Nga Avni SPAHIU
… Më 12 janar 2009, pas dy orësh udhëtimi me autobus nga Dallasi, duke kaluar peizazhe të bukura të Amerikës rurale, rançesh dhe fermash, me hapësira të gjera kullosash dhe bagëtish, bufalësh dhe demash brinjgjatë (longhorns), racë tipike teksasiane, vazhduam si në një ëndërr rrugën e Perëndimit kontinental amerikan, që i ngjante një kthimi në ekranet e kinemave të fëmijërisë të filmave idilikë dhe epikë të Amerikës kolonialiste. Kjo ishte vendlindja e familjes së Bushëve, të cilët i dhanë Amerikës dy presidentë dhe disa senatorë e guvernatorë. Të dy presidentëve që udhëhoqën Amerikën dhe të cilët, kishim pasur fatin t’i njihnim edhe ne kur dolën në mbrojtje të Kosovës, njëri pas tjetrit, në kohët më dramatike të saj.
Një ndër familjet më të mëdha, më të pasura dhe më të respektuara të Amerikës, që jetonte në Hjuston të Teksasit, por që Xhorxh Bush i Vjetër kishte hapur këtu ndërtesën e Bibliotekës së vet Presidenciale, siç bën çdo president amerikan pasi të ketë kryer misionin e vet në Shtëpinë e Bardhë. Qendra dhe Biblioteka ndodhen në kampusin e Universitetit të Teksasit A&M, pasi që një mik i Presidentit, një biznesmen i naftës, i kishte propozuar mikut të tij që ai të ndërtonte Qendrën Presidenciale në këtë vend, ndërkohë që ai do ta mbështeste financiarisht. Biblioteka gjendet në afërsi të qyteteve Brajen dhe College Station, të cilat u nderuan me praninë e bibliotekës dhe të muzeut të Bushit dhe si kthim i nderit ata emërtuan shumë rrugë, parqe e institucione me emrin e Xhorxh Bush Plakut, Presidentit të tyre me dy mandate të Shteteve të Bashkuara. Ndërtesa e Bibliotekës përmban edhe muzeun presidencial si dhe një qendër konferencash, një qendër ndërkombëtare dhe pjesën rezidenciale për Xhorxh dhe Barbara Bushin për kohën kur ata qëndrojnë në këtë Qendër. Kompleksi gjendet në një hapësirë prej 40 hektarësh dhe është hapur përfundimisht në vjeshtën e vitit 1997, me një kosto ndërtimi prej mbi 100 milionë dollarësh. Presidenti ka hapur këtu edhe një institucion akademik, Shkollën Xhorxh Bush të Shërbimit Shtetëror dhe Publik (Shkolla e Bushit), në vitin 1995, për të ofruar mundësi edukimi duke hapur perspektiva për bashkëpunim akademik. Shkolla në kuadër të ombrellës së Kolegjit të Arteve Liberale fokusohet në “edukimin e liderëve të ardhshëm, kryerjen e hulumtimeve dhe kontributit për komunitetin”.
Mbetëm të befasuar me pasurinë, jo vetëm arkitektonike të ndërtesës në formë ovale të Qendrës Bush, por edhe me aspektin përmbajtjesor të materialeve të ekspozuara në holet e gjera dhe kthinat impozante të Bibliotekës Presidenciale. Me përfundimin e Administratës së Bushit, ngarkesat e para të dokumenteve dhe artefakteve që mbulonin jetën dhe karrierën e tij politike, arritën nga Uashingtoni në Janar të vitit 1993. Fillimisht, koleksioni përfshinte 38 milionë dokumente, më shumë se një milion fotografi, video dhe regjistrime filmike dhe zanore të panumërta. Ndërkaq, tani biblioteka përmbante mbi 44 milionë dokumente dhe artefakte. Kjo ngjante në një “klasë të demokracisë” dhe “vend për të gjetur frymëzim dhe informim”, siç thoshte një nga nikoqirët, dhe ishte po aq një forum gjithëamerikan ku ishin mbajtur shumë simpoziume, konferenca dhe ngjarje me karakter ndërkombëtar. Në vitin 1994, George H. W. Bush organizoi mu këtu një simpozium për të shënuar fundin e Luftës së Ftohtë. Ndër folësit e ftuar ishin ish-presidenti sovjetik Mihal Gorbaçov, ish kryeministrja britanike Margaret Theçër dhe anëtarët e Kabinetit presidencial.
