Kosnett: Është e natyrshme që Kosova ketë aftësi vetëmbrojtëse

 
Ambasdori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të enjten se shndërrimi i i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran e i pavarur të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Ai i bëri këto komente në një intersvitë për Radiotelevizionin e Kosovës në ditën kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ritheksoi paralajëmrimin kundër planeve të autoriteteve në Prishtinë për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të saj.

Ambasadori Kosnett tha se “Uashingtoni vazhdimisht e ka mbështetur zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë para; kemi kaluar shumë kohë në trajnime; kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Po ashtu, udhëheqësit e Kosovës kanë folur se si Forcat e Armatosura të Kosovës do të mund të merrnin pjesë në operacione paqembajtëse jashtë vendit; se Kosova ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, ajo mund edhe t’i kontribuojë asaj. Kjo e tëra është e mirëseardhur”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha më herët të enjten se projektligjet për ushtrinë do të hidhen për miratim në parlament më 14 dhjetor dhe ky është vendim sovran në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Beogradi ka reaguar me zemërim ndaj këtyre planeve, madje kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha të mërkurën se “përdorimi i ushtrisë” është një nga mundësitë nëse Kosova vazhdon me planet për formimin e ushtrisë së saj, që sipas Beogradit mund të drejtohet kundër pakicës serbe.

Ambasadori Kosnett tha se e di për shqetësimet se kjo mund të ketë ndikime negative për sigurinë, por, “do të dëshiroja të them se ky është proces që do të marrë shumë vite, që Kosova ka çdo arsye, ka të drejtë të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Pika më e rëndësishme që dua ta theksoj është: nëse ka njerëz që përnjëmend besojnë se Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Forcat e Armatosura – me çfarëdo etikete – përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale, atëherë mendoj se ky është edhe një tregues tjetër për rëndësinë e dialogut. Mendoj se është me rëndësi për njerëzit në të dy vendet që ta kuptojnë pikëpamjen e palës tjetër sepse kur nuk komunikoni, e dini, çdo lloj i frikës del në sipërfaqe dhe njerëzit gjithmonë u frikësohen gjërave që nuk i kuptojnë”.

Ai theksoi se është me rëndësi që procesi të jetë i gjatë i qëndrueshëm dhe që përderisa Forcat e Armatosura të themelohen – që siç thamë, është proces i gjatë – që të jetë forcë shumetnike. Është me rëndësi që pjesëtarët e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera të marrin pjesë me të madhe në Forcat e Armatosura siç kanë bërë në FSK dhe në polici, sepse kjo është përvojë që e kemi parë në vendin tonë: është me rëndësi që pjesëtarët e komuniteteve të mendojnë, të shohin, se njerëzit në uniformë i përfaqësojnë ata e jo që janë vetëm forcë e jashtme”.

Më 18 tetor, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjet për zgjerimin e përgjegjësive të Forcës së Sigurisë, duke shmangur ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës, ndryshime që u pamundësuan për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe deputetëve serbë.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u tensionuan kohët e fundit pasi që qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj fushatës së saj kundër shtetësisë së Kosovës.