Nga: Vjosa Çerkini
Kosova sërish mbetet e privuar nga udhëtimi pa viza, konfirmuan zyrtarë të BE-së dhe institucionet e Kosovës. Të rinjtë kosovarë megjithatë nuk i humbasin shpresat dhe përpiqen ta sjellin Evropën në vendin e tyre.
„E kam ëndërr të vizitoj një shtet të Bashkimit Evropian. Po a do ta kem shansin sa jam e re?” thotë e menduar Rina Kryeziu. 19 vjeçarja nga Prishtina, është njëra prej shumë të rinjve në Kosovë, që nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë në Evropë, por që ëndërrojnë të shohin nga afër Parisin, Berlinin, apo Romën.
Evropa e afërt dhe e dashur, por e paarritshme
Pengesat për këto udhëtime për qytetarët kosovarë janë të disafishta: kostoja e lartë e marrjes së vizave, procedurat e ndërlikuara dhe shpesh skeptike ndaj të rinjve kosovarë. Më tej udhëtimet drejt Evropës janë mjaft të shtrenjta për standardin e tyre të jetesës. Një kosovar, i cili punon në Kosovë fiton afro 300 euro në muaj, kurse vetëm një biletë aeroplani për në shtetet e BE-së kushton po aq.
„Evropa më së shumti më tërheq me historinë, kulturën, arkitekturën dhe bukuritë natyrore. Por dhe me organizmin jetësor dhe politik që ka. Në sytë e mi Evropa nuk është perfekte, megjithatë në krahasim me vendin tim, e shoh shumë herë më të zhvilluar. Për Kosovën si shtet, Evropa paraqitet aktualisht e paarritshme. E kjo mund të jetë një arsye se pse shumë të rinj nisen individualisht drejt saj, duke kërkuar një jetë më të mirë”, thotë Kryeziu.
Të rinjtë në Evropë vërtet punojnë shumë, por atyre edhe u ofrohen mundësi më shumë ku ata mund të angazhohen dhe të zhvillohen. Ky është një dallim i madh nga shumë të rinj të Kosovës, që shpesh një pjesë të madhe të kohës e çojnë kot dhe pa ndonjë aktivitet.
Kryeziu kujton se shtetet e Ballkanit Perëndimor ofrojnë pak mundësi për të rinjtë kosovarë për të kryer ndonjë praktikë profesionale ose për të marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Evropë. „Që në momentin e informimit më të detajuar për aplikimet e kosovarëve, kushti që i ndalon dhe i irriton evropianët, është se ata nuk janë qytetarë të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”.
Europa mbyll dyert, por rinia synon ta sjellë atë në Kosovë
Hapja e portës së Evropës po vonon për rininë kosovare, por ajo nuk i ka humbur shpresat dhe ka ndërmarrë nisma për ta sjellë Europën sa më pranë në Kosovë. Argjir Dubova, 25 vjeçar nga Prishtina, së bashku me Gentiana Krasniqin dhe shokët dhe shoqet e tyre, kanë nisur të organizojnë në Kosovë evente të ndryshme, me synim promovimin e mendimeve dhe vlerave evropiane në mbarë Evropën: në kuadër të iniciativës qytetare evropiane „Pulse of Europe”. Dëshira e tyre është që të promovojnë vlerat dhe mendimet evropiane në Kosovë, por edhe për të treguar pulsin evropian të shqiptarëve në Evropë.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tjerë, që nuk kanë pasur mundësinë për të udhëtuar në Evropë, Argjirin e ka bërë pikërisht eksperienca dhe praktika në Komisionin Evropian në Luksemburg një vit më parë, që të inkurajojë të rinjtë e tjerë që të marrin pjesë në eventet për Bashkimin Evropian dhe të marshojnë së bashku për vlerat dhe diversitetin e shteteve të Evropës.
“Potential – EU Countries” në vend të “Non-EU Countries”
„Për ne vlerat themelore që çdo evropian duhet të transmetojë janë respekti për dinjitetin njerëzor, liria dhe barazia. Këto janë edhe vlerat në të cilat Bashkimi Evropian është themeluar, pastaj mendimet ndryshe duhen respektuar, duke mos i harruar vlerat themelore. Prandaj, Kosova dhe çdo shtet tjetër evropian duhet të punojë në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.”, thotë Dubova.
Në sytë e tij Evropa shfaqet„ si një vend i paqes dhe stabilitetit, i cili bëhet edhe më i veçantë nga larmia e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme e shumë të bukura.”
Ndonëse nuk ekziston ndonjë matës që të vlerësojë se sa e duan shqiptarët Evropën, historia flet për orientimin evropian të shqiptarëve. Kosova sot ka popullsinë me moshën më të re në Evropë me mesatarisht 26 vjeçare dhe gjithashtu është një nga shtetet më pro Brashkimit Evropian. Kategorizimi për kosovarët në “non-EU countries”, pra vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, i pengon shumë këta të rinj. Edhe pse shteti i tyre nuk është pjesë e BE-së, ata nuk e ndjejnë veten të ndryshëm nga qytetarët e Bashkimit Evropian.
Këshilla e Dubovës, për BE-në është se përcaktimi “Non-EU Countries” ndoshta është më mirë të zëvendësohet me “Potential – EU Countries” apo “Future EU countries”. Siç ka thënë edhe Robert Schuman, në deklaratën e tij të 9 Majit të vitit 1950 “Europe ëill not be made at once”, “Pra të gjithë jemi evropianë dhe të gjithë duhet të ndihmojmë në integrimin e të gjithë evropianëve në Evropë.”