Muzeu dhe biblioteka qenë hapur për publikun në nëntor 1997 dhe për vetëm një vit mbi 300 mijë vizitorë kishin vizituar Qendrën për të parë ekspozimin e objekteve, ekspozitave digjitale interaktive dhe replikave të dhomave në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë edhe Zyrën Ovale. Që në hyrje të Muzeut të Bushit hasëm në një avion të ekspozuar bombardues nga Lufta e Dytë Botërore, atë që kishte mbetur po nga ai avion në të cilin ishte plagosur Bushi, si pilot, gjatë shërbimit në Paqësor, në luftë me Japoninë, ku ai kishte shpëtuar dhe kishte marrë dekoratën e trimërisë për vendin e tij. Por kishte edhe një pjesë që ruante parashutat dhe uniformat e Bushit, si parashutist. Herën e fundit që ai kërceu me parashutë nga një aeroplan ishte me rastin e nëntëdhjetë-vjetorit të lindjes, një ngjarje që u shënua në tërë Amerikën. Aty kishte një arkivim të tërë historisë, jo vetëm të këtij njeriu të madh të Amerikës, por edhe të tërë vendit të tij që nga Lufta e Dytë Botërore deri më sot: artikuj të ndryshëm, fotografi familjare të disa brezave të Bushëve, korrespondenca e tij e luftës dhe nga jeta e tij në Universitetin Jeil. Historia personale e Bushit, prindërit e tij, fëmijëria, nga Lufta e Dytë Botërore, martesa me Barbaren, kafshët familjare, kalimi i tij në Teksas, familja e tij e shtuar, koha në Kinë si ndërlidhës amerikan, karriera e tij politike, hobi – të gjitha të grumbulluara në një vend. Përkushtimi i familjes Bush për shërbimin publik ishte i dukshëm në të gjithë muzeun, ndërkohë që ekspozita fokusohej edhe në detyrat e Barbara Bushit si Zonja e Parë, veçanërisht në punën e saj të vazhdueshme për nxitjen dhe avancimin e arsimimit.
I vendosur në mes të kompleksit është një monument 12 metra i gjatë dhe 18 metra i gjerë që ekspozon katër kuaj që kërcejnë mbi rrënojat e Murit të Berlinit, me titull “Dita kur ra Muri”. Ndërkaq, pas bibliotekës së Bushit është një pellg me peshq dhe Kopshti i Trëndafilave Barbara Bush. Vizitorët lejohen të peshkojnë në pellg, por vetëm nëse peshqit e zënë i kthejnë prapë në lumë. Vetë Xhorxh Bushi ka qenë peshkatar i pasionuar dhe tani vazhdonte akoma të peshkojë.
Në vizitën tonë ambasadoriale na priti ish-Presidenti Bush Plaku dhe bashkëshortja e tij Barbara, gruaja e jashtëzakonshme, më e mençur dhe me më ndikim në një kohë në Amerikë, mbështetja dhe shoqëruesja e përhershme në jetë e Presidentit, që qëndronte prapa çdo suksesi të burrit të saj. Ndër miq të ftuar, ishin edhe kongresmenë dhe senatorë, aktorë të Holivudit, si dhe i biri i Bushit, ish-guvernator i Teksasit, që shoqëronte prindërit e tij. Kulmi i itinerarit tonë në Qendrën Bush ishte takimi me ish-Presidentin, në hyrjen e Qendrës dhe më vonë në drekën e përbashkët që Bush shtroi për ambasadorët. Takimi me ish-presidentin Xhorxh Bush Plakun, dhe Barbara Bush, ishte i veçantë. Kur i zgjata dorën duke u prezentuar si Ambasador i ri i Kosovës në Uashington, ish-presidentit Bush, u ndal për një çast, para se të shprehte kënaqësinë e tij që Kosova tani ka përfaqësuesin e vet në Uashington. Përreth një tavoline, ku ishin edhe ambasadorë të tjerë – dhe fati e deshi që në anën time të djathtë të kisha zonjën Barbara Bush dhe më tej Presidentin – ne patëm rastin të bisedonim edhe për gjëra të ditës dhe jopolitike. Zonja Barbara Bush u interesua të dinte për Kosovën, duke rikujtuar të kaluarën e vështirë të saj. Si zakonisht në biseda me liderë të parë amerikanë, thashë se çdo gjë është mirë tani në saje të SHBA-ve dhe të kontributit e madh, si të ish-presidentit Bush, të Vjetrit, ashtu dhe Xhorxh Bushit të Riut, që nuk mungoi asnjëherë deri në shpalljen e pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri të Kosovës…
Nuk kisha parë ndonjë qift që tregonte më shumë respekt për njëri-tjetrin sesa Barbara dhe Xhorxh Bush. Kjo përthyhej edhe gjatë drekës, kur që të dy i drejtoheshin njëri-tjetrit me epitetet dhe komplimentet më të respektueshme të mundshme. “Nuk mund të rri një minutë pa të”, tha Bushi për gruan e tij, duke buzëqeshur dhe me zë, që zonja Bush ta dëgjonte. Diku nga mesi i drekës, Presidenti Bush më pyeti nëse kisha hobi peshkimin, siç e kishte ai. Jo, i thashë, duke shtuar se kisha dëgjuar se ai ishte peshkatar i pasionuar. Ai më tregoi një foto që rrinte varur në murin e dhomës ku ai kishte dalë duke mbajtur një peshk të madh në duar. Këtë e zura vitin e kaluar, më tha. Modestia dhe thjeshtësia e komunikimit tek ai dëshmonte edhe madhështinë e tij: një njeri që kishte drejtuar vendin më të fuqishëm në botë dhe madje me ndikim global në tërë botën dhe që tani fliste për hobit e kësaj bote të kalueshme me thjeshtësinë e një njeriu të tokës! Nuk do ta harronim kurrë vizitën dhe takimin në Shtëpinë e Bushëve… /Gazeta Illyria, Amerikë/