Raporti i UNICEF Albania: 51% e fëmijëve në Shqipëri përdorin masivisht internetin

Numri i fëmijëve me probleme me shikimin po rritet çdo ditë, veçanërisht për sëmundje si çrregullimet e refraksionit dhe strabizmi. Në rritjen e kësaj dukurie mendohet të ketë ndikim të rëndësishëm përdorimi i tepruar i pajisjeve teknologjike. Një raport i fundit i UNICEF Albania përllogarit që 51% e fëmijëve në Shqipëri përdorin masivisht internetin. Në vendin tonë mungon një databazë me të dhëna zyrtare e konkrete lidhur me numrin e fëmijëve me probleme me shikimin, por specialistët u bien kambanave të alarmit…!

Nga Deada Hyka/Monitor

Teknologjia është bërë pjesë e rëndësishme e jetës sonë të përditshme. Ndërsa mbështetemi dhe zhytemi gjithnjë e më shumë në teknologji, shumë fëmijë njëkohësisht janë të ekspozuar ndaj pajisjeve të zgjuara, edhe nën moshën pesëvjeçare. Nga njëra anë, ekspozimi i hershëm ndaj teknologjisë mund të përgatisë fëmijët për karrierat e ardhshme në fusha të lidhura me teknologjinë, ose vende pune që kërkojnë zotërim të teknologjisë si një çelës themelor për suksesin. Nga ana tjetër, fëmijët e ‘zhytur’ në këtë teknologji po përballen me çështje shëndetësore për shkak të mungesës së aktivitetit fizik.

Një nga problemet më të mëdha shëndetësore që lidhet me pajisjet e zgjuara është shikimi. Një studim i kohëve të fundit i Institutit Kombëtar të Syve në SHBA zbuloi se frekuenca e miopisë, është rritur në mënyrë eksponenciale tek amerikanët në dekadat e fundit. Në këtë pikë, janë dy arsye: rritja e kohës së shpenzuar para ekranit të telefonave, tablet-ëve dhe mungesa e aktiviteteve në natyrë. Duke e mbajtur ekranin shumë pranë syve për një kohë të gjatë, mendohet se kjo nxit përparimin e miopisë. Megjithëse rreziqet gjenetike të miopisë nuk mund të përjashtohen, duke kufizuar tendosjen e syve, duke shmangur kohën e tepërt duke parë gjërat afër, mund të zvogëlojmë faktorët e rrezikut mjedisor.

Në Shqipëri nuk ka një studim të qartë mbi këtë çështje, por një raport i fundit i UNICEF Albania shkruan se fëmijët nga 9-17 vjeç kalojnë një kohë të gjatë online. Më shumë se gjysma e tyre kanë akses të vazhdueshëm dhe shpeshherë, të pakontrolluar në internet. Kjo, ka rritur aksesin e tyre nëpërmjet telefonave ose kompjuterëve, krahasuar me një studim të mëparshëm të vitit 2014 nga World Vision. Më herët këtë vit, Organizata Social Service Center DDAER (SSC DDAER) ka kryer një kontroll të gjerë nga shkurti e deri tani te fëmijët, nga kopshti e deri në klasën e nëntë. Në rreth 1000 kontrolle në Borizanë, Fushë-Mamurras, Picrragë, rezultoi që rreth 170 fëmijë kishin nevojë patjetër për syze.

Mjekja okuliste Stela Ceca thotë për “Monitor” se përdorimi i teknologjisë nuk është shkaktari kryesor për çrregullimin e shikimit te fëmijët, sikurse mund të jetë gjenetika, por është një faktor që nxjerr në pah një problematikë. Nga ana tjetër, znj. Ceca thekson se sot fëmijët rrinë më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe kjo në vetvete, ndikon në shfaqjen më të hershme apo përkeqësimin e miopisë.

“Vërtet që përdorimi i teknologjisë te fëmijët nuk është shkaktar për defektet e refraksionit, por qëndrimi për një kohë të gjatë përpara ekraneve, mund të shkaktojnë probleme me tharjen e syve që reflektohet me pulitje të shpeshta të syze apo fërkim të tyre”, – thotë për “Monitor”, znj. Ceca.

