Studentët me shumicë rekord të votave u shpallën “Personazhi i vitit” në Top Channel për 2018-ën.
Me gjasa studentët do të jenë sërish në rol kryesor edhe në 2019-ën, ndërsa premtojnë të kthehen në sheshe nëse qeveria nuk reflekton për kërkesat e tyre. Lëvizja studentore i dha shpresë shoqërisë se në këtë vend fryma e pastër e protestës për drejtesi e kundër varfërisë, është e gjallë dhe e fortë.
Në vend të dytë, me 20.23 për qind të votave është renditur kleriku mysliman Elvis Naçi. Imami i njohur për predikimet e tij që ndiqen shumë, veçanërisht nga të rinjtë, është aktivizuar edhe në një fushatë bamirësie.
Në vend të tretë, me 17.02 për qind të votave, shqiptaret kanë votuar për gazetarin e Top Channel, Marin Mema. Autori i “Gjurmë shqiptare” ka qenë edhe me herët i zgjedhur në votime të ngjashme dhe i vlerësuar për frymën patriotike të udhëtimeve në faktet historike të shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që ata kanë lënë gjurmë.
Pas gazetarit të Top Channel, renditet kryeministri Edi Rama me 9.69 për qind të votave. Ai ka ende shumë përkrahës, të cilët këtë vit votuan për ta zgjedhur “Personazhi i vitit”.
Në listën e 10 më të votuarve në vend të pestë është Arbër Hajdari, tepër i vlerësuar për angazhimin e tij human në mbështetje të më të varfërve.
Në vend të gjashtë është votuar këngëtarja Dua Lipa dhe pas saj kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili lë pas kengëtarin Flori Mumajesi, zbuluesin e plagjiaturave, Taulant Muka dhe ish kapitenin e kuqezinjve Lorik Cana.