Parlamenti i Maqedonisë miratoi këtë të premte amendamentet për emrin e ri shtetëror të Maqedonisë.
Me 81 vota pro, Parlamenti miratoi emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Votimi në parlament u krye pasi Kryeministri Zoran Zaev arriti një marrëveshje me Lëvizjen “Besa”, mbështetja e së cilës plotësoi 80 votat e nevojshme për miratimin përfundimtar të amendamenteve kushtetuese.
Në një komunikatë të përbashkët pas arritjes së marrëveshjes mes qeverisë së Maqedonisë dhe Lëvizjes Besa thuhet se “Dëshirojmë ta njoftojmë opinionin se është arritur marrëveshje me të cilën janë tejkaluar dallimet, për të cilat informuam se ekzistojnë. Edhe njëherë konfirmojmë se nënshtetësia është maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku është pranuar amendamenti në Ligjin Kushtetues me të cilin konfirmohet nënshtetësia maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sqarohet se si do të jetë për qytetarët shqiptarë në gjuhën shqipe dhe do të vërtetohet në të gjitha ligjet ku është e nevojshme. Njëkohësisht, është pranuar amendamenti i amendamentit kushtetues XXXVI ku konfirmohet se Republika njëjtë kujdeset për diasporën e të gjithë qytetarëve të saj. Në mënyrë plotësuese në ligjin për letërnjoftim do të shënohet edhe përkatësia etnike e qytetarëve.”