Ballina Aktualitet Gratë në Shqipëri kujdesen më shumë për fëmijët, rekord në Europë

Gratë në Shqipëri kujdesen më shumë për fëmijët, rekord në Europë

Përkujdesja ndaj fëmijëve është një detyrë që i takon të dy prindërve që sjellin në jetë një fëmijë.

Mirë po gratë shqiptare mendojnë se kujdesen për fëmijën më shumë se bashkëshortët. Pyetjes “A kujdeseni për fëmijët më shumë, më pak apo as sa partneri juaj?” në Anketën e Cilësisë së Jetës nga Komisioni Europian, publikuar nga Monitor, 84% e grave të pyetura janë përgjigjur se kujdesen më shumë dhe vetëm 15% janë përgjigjur se kujdesen po aq sa bashkëshorti. Kjo është përqindja më e lartë e regjistruar në të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe kandidatët për t’u anëtarësuar.

Burrat e pyetur nuk e kanë pranuar këtë realitet plotësisht, se në Shqipëri gratë kujdesen më shumë ata për fëmijët.

Rreth 60% e burrave të pyetur në Shqipëri janë përgjigjur se kujdesen më pak se bashkëshortet, 18% janë shprehur se kujdesen më shumë se gratë e tyre dhe 22% kanë thënë se kujdesen po aq sa bashkëshortet.

Gratë në të gjithë Europën deklarojnë se kujdesen më shumë për fëmijët se partnerët e tyre. Rreth 70% e grave të pyetura në vendet anëtare të BE-së kanë thënë se kujdesen më shumë, 25% po aq sa partneri dhe 5% më pak se partneri. 61% e burrave të pyetur në BE e kanë pranuar se kujdesen më pak se gratë për fëmijët, 11% që kujdesen më shumë dhe 28% që kujdesen po aq.

Përqindjen më të lartë të burrave që kanë pohuar se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Çekia, me 91% të përgjigjeve. Edhe burrat në Hungari mendojnë se kujdesen më pak se gratë e tyre për sa i përket kujdesit ndaj fëmijëve, me 81% të përgjigjeve që kanë pohuar se kujdesen më pak.

Në rajon, përqindjen më të lartë të burrave që janë përgjigjur se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Maqedonia dhe Serbia me 71 dhe 66 për qind të të pyeturve.

Suedia është vendi me përqindjen më të lartë të të përgjigjeve që kujdesen po aq sa partneri i tyre për fëmijët me 47%.