Nga Sulejman GJANA – Belgjikë
Do të ishte mirë që, sot, Partia Demokratike ta festonte 8 Dhjetorin në bashkinë e saj (drejtuar prej saj) në Mallakastër, bash në rrugën “Mehmet Shehu”, dhe t’i linte Bulevardin dhe sheshet e Tiranës plotësisht të lirë për studentët dhe Dhjetoristët e rinj.
Përse në Mallakastër?
Sepse para disa javësh (më 19 tetor) Këshilli Bashkiak Mallakastër mori në shqyrtim projekt-vendimin e paraqitur nga një grup përfaqësuesish ish të përndjekur politikë, për shfuqizimin e vendimit nr 27, pika 3, i dt. 29/05/2002, sipas të cilit një rrugë kryesore e Mallakastres u emërtua rruga “Mehmet Shehu”.
Edhe pse PD do ta kishte kaluar lehtësisht këtë projekt-vendim dhe pastruar atë rrugë nga emri i kriminelit Mehmet Shehu, kjo gjë nuk ndodhi pasi atë ditë disa prej këshilltarëve PD-istë dhe të “koalicionit” të saj munguan në mbledhje, votuan kundër shfuqizimit, apo abstenuan.
Kësisoj në Mallakastër, PD bëri të mundur që emri atij terroristi të mbrohet dhe bashkë me emrin edhe e gjithë trashëgimia e krimit, luftës civile dhe asaj të klasave, diktaturës, regjimit gjakatar si dhe simbolet e tyre.
Në kushte të tilla, 8 Dhjetori, si datë simbol që shënon lirinë dhe demokracinë, si dhe rënien e diktaturës komuniste, përveç përkujtimit duhet të jetë edhe një moment reflektimi, pendimi dhe angazhimi konkret për veprim ndryshe!
Vlen të theksojmë se:
1- Projekt-vendimi në fjalë nuk u miratua përderisa në mbledhjen e dt. 19/10/2018 morën pjesë 15 anëtarë (munguan dy këshilltarë të PS, por edhe një këshilltar i PD, sikurse edhe ata të Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Partisë Bashkimi Demokrat dhe një këshilltar i LSI), ndërsa në seancën e votimit të këtij Projekt-vendimi, 4 këshilltarë tjerë u larguan, dhe ndër 11 këshilltarët e pranishëm në votim, vetëm 5 votuan pro heqjes së emrit rruga “Mehmet Shehu”, 2 votuan kundër ndërsa 4 abstenuan.
2- Sipas rezultateve zyrtarë të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, koalicioni APPD (pra, ai rreth Partisë Demokratike) kishte fituar 7 mandate në Këshillin Bashkiak Mallakastër, ndërsa koalicioni ASE (pra, ai rreth Partisë Socialiste) kishte fituar 14 syresh. Mirëpo, qysh prej vitit 2015, tre parti që ishin fillimisht në koalicion me PS kanë kaluar në kampin e PD (përkatësisht LSI, PDIU dhe PDK) dhe 5 këshilltarët e këtyre partive duhet të jenë rreshtuar me koalicionin APPD duke bërë të mundur që në Mallakastër maxhoranca rreth PD të gëzojë 12 mandate ndërsa opozita rreth PS të mbetet në minorancë me 9 mandate këshilltarësh.