Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë, se taksa për mallrat e Serbisë hiqet kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë Vuçiq thotë, se nuk dialogon me Prishtinën, pa e hequr taksën ndaj produkteve serbe.
Komisionari i BE-së për zgjerimin Johanes Hahn, u përcolli udhëheqësve politik kosovar mesazhin që Bashkimi Evropian synon që rajoni i Ballkanit të jetë një treg pa tarifa doganore dhe në këtë mënyrë të përgatitet si rajon që një ditë të jetë pjesë e BE-së. Ai tha se në emër të BE-së u ka ofruar Prishtinës dhe Beogradit gatishmërinë e BE-së që ta lehtësojë një dialog për të gjitha çështjet përfshirë edhe atë rreth mospajtimeve për taksën doganore të vendosur nga qeveria e Kosovës për importet e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Komisionari i BE-së, Johanes Hahn, erdhi në Prishtinë pas tensionimit të raporteve Kosovë-Serbi, për shkak që qeveria e Kosovës vendosi taksa për mallrat serbe, pas një fushate të Serbisë kundër Kosovës. Johanes Hahn takoi në Prishtinë (03.12) udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, pas vizitës që bëri në Beograd, ku takoi Presidentin Serbisë.
Komisioneri Hahn, në një konferencë për medie tha se BE-ja është duke punuar për integrimin e rajonit të Ballkanit dhe për këtë arsye tha ai “BE, synon një treg rajonal pa tarifa doganore”.
“Në të gjithë kemi qenë të zhgënjyer në BE kur Kosova vuri taksa për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Kjo është diçka, që nuk duhet të jetë në fuqi. Ne në BE po ashtu jemi në dijeni për vështirësitë aktuale që ka Kosova për tregti të lirë në rajon. Ne duhet të përpiqemi së bashku që t’i zgjidhim këto probleme dhe këtë mund ta bëjmë në një forum të përbashkët. Këtë ide e dhashë në Prishtinë dhe në Beograd dhe shpresoj që kjo të organizohet shpejtë”, tha Johanes Hahn.
Komisioneri Hahn, në Prishtinë foli edhe për dëshpërimin e qytetarëve të Kosovës për mos-liberalizimin e vizave, duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, por është këshilli i BE-së ai që e jep vendimin përfundimtar dhe kjo sipas tij merr kohë.
“E kuptoj padurimin e qytetarëve sa i përket liberalizimit të vizave dhe nganjëherë për shumë çështje edhe unë jam i paduruar. Por, një gjë duhet ta dini, një pjesë e vendimmarrjes në BE ka procedura dhe nëse i shihni thinjat e mia në kokë, janë pikërisht për shkak të proceduravve të shumta në BE. Ukrainës dhe Gjeorgjisë i është dashur një vit e gjysmë, derisa Komisioni Evropian të kryej të gjitha procedurat. Pra, procedurat kërkojnë kohë derisa të merret pëlqimi i vendeve anëtare të BE-së”, tha Johanes Hahn, i cili tha se viti 2020 është një kohë shumë realiste për liberalizimin e vizave, por sipas tij kjo mund të ndodhë edhe më shpejtë.
Por këto qëndrime të komisionerit Johanes Hahn, nuk i pëlqyen fare kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai vazhdon të jetë i vendosur që taksa për mallrat serbe do të jetë në fuqi, ndërsa mosliberalizimin e vizave e cilëson padrejtësi nga BE-ja.
“Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të diskriminuar për sa i përket lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian. Gjatë takimit me Komisionarin Johannes Hahn, argumentuam përmbushjen e të gjitha kritereve të vëna nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Po ashtu, zyrtarit të lartë të BE-së iu prezantuan të gjitha faktet relevante që dëshmojnë se Serbia dhe Bosnje e Hercegovinën në vazhdimësi kanë vepruar kundër frymës së bashkëpunimit rajonal, duke mos përmbushur asnjë nga marrëveshjet e arritura me Kosovën. Tarifat prej 100% për mallrat e këtyre dy shteteve janë në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe sigurisë nacionale të vendit dhe në përputhje me CEFTA-n. Kosova nuk do të ndalet në ecjen përpara drejt integrimeve euroatlantike, me gjithë padrejtësitë e shumta dhe nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga vendimet e saj sovrane, përfshi taksën, deri në njohjen nga Serbia”, shkroi në profilin e tij social kryeministri Ramush Haradinaj.
Para se të vijë në Kosovë, komisionari Johanes Hahn, ishte në Beograd, ku takoi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Takimi ishte me dyer të mbyllura, ndërsa, një komunikatë për medie nga zyra e Vuçiq, thuhet se ky i fundit i ka shprehur komisionarit Hahn qëndrimin, se “Serbia është e gatshme të bisedojë me Kosovën në dialogun për normalizim, pasi Prishtina ta heqë taksën për mallrat serbe”.
Vuçiqi e ka tërhequr vërejtjen për pasojat e mundshme nga rritja e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë duke thënë kjo e shkel edhe marrëveshjen e CEFTA-s”, citojnë mediet në Serbi, Presidentin Vuçiq, duke shtuar se “Vuçiq ka thënë se kjo masë shpie drejt destabilizimit të plotë të rajonit dhe mund të shpie te përshkallëzimi i konfliktit”.
Ndërkohë, që nga dita e dielë (02.12) deputetët serbë nga lista Srpska, që janë pjesë e parlamentit të Kosovës, qëndruan të mbyllur në ambientet e kuvendit me kërkesën që ta takojnë komisionarin Hahn dhe t’i shpjegojnë atij shqetësimet lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ngriti taksën për 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Igor Simiq, njëri nga deputetët serb, tha se ata do ta informojnë komisionarin Hahn për “krizën humanitare, e cila po e kërcënon popullin serb”, për shkak të rritjes së taksës për produktet e Serbisë.
“Kërkesa e vetme e deputetëve të Listës Serbe është që të takohemi me Johannes Hahn që t’ia shpjegojmë atij shqetësimin e qytetarëve serbë në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka bllokuar prodhimet e Serbisë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Kjo ngre tensione mes qytetarëve”, tha Igor Simiq, duke shtuar se në vendet e banuara me shumicë sebe, 95 për qind e mallrave vijnë nga Serbia.
Johanes Hahn takoi me dyer të mbyllura deputetët serb, nga ky takim nuk u dhanë detaje, por që deputetët serb pas takimit me komisionrin e BE-së u larguan nga ambientet e kuvendit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës me datën 21 nëntor e rriti taksën doganore për 100% për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës që importohen në Kosovë. Ky vendim po vazhdon të ndiqet me reagime të ashpra nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, të cilat kërkuan nga qeveria e Kosovës që të heqë taksën ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.