Ish-presidenti i ndjerë Xhorxh Bush kishte jo pak miq edhe në Shqipërinë e sapodalë nga diktatura komuniste në fillim të viteve 90. Më i spikaturi midis tyre është ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili kujton me detaje bisedat me zotin Bush për Kosovën, Shqipërinë si dhe forcimin e demokracisë dhe paqes në rajon.
Me zotin Berisha bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha! Këto ditë ka ndërruar jetë në SHBA presidenti amerikan Xhorxh Bush. Ju jeni ndër politikanët e pakët shqiptarë, që e keni takuar qysh nga fillimi i pluralizmit shqiptar, në fillim të viteve 90. Çfarë menduat atë moment dhe si e përjetuar lajmin për ndarjen nga jeta të presidentit Bush?
Sali Berisha: Për mua lajmi për ndarjen nga jeta i presidentit Bush ishte një lajm i hidhur, i trishtuar. Presidenti Xhorxh Bush ka qenë politikani, me të cilin unë kam patur marrëdhëniet më miqësore gjatë gjithë karrierës time politike. Qysh nga dy muajt e parë të mandatit tim si president i Shqipërisë nga pranvera e 1992 e deri pak muajsh unë kam ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me të. Kam patur fatin e madh, privilegjin e veçantë të gëzoj miqësinë e tij. Ky është një lajm shumë i hidhur dhe i trishtuar.
Zëri i Amerikës: Çfarë kujtoni nga takimi i parë me presidentin Bush?
Sali Berisha: Nga takimi i parë me presidentin Bush përshtypja më e madhe ishte thjeshtësia me të cilën ai më priti. Xhorxh Bush në të vërtetë i përkiste pa diskutim fisnikërisë më të lartë të kohës, por nga ana tjetër ai ishte edhe njeriu më tokësor që mund të takoje në qarqet politike amerikane dhe botërore. Ftesa dhe pritja në Dhomën Ovale ishte një moment historik për jetën time, por brenda pak çastesh gjithçka u bë shumë e thjeshtë në komunikim. Presidenti Bush filloi bisedën me Kosovën; ajo që më bëri shumë përshtypje, por që edhe ishte problemi më kryesor. Ai u ngrit, mori një atlas në zyrën e tij, e hapi atlasin dhe u ulëm e folëm për Kosovën. Më pyeti: Çfarë mendon? Unë i shpjegova, e i thashë se plani i Milosheviçit është spastrimi etnik i Kosovës dhe ndarja e saj. Në atë kohë plani i Milosheviçit për ndarjen e Kosovës i binte mes për mes Prishtinës; e kishte pak më të madh planin se sa e kanë këta sot Milosheviçët e rinj. I thashë zotit Bush se Milosheviçi synon që qindra e mijëra shqiptarë që janë banorë në zonat e tyre prej mijëra vitesh t’i shpërngulë, t’i sjellë në pjesën tjetër dhe pastaj thotë le të bëjnë çfarë të duan, le të bashkohen me Shqipërinë ose le të bëjnë tjetër çfarë të duan. – Por kjo, i thashë unë, krijon luftë. – Pse, tha, krijon luftë? – Ne, i thashë unë, nuk e sulmojmë Jugosllavinë, por nëse Milosheviçi e ndërmerr një plan të tillë, kufi më nuk do të ketë. Ndaj dua të jem i sinqertë; edhe nëse dëshiroj të parandaloj një konflikt në shkallë të gjerë midis shqiptarëve dhe serbëve, nuk do të mund ta parandaloj atë. As nuk mund ta ndërmarr një gjë të tillë, përkundrazi, unë do të hap kufirin dhe do të bëj gjithçka që ata njerëz të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. – Right point, më tha Bush. – Ke të drejtë, është çështje e drejtë. Mënyra se si e parashtrova me vërtetësi çështja u pranua nga presidenti Bush. Pas kësaj ai luajti një rol kapital në bllokimin e këtij plani, pasi në dhjetor ai i dërgoi një ultimatum Milosheviçit me një të dërguar special, ku ia qartësoi që në rast se ti zbret ushtritë në Kosovë (sepse korparmatën e kishte në Nish dhe ishte bërë gati të zbriste), ti do të përballesh me bombardimin me të gjitha llojet e armëve amerikane, përveç atyre të shkatërrimit në masë, përveç armëve nukleare. Në të vërtetë Milosheviçi nuk e lëvizi ushtrinë.
Zëri i Amerikës: Po për rajonin më gjerë?
