“E gjithë bota” do që Mbretëria e Bashkuar të dalë me marrëveshje nga Bashkimi Evropian, tha kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
Në një konferencë për media në Londër, së bashku me kryeministren britanike, Theresa May, Abe shprehu mbështetjen e tij “të plotë” për marrëveshjen për Brexit.
Marrëveshja është negociuar nga May dhe do të votohet në Parlamentin britanik të martën.
May tha se largimi nga BE-ja, apo Brexit-i, ka ofruar “një mundësi të paparë” për vendet që t’i forcojnë marrëdhëniet.
May dhe Abe u zotuan se Britania dhe Japonia do të lidhin marrëveshje tregtare pas Brexit-it, si dhe do të rrisin investimet.
“Është dëshirë e madhe e Japonisë që ta zhvillojë më tej këtë partneritet me Mbretërinë e Bashkuar, të investojë më shumë në vendin tuaj dhe të gëzojë rritje të mëtejshme ekonomike me Mbretërinë e Bashkuar. Andaj, shpresojmë se Brexit-i pa marrëveshje do të shmanget dhe këtë, në fakt, e dëshiron gjithë bota”, tha Abe.
May e ka arritur marrëveshjen për Brexit me Bashkimin Evropian në muajin nëntor.
Marrëveshja kundërshtohet edhe nga deputetë të partisë së saj, edhe nga ata të opozitës, të cilët thonë se ajo nuk e mbron mjaftueshëm Britaninë ose ruan lidhje tepër të afërta me BE-në.
Votimi në Parlamentin britanik është anuluar muajin e kaluar nga vetë May, e cila ka pranuar se plani i saj nuk ka mbështetje.