Ajo ditë e ftohtë e 12 dhjetorit 1990 ishte nga ma të veçantat. Aty kah pramja, nga valët e “Zërit të Amerikës” në Uashington, një za i paharrueshëm po fliste nga kryeqyteti i Shqipërisë Londineze– nga Tirana komuniste, për idealin e madh të kohnave, ëndrren e pambyllun të brezave: “Kosova të Bashkohet me Shqipërinë”!
Askush në Shqipërinë komuniste deri në atë çast të rrallë nuk kishte marrë guxim shqiptar kaq madhor e sfidë të fortë për me fort fol zyrtarisht e botnisht për Bashkim Kombëtar.
Atë ditë ishte themeltue Partia Demokratike e Shqipërisë nga Studentët e Dhjetorit ’90 e Intelektualët e Kombit. E para parti opozitare demokratike postkomuniste, që do të sillte Pluralizmin dhe Demokracinë, një Kohë Tjetër, një Jetë Ndryshe, një të Ardhme përtej Ëndrres…
Dr. Berisha po fliste në “Zëri i Amerikës” për Bashkim Kombëtar- kauzën genetike të jetës së tij, ideali kryerend i Programit të Partisë Demokratikë të porsalindur për vepra të mëdha.
Atë ditë i lumturoheshim mrekullisë diellore të kësaj fjale kombëtare hyjnore: Kosova të Bashkohet me Shqipërinë”. Njëherash, gjithandej, tek shumëkush, ngriconte frika se mos rregjimi komunist i Tiranës do ta arrestonte Fjalësin e Lajmësin e kësaj ëndrre të pashueme, të burgosur, të përgjakur, të pamposhtun. Atë natë mijëra familje e sy i mbajtën dritat e shpirtit të ndezuna: Kosova ishte kryefjala e atij mëngjezi që po rilindte për me thye klonin e kufinit, me rrëzue piramidat, me bashkue gjakun shqiptar e tokat etnike.
Njeriu që po i diellnonte kohës shqiptare dhe botës së re euro-atlantike me thanien historike, hyjnore, aksiometrike: “Kosova të Bashkohet me Shqipërinë” ishte ky i sotmi dhe i nesërmi, kombëtari i përjetshëm, Lideri historik i Shqiptarëve, ish Presidenti e ish-kryeminsitri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Edhe pse kanë kalue 28 vite prej atëherit ende më duket sikur po e dëgjoj në valët e “Zërit të Amerikës” atë thirrjen aksiometrike të Sali Berishës, devizën e jetës së tij: “Kosova të bashkohet me Shqipërinë…!”.
Ramiz LUSHAJ
Tiranë, 10.12.2018