotuar dhe plaçkitur. Ai ishte dëshmitar i dhunës dhe terrorit mbi shqiptarët nga krimineli Rankoviq.
Përkundër këtyre rrethanave të egra politike dhe ekonomike, axha im, Qerimi, asnjëherë nuk e humbi shpresën se një ditë do të ketë liri edhe për shqiptarët e Kosovës.
Pas përfundimit të shkollimit, punoi tërë jetën në arsim dhe edukim. Në fillim punoi në shkollën e fshatit Zhebel të komunës së Gjakovës, e pastaj deri në fund vazdhdoi të jipte mësim në Shkollën Fillore të Baranit. Ai edukoi shumë breza që dolën nga kjo vatër e arsimit në Lug të Baranit.
Kishte karakter të fortë, natyrë të urtë, bujar dhe i dashur për të gjithë. Qerimi ishte një familjar i shkëlqyeshëm në edukimin tradicional të fëmijëve, sipas traditave tona shqiptare.
E ka dashur shumë Kosovën dhe ishte i lidhur emocioanalisht me vendlindjen e tij, Vranocin. Ka psur mundësi të vinte në Amerikë, por asnjëherë nuk u nda nga Kosova, se atë e kishtë në shpirt dhe zemër. Ai donte të kontribuonte sa më shumë në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, qëndroi në shtëpinë e tij derisa kriminelët serbë e dogjën fshatin dhe dëbuan të gjithë, ashtu siç kishin vepruar me mijëra familje të tjera shqiptare.
Unë, përveç tjerash, ruaj një kujtim shumë të thellë për axhën Qerim kur babai im, Meta vendosi të emigronte për Amerikë. Kisha 12 vjet dhe ai na shoqëroi deri në Beograd, ku udhëtonim me tren së bashku me babain, nënën dhe tri motrat. Ndarja nga axha Qerim ishte tepër e dhimbshme dhe kur u përshëndet me ne, filloi të qajë. Ai u nis me tren për Kosovë, ne për Itali.
Herën e fundit kur isha në Kosovë e pashë se sëmundja e kishte lodhur nga e cila po vuante një kohë. E kuptova se ai e kishte të vështirë të mbijetonte. Në bisedë e sipër me të, mu drejtua: Harry, sidoqë mund të vijë situata, mos mbaj idhinm me vëllazni dhe me shoqërinë tënde, edhe nëse ndonjëherë ndahesh i zemruar me ta. Po ta la amanet që t’i afrosh dhe t’i bësh që ata ta duan njëri-tjetrin. Ti po mbetesh në familjen tonë Bajraktari… Këto ishin fjalë prekëse për mua. Një ditë mbas kësaj vizite i thirra të gjithë kushërinjtë në shtëpinë time për darkë për nder të tij. Edhe pse tepër i lodhur, erdhi axha Qerim që të na bashkohej. Në këtë ndejë, kaluam një kohë në respekt të tij, duke kujtuar shumëçka në të kaluarën.
Familja jonë, Qerim Musli Bajraktarin, do të kujtojë me shumë mall e respekt, do ta kujtojë kontributin e tij që dha si arsimtar në edukimin e shumë brezave dhe do ta mbajë mend përherë për dashurinë që pati ndaj Kosovës dhe familjes.
Shpirti i tij u preht në paqe të përhershme!
New York, 2019