Një studim i fundit në SHBA zbuloi se kalimi i një kohe të gjatë para ekranit tek adoleshentët ishte i lidhur me zhvillimin e ezotropisë fillestare akute, gjendje e njohur si strabizëm dhe se përdorimi i kufizuar i këtyre pajisjeve uli shkallën e arritjes në këtë gjendje te këta pacientë. Një pjesë e pacientëve në këtë studim duhej t’i nënshtrohej një operacioni për të korrigjuar ezotropinë.
Koha e tepërt para ekranit mund të çojë në “Sindromën e Vizionit të Kompjuterit”, i cili është një kombinim i dhimbjeve të kokës, tendosjes së syve, lodhjes, vizionit të mjegullt për distancë dhe syve të thatë.

Specialistët ju japin disa këshilla se si mund t’i shmangni këto simptoma:

– Kontrolloni largësinë e ekranit. Vendosja e ekraneve 20 deri në 28 centimetra larg syve të fëmijës dhe respektimi i lartësisë së ekranit në nivelin e syve në mënyrë që fëmijët të shohin poshtë në ekran, ndërsa punojnë.
– Kufizoni argëtimin përmes pajisjeve teknologjike. Në dy orë ose më pak në ditë
– Zbatoni rregullin 20-20-20: Pas çdo 20 minuta të kohës para ekranit, bëni një pushim 20 sekondash dhe shikoni 20 metra larg.
– Kujtojuni fëmijëve të lënë pajisjet në rast se i ndjejnë sytë të thatë.

Jo vetëm sytë…

Në dekadat e fundit, teknologjia ka ndryshuar tërësisht çdo aspekt të shoqërisë sonë, nga mënyra se si punojmë tek ajo se si ne shoqërohemi dhe jetojmë. Një nga dallimet më të rëndësishme është ndryshimi në mënyrën se si luajnë fëmijët, rriten dhe zhvillohen, si dhe ndërveprimi i tyre me gjeneratat e mëparshme. Megjithëse teknologjia sjell shumë përfitime pozitive për të mësuar, ajo mund të ketë disa efekte negative në zhvillimin e fëmijëve dhe cilësinë e jetës.

Një nga dallimet më të mëdha në mënyrën se si fëmijët jetojnë sot është aktiviteti fizik i pamjaftueshëm.

Marsida Simo, sociologe, pohon për “Monitor” se një ndër pengesat më të mëdha që teknologjia po i bën fëmijëve të sotëm, është komunikimi.

“Nëse shkon në një bar dhe konsumon diçka, rreth e rrotull mund të shikojmë prindër me fëmijët e tyre ulur, me një celular në dorë. Muzika ritmike e këngëve apo lojërave të shkarkuara nga interneti, i mban vogëlushët të gozhduar në karrige dhe prindërit mund të qëndrojnë komod me filxhanin e tyre përpara. Diku tjetër, në një qendër tregtare prindërit bëjnë pazar duke tërhequr fëmijën i cili po ashtu ka një telefon në dorë dhe qëndron i fokusuar. Rrugës një mama ose baba po shtyn karrocën dhe fëmija i shtrirë është gati ta zëri gjumi me celularin afër syve të tij të brishtë.

Rrjedhimisht, lind pyetja nëse në fund të ditës këta prindër e quajnë argëtim këtë shëtitje? A përthithi fëmija objekte të reja reale, a i preku, nuhati, a u bë kureshtar i vogli rreth e rrotull botës së madhe? Në këtë mënyrë, dashje pa dashje, fëmijët po dëmtojnë shumë aspekte, duke nisur me komunikimin i cili mbetet i cunguar dhe i deformuar. Së dyti, fëmijët dëmtojnë personalitetin e tyre i cili nuk formohet në jetën reale, por me kartonët e vizatimit në internet. Së treti, orët e gjata para ekranit të celularit apo iPad, e bëjnë atë vartës dhe nervoz në momentin kur duhet të shkëputet”, – thotë znj. Simo.

Ajo shton se, në një komunikim që ka pasur me ekspertë të fushës së arsimit, ata i bënë të ditur se mësuesit e arsimit bazë, shprehin shpeshherë shqetësime se në klasën e parë është rritur vështirësia për t’i bërë fëmijët të jenë të përqendruar dhe të kenë vullnet për të realizuar një detyrë nga fillimi në fund.

“Që të gjitha këto të mos ndodhin, pasi rehabilitimi është më i vështirë se parandalimi, le të kthehemi te lojërat e prekshme dhe reale. Prindërit duhet të jenë të parët me shembullin e tyre, duke mos qëndruar me celularë në duar dhe të ndërveprojnë së bashku me fëmijët për të krijuar, për të vizatuar, për të shëtitur, për të eksploruar pa ndihmën e teknologjisë”, – bën thirrje sociologia.

