Emisioni “Të Paekspozuarit” i është drejtuar Departamentit të Shtetit të Delaware për të verifikuar të dhënat mbi kompaninë Dunwell Haberman. Përgjigja zyrtare e dhënë nga drejtori i Marrëdhënieve me Komunitetin Doug Denison ka zbuluar se dokumenti i paraqitur pranë institucioneve shqiptare është i falsifikuar. “Dokumentat që ju na keni dërguar nuk janë autentike dhe nuk e kanë origjinën nga zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaware. Vërtetimet për gjendjen e kompanive të cilat Departamenti i Korporatave lëshon, nuk kanë përmbajtje të njëjtë me dokumentat të cilat na keni dërguar. Gjithashtu, dokumentat që ju na keni paraqitur, theksojnë se Dunwell Haberman LLC, është krijuar në 25 Qershor 1998. Të dhënat e Departamentit të Korporatave, tregojnë se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018, sipas të dhënave publike, bashkëngjitur kësaj letre. Datat dhe numrat e verifikimit, gjithashtu janë ndryshuar në disa vende në dokumentat që ju keni dërguar”, shkruhet në përgjigjen që Departamenti i Shtetit të Delaware, i ka dhënë emisionit “Të Paekspozuarit”
Drejtuesi i emisionit, Ylli Rakipi tregoi se i ka dërguar Departamentit të Shtetit të Delaware, dhe aktin e themelimit të kompanisë, dorëzuar në QKB-në shqiptare, ku sërish pretendohet se data e themelimit të kompanisë është 25 Qershor 1998. “Përgjigja e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të Delaware, qe e njëjtë. Edhe ky dokument ishte falsifikuar”, u shpreh zoti Rakipi, duke publikuar dhe çertifikatën origjinale të themelimit të Dunwell Haberman, “ku duket qartë se data e themelimit është pikërisht 25 Qershor 2018”. Për më tepër, kompania rezulton të ketë dorëzuar pranë QKB-ës dhe bilance e pasqyra financiare fallso, të viteve 2015, 2016 dhe 2017, ndërkohë që është themeluar në Qershor të vitit 2018.
Në garën për Lotin I të projektit të Unazës së Re, dega shqiptare e kompanisë amerikane, DH Albania, së bashku me kompaninë shqiptare Biba X u shpallën fitues ndërsa konkurrenti i tyre, kompania Vëllezërit Hysa, vetëm sa ishte rregjistruar në garë dhe nuk kishte paraqitur asnjë dokument. DH Albania dhe Biba X (kjo e fundit rezulton të ketë vetëm 7 përqind në këtë konsorcium) fituan me një ofertë që përfaqëson gati 45 përqind të të gjithë investimit, ose pak më shumë se 18 milion euro (pa TVSH).
Partia Demokratike e cila ka hedhur akuza se e gjithë gara është korruptive, një muaj më parë publikoi dokumenta se kompania BIBA X ka qenë nën sekuestro për çështje borxhesh në momentin që ka marrë pjesë në garë, ndërsa për partnerin amerikan se është kompani offshore, me pronarë të panjohur.
Në kundërpërgjigjen e tij Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) theksonte se “bazuar në veprimtarinë ekonomike të saj në vendin e origjinës, duke mbajtur kategoritë maksimale (kategoria G) për 30 nga 32 kategori punimesh të ndertimit, Dunwell Haberman ofron një gamë gjithëpërfshirëse të shërbimeve inxhinierike dhe teknike në botë dhe ka një staf prej mbi 3500 punonjës”. Ndërsa për kompaninë BIBA X shpjegonte se “plotëson kriteret e dhëna konform dokumentave te tenderit dhe është në perputhje të plote me rregullat e prokurimit publik. Ky operator në asnjë rast dhe në asnjë moment referuar ekstraktit të QKB-së nuk ka qenë në proces falimentimi dhe statusi rezulton aktiv”, u shpreh ARRSH-ja.
Projekti për realizimin e Unazës së Re është shoqëruar me kundërshtimin e fortë të banorëve banesat apo bizneset e të cilëve do të duhet të prishen. Një pjesë e mirë e tyre rezulton të jenë ndërtime pa leje për të cilat, autoritetet kanë premtuar banesa sociale apo një bonus qeraje për tri vite. Ndërsa për ndërtimet që kanë një lejë të rregullt do të bëhet kompensimi sipas ligjeve në fuqi. Por shumë nga banorët nuk e pranojnë këtë zgjidhje. Për gati 5 javë, ata protestojnë duke bllokuar çdo pasdite kalimin në aksin ekzistues, ndërkohë që prishja e ndërtimeve të para ka nisur prej disa ditësh.