Tri ditë para pushimeve të fundvitit dhe pas debatesh shumë të gjata, qeveria e kancelares Merkel miratoi dy projektligje për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Ato u prezantuan të mërkurën nga tre ministra: Horst Seehofer, ministër i Punëve të Brendshme, Hubertus Heil, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Peter Altmaier, ministër i Ekonomisë, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin. Projektligji i parë rregullon imigrimin e fuqisë punëtore nga jashtë, ndërsa projektligji i dytë u mundëson si ish-azilkërkuesve të refuzuar (me Duldung) të kthehen në imigrantë ekonomikë.
Risitë e ligjit për imigrimin e të kualifikuarve
Projektligji për imigrimin e të kualifikuarve, në gjermanisht: Fachkräftezuwanderungsgesetz, synon të heqë pengesat aktuale për imigrimin e rregullt ekonomik. Ai do të sjellë këto ndryshime në krahasim me ligjin aktual:
– unifikohet termi “punëtor i kualifikuar” , ku sipas ligjit të ri, përfshihen si të diplomuarit me arsim të lartë, ashtu edhe ata pa arsim të lartë, por me kualifikim profesional;
– hiqet kontrolli i prioritetit për të kualifikuarit me kontratë pune: Deri tani viza e punës jepet vetëm kur është konfirmuar se nuk ka gjermanë ose shtetas të BE-së me të njëjtin kualifikim që mund ta bëjnë atë punë, me ligjin e ri ky verifikim bie.
– hiqet kufizimi për imigrim vetëm për profesionet që kishin mungesa të fuqisë punëtore dhe hapet tregu për çdo të kualifikuar;
– ngjashëm si me të diplomuarit me arsim të lartë, edhe të kualifikuarit e tjerë do të kenë shans të vijnë në Gjermani me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë. Parakusht për të marrë këtë vizë janë njohuri të gjuhës gjermane (minimumi niveli A2) dhe para të mjaftueshme për të siguruar jetesën gjatë periudhës së kërkimit të punës në Gjermani. *
– përmirësohet mundësia e qëndrimit në Gjermani për të bërë kualifikime ose provime për njohje të diplomës ose certifikatës së bërë në vendin e prejardhjes;
– thjeshtohet procedura e vizave, përqendrohen kompetencat te zyra e të huajve dhe përshpejtohet dhënia e vizave për fuqinë punëtore.