Disa tifozë u arrestuan për hedhje objektesh në fushë, gjatë derbit të veriut të Londrës, midis Arsenalit dhe Tottenhamit. “Metropolitan Police” konfirmoi për “Omnisport” se janë bërë shtatë arrestime, duke përfshirë njërin për hedhjen e një bananeje në fushën e lojës, gjatë ndeshjes së të dielës në “Emirates Stadium”.
Pamjet televizive treguan një lëkurë bananeje të pranishme në fushë, pasi Arsenali festoi golin e tij të parë, të shënuar prej ndërkombëtarit gabonez, Pierre-Emerick Aubameyang, nga pika e penalltisë. Trajneri Emery vlerësoi atmosferën në stadium, gjatë lojës, duke sugjeruar se ajo e frymëzoi fitoren e Arsenalit.
“Tifozët na ndihmuan shumë, – tha ai për “Sky Sports”. – Në një moment të vështirë në pjesën e parë, ne qëndruam të qetë. Folëm për këtë në dhomën e zhveshjes dhe pastaj kishim minuta të mira në lojë”.
Ndeshja e radhës për “Topçinjtë” është në “Old Trafford”, kundër Manchester United, të mërkurën, përpara se të ballafaqohen me Huddersfield e më tej të luajnë në “Europa League”. Tottenham, ndërkohë, pret Southampton dhe viziton Leicester City, përpara se të ballafaqohet me Barcelonën në sfidën tepër të rëndësishme për kualifikim në Ligën e Kampionëve.