TAHIR BEZHANI
21 libra ne 18 vite, 3 libra ne vitin që sapo po mbyllet dhe nje cikel me poezi te reja si urim zemre per te gjithe lexuesit dhe miqte e shtrenjte!
BUZË LUMI
Shikoj i qetë valët e lumit verbues
Spërklat e çmendura
Valëzojnë qepallave të mbyllura
Vrapojnë pas dëshirash gurëzuar
Dëgjoj melodinë e ëmbël mashtruese
Si vaji fëmije bonjak tretur…
Një zhurmë më vjedh shikimin
Pëshpërit buzëve melodi të ç’akorduara
Një këngë lahet brenda shpirtit
Rrugëtimin e saj nuk e dita
Vetëm grykën e burimit e shikova
Eeee! Sa uji kalon nën urë,thonë
Zemra ime dru i stërvitur rrahjeve
Notojnë shpresat e buzëqeshura
Harmoninë e valëve e kanë mësuar
Kënga symbyllas këndohet
Rrugëtimeve të gjata….
NJË FOTO NË KËNDIN E DHOMËS..
Në këndin e dhomës një foto rri
Kur nata dalldiset prej erërave të forta
Lutet shejtnive për ditë të mbarë
Vetmia struket në shtëpinë e durimit
Frikësohet e pret, e pret….
Fjalët pëlcasin të zjarrta
Piskama merr malin
Ushtima mbetet brenda,
Më bëhet se e dëgjojnë shtatë mëhalla
Trembem nga vetvetja, shkoj
Shikohem në pasqyrë, i tmerruar
Sytë e gjakosur, pëlcitur kapilarja
Shtrembëruar goja,jargë buzëve lëvarë
Pilula qetësuese piva
Rëndë fjeta në ëndrra të praruara
Asnjë fjalë,asgjë askujt nuk i fola
Flladita veten me zjarrminë e zemrës…
MEDITIM,APO KUR SHPIRTI I DORËZOHET NATËS
Atë që e dërmon dita
E çlodh nata
Pikave të shiut vjeshtak
Nuk ua hedh çadrën
E dua freskinë e shiut të imët
Të ngadaltë si loti në shterojë
Trotuaret e vetmuara,disa kafe të hapura
Kujtimet ecin rrugës mendueshëm
Si dikur atyre stinëve të egra…..
Do djersë ftohen nën këmishë
Avull i sertë del prej goje
Sa shpejt lëviz gjaku damarëve
E nuk flet!….
Ecja vazhdon
Rrugëve të qytetit tim
Orë e çast botën shëtis
Dritave të neonit ua dhuroj shikimin
Si ditën me dritë
Diell
E ,eci!….
Malli më ndal para kafesë së Talipit
M’u bë se dëgjova “sharjet” e Ali Musajt
Atij rebeli të vargjeve të zjarrta,
Por jo!
Moti kishte ikur në qiellin e shtatë
Me kujtimet e lidhura bebëzave
Me dhimbjen që lahet ngushëllimeve
Sa shumë bisedohet natën në vetmi
Bota fle,poetët jo!…
Bacloku e Aliu moti kanë ikur diku
Do i takoj kafeneve të dehur në vargje
Aliun ndoshta buzë lumit Erenik
Të ngrirë në flakën e zemrës
Aty çmallet Ai…
Duke djegur shpirtin në vargje
Piramidave të Keopsit
Tani po iki
Se nata po i dorëzohet kohës
Po vjen ditë e re…..
Gjakove,4.10.2018
KAQ VONE, SHPIRT I NDEZUR…
Vargu përplaset gacave të shpirtit
Si në hellin e dëshirave sillet
Të ndezura rrinë këngët e çmendura
Mureve të shpirtit shprushin
Derën ua hapi,nuk fluturojnë
Digjen në vete,më mashtrojnë
Më soset durimi i durimit
Përtej vetës nuk di ku të shkoj
Kënga le të udhëtojë lirshëm
Përtej kufijve të shpirtit…
Ndoshta flë i qetë kur të vij terri
As në tokë as në qiell
Kam mbetur…..
Gjakovë,11 dhjetor 2018