Shuhet albanologu francez Christian Gut, kishte në duar “Zylon” e Agollit

Pak ditë më parë, miku i shqipes dhe shqiptarëve, albanologu dhe përkthyesi Christian Gut ndërroi jetë. Në ditët e fundit të kësaj jete, prof. Gut ishte duke rishikuar përkthimin e kapitujve të munguar të romanit përkthyer shkëlqyeshëm nga ai në frëngjisht, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli, Elona, ka njoftuar për shuarjen e profesor Christian Gut. Përmes profilit të saj në “Facebook”, ajo thotë se lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të mikut të babait të saj ia dha prof. Remzi Pernaska.

“Kujtoj ditën kur me rastin e 85-vjetorit të babit ribotuam ndër të tjera edhe ‘Zylon’. I lumturuar që më në fund mbante në duar një botim serioz, me kopertinë lëkure, ndër miqtë e shumtë që përmendëm për t’ia dërguar librin, ishte edhe prof. Gut. ‘T’i shkruash edhe një letër, e t’i thuash: Do ndeshemi shoku Gut, pasi këtë shprehje e pëlqente shumë Guti’, më thoshte babi atë paradite kur mërmërisnim planet tona. Tanimë të dy janë larguar, kanë lënë gjurmën e dhimbjes, por edhe të veprës së tyre fisnike e të pashembullt”, shkruan Elona Agolli.

Kristian GYT (Christian GUT, 1931-2018). Albanolog francez, arkivist, historian, anëtar i jashtëm i ASHAK-ut. I lindur në Paris, ai kreu studimet e larta dhe u diplomua si arkivist paleograf (Paris, 1955) e më pas u diplomua dhe për gjuhën shqipe në Shkollën Kombëtare të Gjuhëve të gjalla Orientale (Paris, 1966). Krahas detyrave të tjera, ka qenë përgjegjës i mësimdhënies së gjuhës dhe qytetërimit shqiptar në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore në Paris (1971-1995), drejtor i Departamentit të Evropës Qendrore e Lindore po aty (1971-1980), përgjegjës i seminarit të historisë dhe filologjisë shqiptare në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Sorbonë – Paris, 1972-2002), ekspert i UNESCO-s (1972-1984). Ka botuar studimin “Pashko Vasa, jeta dhe vepra”, Prishtinë 2007. Është marrë me kërkime për gjuhën e letërsinë shqipe dhe për historinë e Shqipërisë.

Në fushën e gjuhës ka studiuar kontaktet ndërmjet shqipes e maqedonishtes dhe çështje të sistemit emëror e foljor, është bashkautor i metodës “Parlons albanais” (Paris, 1999). Ka botuar disa artikuj përgjithësues për letërsinë dhe folklorin shqiptar në fjalorë të ndryshëm enciklopedikë. Në fushën e historisë ka hulumtuar burime në gjuhën shqipe për historinë e Shqipërisë, inventarin e konsujve të Francës në Durrës, organizimin administrativ, juridik dhe ushtarak të Shqipërisë në v. 1912-1914, veprimtarinë e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (shih) etj.

Pjesa më e madhe e botimeve të tij shkencore i kushtohet albanologjisë. Ka përkthyer frëngjisht disa nga veprat më të njohura të letërsisë së sotme shqiptare, si: I. Kadare, “La ville du Sud” (Paris, 1985); D. Agolli, “Grandeur et decadence du camarade Zylo” (Paris, 1990); R. Qosja, “La mort me vient de ces yeuxla” (Paris, 1994), dhe po ai, “La question albanaise” (Paris 1995); “Le Kanun de Lekë Dukagjini” (Pejë, 2001). Ka marrë titullin “Doctor honoris causa” i Universitetit të Tiranës dhe dekoratën “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit”.

Me ndarjen nga jeta të prof. Christian Gut, albanologjia humbi një nga studiuesit e rëndësishëm të gjuhës, letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.