Mijëra veta morën pjesë në një parakalim në qendër të Beogradit për të protestuar ndaj një sulmi mbi një politikan të opozitës dhe duke kërkuar ndryshimin e politikave të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe partisë së tij në pushtet.
Me sloganin “Stop këmishave të përgjakura”, protestuesit brohoritën duke dënuar sulmin mbi Borislav Strefanoviçin, udhëheqës i partisë së vogël E Majta serbe.
Stefanoviç ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta.
Presidenti serb Vuçiç tha se sulmuesit e Stefanoviçit ishin arrestuar shumë shpejt pas incidentit, mirëpo opozita pohon se Partia Përparimtare e tij është përfshirë në sulm, një pohim i hedhur poshtë nga kjo parti.
“Lufta duhet të zhvillohet me zë të lartë duke kënduar kundër këtij regjimi të neveritshëm dhe të paqëndrueshëm”, tha Branislav Trifunoviç, një aktor dhe një udhëheqës proteste.
Veprimtarët e opozitës thonë se presidenti Vuçiç është një autokrat dhe e cilësojnë partinë e tij të korruptuar.
Mbështetja për presidentin Vuçiç ka shënuar një rënie të vogël pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por ai mbetet udhëheqësi politik më popullor dhe koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të qëndrueshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.
Protesta e së shtunës u organizua nga ish prefekti i Beogradit, Dragan Gjilas, udhëheqës i Aleancës për Serbinë, një grup heterogjen prej 30 partish, i cili e përshkroi protestën si tubim të qytetarëve kundër regjimit autoritar.
Protestat e opozitës janë të rralla në Serbi që nga trazirat popullore të vitit 2000 që rrezuan ish presidentin Slobodan Miloseviç, i cili më pas vdiq në vitin 2006 në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Aleksndër Vuçiç, një nacionalist i zjarrtë gjatë shkatërrimit të dhunshëm të ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta, më vonë përqafoi vlerat evropiane dhe vendosi anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si qëllimin strategjik të vendit. Ai gjithashtu mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.