Ballina Bota Presidenti Trump dhe Zonja e Parë vizituan trupat amerikane në Irak

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë vizituan trupat amerikane në Irak

Presidenti Donald Trump bëri një udhëtim të paparalajmëruar në Irak për të vizituar trupat amerikane të stacionuara atje. Vizita u zhvillua menjëherë pas lëvizjes kontradiktore të Trumpit për të tërhequr trupat amerikane nga Siria dhe planet për një pakësim të tyre në Afganistan dhe mes kritikave se ai nuk ka vizituar trupat jashtë vendit që kur u bë president i Shteteve të Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara përgatiti materialin.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump shkuan në Irak për të vizituar trupat një ditë pas Krishlindjes, vizita e parë e tij si president në një zonë konflikti.

“Ne erdhëm në Al-Asad për të ndarë mirënjohjen tonë të përjetshme për gjithçka që bëni për ta mbajtur Amerikën të sigurtë, të fortë dhe të lirë”, – tha presidenti.

Udhëtimi sekret ndodh në mesin e një mbylljeje të pjesshme të qeverisë në Uashington shkaktuar nga financimi për murin e propozuar nga Trumpi në kufirin jugor me Meksikën.

Javën e kaluar Trumpi njoftoi planet e debatueshme për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, pasi deklaroi fitoren mbi Shtetin Islamik.

Ai njoftohet gjithashtu se ka urdhëruar Pentagonin të tërheqë afërsisht gjysmën e 14,000 trupave amerikanë të vendosur në Afganistan, duke filluar muajin e ardhshëm.

Zyrtarët ushtarakë kanë paralajmëruar se tërheqja do ta zhyste rajonin në kaos.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe i dërguari i posaçëm i koalicionit global që lufton Shtetin Islamik, Brett McGurk, kanë dhënë dorëheqjen duke cituar mosmarrëveshjet me këtë politikë.

Duke folur para trupave në Irak, presidenti Trump mbrojti vendimin e tij për t’u tërhequr nga Siria, duke deklaruar sërish fitore kundër grupit terrorist xhihadist.

“Dy vjet më parë, kur u bëra president, ata ishin një grup shumë dominues – ishin shumë dominues. Sot ata nuk janë më të tillë. Punë e mrekullueshme.”

Vizita në Irak erdhi një ditë pasi Trump uroi për Krishtlindjet anëtarët e ushtrisë amerikane në mbarë botën nëpërmjet një videokonference nga Zyra Ovale. Pas telefonatës, Trump u kritikua nga disa media që raportuan se ai është presidenti i parë që nga viti 2002 që nuk kishte vizituar trupat amerikane gjatë Krishtlindjeve.