-Kujtesë nga Festivali Folklorik i Gjirokastrës, maj 2015, ku Ansambli “Dardania” i Tropojës shkëlqeu në mënyrë të veçantë me: “Kercimi i Kreshnikëve në Logun e Zanave”. Ideja dhe realizimi: Deli Metalia (Mjeshtër i Madh)
Azgan Haklaj (Mjeshtër i Madh)-
Mora përgjegjësinë dhe pata kënaqësinë të interpretoj në rolin e korifeut.
Kjo valle krijoi një atmosferë me shumë emocion tek artdashësit, sepse solli Eposin e Kreshnikëve (të Mujit dhe Halilit) dhe vajtimin e thekshëm të Ajkunës për Omerin me aktrim madhështor.
Ky Epos duhet të ishte prej kohësh në UNESCO përkrah Vedave Indiane, Nibelungëve Gjermanë, Dioskurve të Greqisë, Këngëve të Rolandit të Francës, Sidit të Spanjës, por është penguar politikisht nga Ministria e Kulturës.
Qarku Kukës, pjesë e të cilit ishte Ansambli “Dardania” u ndëshkua politikisht nga ministerja Kumbaro si hakmarrje primitive krahinore dhe për shkak se drejtimin e Ansamblit të Kukësit specialistët e artit dhe pushteti vendor ma besuan mua.
I gjithë publiku priste që vendin e parë ta merrnim ne. Juria vasale e Kumbareshës na skualifikoi.
Numri me i veçantë ishte kercimi, “Kercimi i Kreshnikëve në Logun e Zanave”.
Me dt. 10 qershor, ora 18, Kumbaresha me Lindita Nikollën dhe me Ilir Beqen zbarkuan në Tropojë dhe organizuan dëgjesën publike në të njëjtën orë të “Sofrës Dardane” me qëllim sabotimin e saj.
Kumbaresha, që nga viti 2013 e ka hequr nga projektet e saj Festivalin më të madh Kombëtar në mbarë hapësirën etnike.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar e realizoi me sukses Edicionin e 16-të të “Sofrës Dardane”, falë mbështetjes së Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha.
Gjatë këtyre viteve Unioni Artistik i Kombit Shqiptar ka kontribuar në propogandimin e Valles Tropojane, me të cilën jemi ballafaquar me 40 shtete dhe kemi marrë Vendin e Parë në Festivalin e Dansit Botëror në Izrael në vitin 2002. Edhe në Festivalin “Sheshi Ballkanik” në Selanik – 2002, me pjesëmarrjen e 16 shteteve, përseri jemi nderuar me Vendin e Parë.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar ka realizuar me sukses 10 edicione të Festivalit të “Këngës dhe Valles Çame” në Sarandë edhe ky i ndëshkuar politikisht nga Ministresha Kumbaro.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar ka realizuar prej gati dy dekadash spektakle madhështore, koncerte tematiko-patriotike, ku lejtmotivi ose shtylla e tyre ka qenë Kërcimi ose Vallja e Tropojës, e cila prej kohësh e ka merituar të jetë “Monument Kulture”, Trashëgimisë Kulturore të Kombit Shqiptar.
E do të veçoja këtu:
“Një Komb-një Qëndrim” në Tiranë.
“Një Komb-një Histori” në Vlorë”.
“Një Komb, një Kulturë” në Ferizaj të Kosovës, në Prishtinë, e Shkup.
“Njëqind vjet për një ditë” – në Tuz dhe Mitrovicë me rastin e 1-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Përjetësisht s’na ndan më guri” në Gjakovë, Tuz, Dibër e Madhe.
“Tinguj dhe ritme shqiptare” në Strugë dhe Dibër e Madhe”.
“Vllaznia nuk njeh kufi” – në Tiranë dhe Shkodër.
“Kënga dhe Vallja Shqipe na bashkon” – Preshevë, 2011.
Prej dy vitesh bashkëpunon me Shoqaten e Alpeve dhe “Maja e Karafilit” për realizimin me sukses të Festivalit “Kënga dhe Vallja Shqipe na bashkon” në Plavë-Guci.
Ka 10 vjet që bashkëpunon me Festivalin “Këngë Jeho” në Strugë.
Më shumë se një dekadë bashkëpunon me Komunën e Vitisë në Festivalin “Flakadani i Karadakut”.
Bashkëpunim të frytshëm ka prej disa vitesh me Kryegjyshatën Botërore në Tiranë.
Ky aktivitet i dendur dhe i shtrirë në kohë të gjatë është i pasqyruar në mediat vizive dhe të shkruara kombëtare, në youtube dhe google.
Do të duhet shumë kohë për të folur për aktivitetin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar si bashkudhëtar me “Kërcimin e Tropojës” dhe se ka meritë për propogandimin e tij.
Tani u kujtua Ministria e Kulturës, pasi dështoi në sabotimin e “Sofrës Dardane”, se ka “Valle Tropoje”.
Por populli thotë: më mirë vonë se kurrë. Urime “Kërcimit të Tropojës”. Unioni Artistik i Kombit Shqiptar uron të gjithë brezat e kërcimtarëve që kanë mbartur në dekada këtë monument të kulturës shqiptare.
Azgan HAKLAJ
President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar
Tiranë, më 17 dhjetor 2018