Sali Berisha: Përveç Kosovës, një vendim morën SHBA-të edhe për Maqedoninë, …sepse Maqedonia fillimisht nuk ishte bindëse, ndaj SHBA-të nuk e kanë njohur fillimisht Maqedoninë, por e njohën më vonë. SHBA-të bënë një gjë shumë të madhe: SHBA ndërhynë nëpërmjet OKB-së dhe shpalosën dy batalione ushtarësh; një batalion ushtarësh amerikanë në flamurin e OKB-së dhe një batalion tjetër me ushtarë të vendeve nordike. Milosheviçi fillimisht besonte se e ka në xhep Maqedoninë dhe e kishte këtë plan, por SHBA-të ia dështuan këtë plan. Ishin SHBA-të dhe mençuria e Presidentit Gligorov bënë që Maqedonia të mbetet, të mos sulmohet e të ndahet paqësisht nga federata jugosllave. Në atë periudhë kam lobuar, me sa kam patur mundësi, të mos lejohet Millosheviçi të zbresë në Maqedoni dhe të krijohej një konflikt në Maqedoni, i cili do të ishte më i tmerrshëm se sa konfliktet në veri. Interesi i administratës së presidentit Bush për rajonin ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Amerikanët po studionin, siç ma kishte thënë Igëllberger, nëse rajoni ka apo jo interes strategjik për SHBA-të për paqen, sepse SHBA-të gjithnjë kanë përparësi ruajtjen e paqes dhe promovimin e demokracisë në botë. SHBA-të konkluduan që rajoni është i një rëndësie strategjike për SHBA-të dhe u angazhuan. Presidenti Bush është arkitekt i kësaj politike të vazhduar pastaj nga presidenti Klinton, i cili e rimori në mënyrë ekspliçite pas inaugurimit vijën e kuqe të hequr ndaj Millosheviçit, mbajti qëndrime shumë të qarta për paprekshmërinë e Maqedonisë. U bë kështu një kuadër i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili pengoi përhapjen e luftës në jugun e Ballkanit.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, çfarë keni biseduar me presidentin Bush në këto takime të para në fillim të viteve 90 lidhur me mbarëvajtjen e demokracisë së re shqiptare pas gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste?
Sali Berisha: Pas pritjes së parë në Shtëpinë unë pata edhe shumë takime me presidentin Bush. Në këto takime presidenti Bush ishte mjaft i habitur dhe ndjente keqardhje të thellë për atë që kishin pësuar shqiptarët gjatë diktaturës. Një nga aktet e tij ishte kur na dha klauzolën e kombit më të favorizuar në tregti. Përtej eksporteve të papërfillshme të Shqipërisë, ai ishte një gjest inkurajues shumë miqësor që të ngjallte optimiziëm. Ndërkohë, temat kryesore kishin të bënin me demokracinë. Mes të tjerash, ai më kishte treguar se si në kohën kur ishte ambasador në Kinë zoti Bush në pritje diplomatike përpiqej të komunikonte edhe me ambasadorin shqiptar, i cili çuditërisht i largohej dhe nuk pranonte të komunikonte me të. Si drejtues i agjencisë së informacionit ai kishte njohuri të gjera për Shqipërinë, sepse përbënte shembullin më të zi të pasojave të një diktature e të një regjimi. Interesimi i tij ishte i madh dhe mbështetja e tij politike kishte rëndësi shumë të madhe.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, çfarë ndihmese mendoni ju se ka dhënë presidenti Bush në fillimin dhe më tej në fuqizimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në shumë fusha?
Sali Berisha: Presidenti Bush ka vendosur themelet e reja në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Në atë periudhë ka patur një dialog shumë intensiv midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së SHBA-ve për të gjitha zhvillimet në rajon. U krijuan bazat e një bashkëpunimi shumë të mirë në shumë fusha, midis tyre edhe në fushën e sigurisë. Mos të harrojmë se dronët e parë në Europë janë vendosur në Gjadër. Ato ishin drone të cilat mbikëqyrnin me një precizion, fotografonin me një precizion shumë të madh të gjitha zhvillimet në luftën e Bosnjes dhe i transmetonin në kohë reale në qendrën e tyre. Pra, atë kohë dhe më vonë u vendos një bashkëpunim sensitiv në fushën e sigurisë, ushtrisë e në të gjithë fushat.
Zëri i Amerikës: A kujtoni ndonjë detaj të veçantë nga takimi që keni patur më vonë në Vlorë me Presidentin Bush dhe me sekretarin Powell?
Sali Berisha: Para se të vinte në Vlorë, ai erdhi në Tiranë. Presidenti Bush, si ish-president ka ardhur dy herë në Shqipëri. Në të dy herët ai ka ardhur në mbështetje të demokracisë shqiptare. Në vizitën e tij në Tiranë unë i kam akorduar Medaljen e Lirisë, në atë kohë ishte titulli më i lartë. Pastaj më ftoi në Texas, dhe unë shkova në hjuston, mik i tij në familje. Edhe unë e ftova të vijë prapë. Ai erdhi në Vlorë me të gjithë dinastinë Bush, përveç Xhorxh W. dhe me sekretarin Powell. Kjo ishte një vizitë miqësore, ishte një udhëtim turistik me jahtin Alexander. Ndalimi në Vlorë ishte një gjest miqësor ndaj Shqipërisë dhe ndaj meje. Unë e njoha atë me të gjithë zhvilimet dhe problemet që përballje Shqipëria. Unë mund të them se kam patur gjithnjë mbështetjen e tij. Edhe ajo vizitë synonte një mbështetje, pasi ai kishte besim tek unë në bisedat dhe në paraqitjen që unë u bëja problemeve.