Përdorimi i telefonisë apo pajisjeve të tjera vizuale rekomandohet për fëmijët më të mëdhenj se 3 vjeç; Ekzaminimi ofron zbulimin e amblyopia (fëmija ka sy me fuqi të ndara refraktive dhe / ose strabizëm), gabime të larta refraktive, dhe madje edhe anisocoria, në pacientët shpesh të paaftë për të identifikuar vetë problemin.

Pajisjet e zgjuara

Pajisjet teknologjisë së zgjuar janë bërë edhe një mjet i integruar mësimor në klasa – më shumë se gjysma e mësuesve në Shtetet e Bashkuara përdorin pajisje të zgjuara në shkollën fillore. Sipas Departamentit Amerikan të Arsimit, 97% e klasave në SHBA kanë të paktën një kompjuter. Koha e kaluar para ekranit në shkollë e shoqëruar me përdorimin e pajisjes së zgjuar në shtëpi mund të ekspozojë mesatarisht një nxënës 8-18 vjeç në media për më shumë se dhjetë orë në ditë.

Raporti, 51% e fëmijëve kanë akses online kur duan

Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF Albania, në një raport të fundit, thekson se mosha mesatare e fëmijëve në botë që kanë akses për herë të parë në internet është 9 vjeç, ndërsa 37% e të anketuarve shqiptarë pohojnë se kanë përdorur internetin nga mosha 8-vjeçare ose dhe më herët. Sipas të dhënave të publikuara, një fëmijë qëndron online 3 orë në ditë dhe ka akses sa herë që dëshiron.

Sipas raportit, çdo ditë, më shumë se 175,000 fëmijë hyjnë online për herë të parë – pra një fëmijë çdo gjysmë dite. Njëkohësisht, ka mjaft raste që tregojnë se fëmijët po hyjnë në internet në mosha gjithnjë e më të reja.

Në Shqipëri, numri i përdoruesve aktivë të internetit u rrit në 2 milionë në vitin 2017, që është 18% më e lartë krahasuar me vitin 2016. Kjo pajisje dixhitale i ekspozon fëmijët ndaj një numri të madh përfitimesh dhe mundësish, por edhe një mori rreziqesh dhe dëmesh, për përmbajtjen e dëmshme, abuzimin seksual dhe shfrytëzimin, bullizmin kibernetik dhe keqpërdorimin e informacionit privat.

UNICEF thekson se detyrimet për të mbrojtur fëmijët online duhet të diskutohen me qeveritë, familjet dhe komunitetet. Nga ana tjetër, sektori privat, sidomos industritë e teknologjisë dhe telekomunikacionit, duhet të përmbushin përgjegjësinë e tyre për të krijuar një botë më të sigurt dixhitale për fëmijët. Në një studim të 4 viteve më parë, nga World Vision mbi sigurinë e fëmijëve në internet në Shqipëri, me rreth 1000 fëmijë të moshës 13-18 vjeç, 85% e të anketuarve kanë një kompjuter në shtëpi, por 65% zakonisht hyn në internet nëpërmjet telefonit celular.

Cili është protokolli mjekësor i vizitave të syve tek fëmijët?

Vizita e parë e fëmijës bëhet në moshën 2 vjeç – 2 vjeç e gjysmë. Vizita tjetër bëhet në moshën 5 vjeç / parashkollore dhe 6 vjeç kur shkojnë në shkollë. Në moshën 2 vjeç e gjysmë bëhet për të parë dëmtime madhore ose ndonjë çrregullim të refraksionit siç është miopia, hipermetropia ose astigmatizmi hipermetropik ose miopik, që janë të lindura dhe mund të na japin dembelizëm të syrit ambliopik.

Në moshën 5-vjeçare bëhet kur fëmijët që e kanë bërë në moshën 2-vjeçare mund të kenë rezultuar normal nga ekzaminimi i moshës 2 vjeç – 2 vjeç e gjysmë por mund të fillojnë disa probleme të tjera sepse fëmijët shkojnë në parashkollorë, fillon hipermetropia ose astigmatizmi hipermetropik ose miopik dhe fëmija ka vështirësi në shikim, kruarje të syrit, ose e përpëlit syrin shpesh. Në moshën 6-vjeçare duhet bërë sepse në atë kohë mund të shfaqet hipermetropia dhe fëmija kur shkon në shkollë do të ketë vështirësi. Kontrollet e tjera bëhen në moshën 9-10 vjeç, 13-14 vjeç dhe 18 vjeç.

