Presidenti Trump konfirmon largimin e shefit të personelit, John Kelly

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly do të largohet nga posti deri në fund të vitit, në një valë ndryshimesh të pritshme që do të reflektojë një fokus tek zgjedhjet e vitit 2020 dhe sfidën e qeverisjes me një shumicë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një njoftim për personin që do të zëvendësojë zotin Kelly do të bëhet në ditët e ardhshme, u tha presidenti gazetarëve, ndërsa nisej për në Filadelfia për të parë një lojë futbolli amerikan mes Akademisë së Ushtrisë dhe asaj të Marinës.

Zoti Kelly e mori detyrën në qershor 2017 dhe i njihet merita e vendosjes së rregullit në një Shtëpi të Bardhë kaotike.

Por grushti i tij i hekurt bëri të pakënaqur disa aleatë të zotit Trump dhe ai u izolua gradialisht, me një rol gjithnjë e më të dobësuar.

“John Kelly do të largohet në fund të vitit. Do të njoftojmë se kush do t’ia zërë vendin, mund të jetë edhe përkohësisht. Do ta bëj njoftimin pas një ose dy ditësh, por John do të largohet në fund të vitit…E vlerësoj shumë shërbimin e tij”, tha Presidenti Trump.