Zëri i Amerikës: Shumë njerëz besojnë se presidenti Bush erdhi në Vlorë të bisedonte me ju për zhvillimet e brendshme të Shqipërisë.
Sali Berisha: Pa diskutim që edhe ato ishin dhe ai erdhi për të shprehur mbështetje ndaj Sali Berishës. Kjo është e vërteta. Erdhi me të gjithë familjen dhe me sekretarin Powell në vilën e Vlorës. Pastaj ai shtroi një darkë në jahtin Alexander, ku ishin Xhef Bush dhe djemtë e tjerë, përveç Xhorxh W. Kaluam një pasdite dhe një darkë të paharrueshme në Vlorë dhe në jahtin me të cilin ata erdhën.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, përmendet pak më parë fisnikërinë e presidentit Bush dhe miqësinë dhe bashkëpunimin e tij me presidentin Klinton më pas. Çfarë mund të mësojë politika shqiptare nga fisnikëria e presidentit Bush dhe bashkëpunimi i tij me demokratët? Politikanët shqiptarë janë shumë agresivë, gjuha e tyre është shumë e ashpër. Si mund të përfitojë politika shqiptare nga kjo përvojë e presidentit Bush?
Sali Berisha: Mendësi tjetër ajo e politikanëve amerikanë. Kurse këtu dominon një mendësi fondamentaliste. Konstatohet letë se të gjithë qëndrimet e sotme bëjnë gjithçka që të nxijnë me çdo gjë të djeshmen dhe përpiqen të paraqesin se gjithçka fillon me ta. Kjo të rikujton historinë e vjetër të udhëheqjes shqiptare që bënte çdo gjë për të demonizuar mbretërinë, në mënyrë që të mos kishin referencë. Faktikisht këtë mentalitet e trashëgon sot edhe kjo maxhorancë me në krye Edi Ramën. Nuk ndërtohet duke mohuar. Në radhë të parë duhet të ndërtosh. Mënyra më e mirë për të folur është se duhet të flasësh me vepra. Por sot nuk flitet me vepra.
Zëri i Amerikës: Si mund të dalë Shqipëria dhe politika e saj nga kjo vorbull e nihilizmit dhe e mohimit të rezultateve të pararendësve dhe si mund të bëhet politika më të dobishëm për qytetarët?
Sali Berisha: Pavarësisht nga momentet e acarrta që kanë ekzistuar në marrëdhëniet midis forca të mëdha politike, e vërteta është që konstantja e tyre ka qenë bashkëpunimi. Kjo sot nuk është kuptuar nga Edi Rama, që bashkëpunimi midis forcave të mëdha politike është jetik, por që të bashkëpunojë qeveria me opozitën kjo ka një kusht themelor: Qeveria detyrimisht duhet të ndjejë domosdoshmërinë e këtij bashkëpunimi. Kjo qeveri nuk e ndjen këtë domosdoshmëri.
Zëri i Amerikës: Për shkak të numrave në parlament?
Sali Berisha: Në radhë të parë për shkak të mendesisë. Le të krahasojmë dy periudha: në periudhën 2007 unë kisha votat dhe nuk kisha shtrëngicë për numra. Por për të ecur drejt NATO-s pa opozitën nuk ecje dot. Një ditë më erdhi në zyrë Marsi Ris, ambasadorja amerikane dhe më thotë: – Zoti Berisha ka shumë kohë që nuk bëni më politikë. I them: – Zonja ambasadore, ashtu është, por qëllimi im kryesor është të realizohet ajo vizitë e presidentit Bush në Shqipëri dhe nuk doja që të kishte sherre midis, përkundrazi doja që atë ta përjetonim të gjithë si një ngjarje të madhe.
Zëri i Amerikës: Ndërsa sot…?
Sali Berisha: Sot kreu i maxhorancës bën gjithçka për të denigruar, për të kufizuar, për të demonizuar opozitën. Ai nuk ndjen nevojën, ai nuk kupton se është pikërisht kjo betejë e tij që bëri që Shqipëria të hmbasë dy herë trenin e BE-së: një herë në 2016 duke mos hapur negociatat, dhe në 2018 të mos hapë negociatat sërish. Ai fajëson opozitën, duke thënë se “është opozita që trillon dhe përcjell tek të tjerët, tek ndërkombëtarët, një situatë që nuk ekziston në Shqipëri”. Në të vërtetë është ai që nuk percepton realitetin shqiptar ashtu si është. Ka një problem madhor Shqipëria për të gjithë partnerët ndërkombëtarë nga Uashingtoni e me radhë: Krimi i organizuar, i cili gjendet kudo në botë. Në Shqipëri ai është në kulme, por Shqipëria ka një kryeministër, që është i vetmi në botë që thotë se ne Shqipëri nuk kemi banda, kemi keqbërës, por banda nuk kemi (!). Ky shembull tregon se ku gjendet Rama në raport me realitetin shqiptar. Edhe opozita për të nuk ka asnjë vlerë dhe duhet vetëm denigruar.