Flet Stela Ceca, mjeke okuliste

“Teknologjia nxjerr në pah problemet me shikimin”

 

Është parë një rritje e numrit të fëmijëve, madje edhe nën 3 vjeç, të cilët kanë probleme me shikimin. Sa e vërtetë është kjo?

Nuk mendoj se është rritur numri i fëmijëve me probleme me shikimin, por është rritur ndërgjegjësimi i prindërve për të bërë kontrollin e fëmijëve tek okulisti. Duke e kontrolluar më herët, edhe problemet kanë mundësi të konstatohen më herët dhe të trajtohen në kohë. Prandaj sot shohim më shumë fëmijë me syze.

Në gjykimin tuaj prej disa vitesh si okuliste në Shqipëri, a është rritur numri i tyre krahasuar me breza të mëparshëm?

Në Shqipëri përballem shpesh me të rinj që e kanë kuptuar që nuk shohin mirë me njërin sy, vetëm kur shkojnë të bëjnë provën e patentës. Kjo është shqetësuese, pasi nëse problemi kapet në moshë të madhe, nuk kemi mundësi të bëjmë dot më asgjë për të rikuperuar shikimin e humbur në atë sy dhe ai mbetet një sy dembel.

Po ashtu, ka shumë të rinj që e kanë kapur problemin në kohë por për shkak të paragjykimeve sociale, nuk i kanë mbajtur syzet kur kanë qenë të vegjël dhe kur janë më të përgjegjshëm, kërkojnë nga mjeku që të bëjë diçka për të rikuperuar shikimin. Këto janë raste të shpeshta në Shqipëri dhe mjeku shpeshherë, nuk mund të bëjë asgjë.

Truri i njeriut është plastik deri në moshën 6 vjeç dhe nëse nga njëri sy apo të dy, nuk arrin një imazh të qartë në tru, brenda kësaj moshe, shikimi mbetet i pazhvilluar. Prandaj është shumë e rëndësishme që defektet e refraksionit të kapen sa më herët. Ndaj nuk mund të them se është rritur numri i fëmijëve me defekte të refraksionit krahasuar me brezat e mëparshëm, por ka një rritje të rasteve të kapura më herët dhe për fat të mirë, edhe të trajtuara në kohë.

Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në dobësimin e shikimit te fëmijët? Çfarë roli luan qasja më e afërt me celularin dhe teknologjinë në përgjithësi?

Dobësimi i shikimit te fëmijët vjen nga defektet e refraksionit të pakorrigjuara në kohë. Këto defekte janë të lindura dhe nuk është shkaktar kryesor televizori apo celulari. Gjenetika luan rolin kryesor prandaj prindërit që mbajnë vetë syze apo familjarët që kanë syze, duhet patjetër ti vizitojnë fëmijët e tyre brenda moshës 3 vjeç, ose më herët, nëse konstatojnë probleme.

Por, në këto raste, përdorimi i celularit apo iPad shpesh ndihmon që prindërit të kapin një problem te fëmija e tyre më herët. Të gjithë fëmijët kanë dëshirë të shohin përralla apo të luajnë në celularë. Mosshfaqja e interesit ndaj tyre mund të lidhet me faktin që fëmija nuk sheh mirë. Po ashtu fërkimi, pulitja dhe lotimi i syve apo devijimi i syve kur përdor pajisjet teknologjike, do të thotë që fëmija mund të ketë një hipermetropi më të lartë se sa ajo që ne quajmë fiziologjike dhe është e nevojshme korrigjimi me syze për një zhvillim më të mirë të shikimit.

Çfarë këshille do t’u jepnit prindërve lidhur me aksesin e fëmijëve në teknologji?

Qëndrimi jashtë në natyrë, në dritën e diellit për të paktën 12 orë në javë e ul rrezikun e shfaqjes së miopisë ose ndihmon në mospërkeqësimin e saj. Sot fëmijët rrinë më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe kjo në vetvete, ndikon në shfaqjen më të hershme apo përkeqësimin e miopisë. Vërtet që përdorimi i teknologjisë te fëmijët nuk është shkaktar për defektet e refraksionit, por qëndrimi për një kohë të gjatë përpara tyre, mund të shkaktojnë probleme me tharjen e syve që reflektohet me pulitje të shpeshta të syze apo fërkim të tyre.