Presidenti francez Emmanuel Macron i është drejtuar sonte kombit pas protestave të jelek-verdhëve, ku ka paralajmëruar se masat e reja ekonomike do të duhej të ndihmonin punëtorët.
Macron ka paralajmëruar se nga vitit i ardhshëm do të rritet paga minimale, kurse të gjithë ata punëtorë që kanë pagën minimale, do ta marrin me rritje prej 100 eurove.
Këto janë disa nga masat që pritet t’i ndërmerr Macron pas fjalimit të mbajtur ku i është drejtuar qytetarëve francezë, se të gjithë ata që kanë pagë mujore prej dymijë euro do të kenë lehtësime. Ai ka kërkuar nga punëdhënësit që t’ju japin punëtorëve bonuse për fundvit.
“Shumë vende tjera kanë kaluar nëpër periudha të vështira, ne do të gjejmë daljen nga kjo krizë”, ka deklaruar Macron.
Duke komentuar protestat, Macron ka thënë se në asnjë mënyrë nuk arsyeton veprimet e dhunshme ndaj forcave të rendit dhe demolimin e objekteve, por ka shtuar se mllefi i një pjese të protestuesve “është i thellë”.
“Kam urdhëruar qeverinë që të bëjë gjithçka që është e nevojshme që qytetarët të jenë të kënaqur. Dëshiroj që vendin ta transformoj në atë për çfarë kanë votuar 18 muaj më parë. Që të arrijmë suksese, duhet të jemi të bashkuar”, ka shtuar Macron.
“Gjendemi në një moment historik, ku përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë do të arrijmë. Lufta ime e vetme është ajo për ju, për Francën! Rroftë Republika! Rroftë Franca”, ka thënë në fund presidenti francez.