( Fjala e Gjyqtarit mbikqyrës të Gjykatës së Deҫanit, Sulltan Dobraj, në Konferencën e VIII-të të Gjyqësorit të Kosovës)
Sulltan Dobraj
Në Konferencën e VIII-të të Gjyqësorit të Kosovës, ndër fjalimet e prezantuara, kishte zgjuar interesim edhe fjala profesipnale e gjyqtarit nga Deçani, Sulltan Dobraj, i cili fokusin e tij e kishte orientuar për rastet e pranimit të fajësisë, si dhe martëveshjet që mund të arrihen, për pranimin e fajësisë.
Fjala e plotë e gjyqëtarit, Sulltan Dobraj
Instituti i pranimit të fajësisë është mundësia e të pandehurit që të deklarohet nga shqyrtimi fillestar, e deri para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, lidhur me pranimin e fajësisë dhe të shpreh pendimin lidhur me veprën penale që akuzohet, deklaratë kjo për të cilën gjykata duhet të sigurohet se është bërë në mënyrë vullnetare, pa ndonjë detyrim, mashtrim apo lajthim dhe pasi që i pandehuri ta ketë kuptuar rëndësinë dhe pasojat e pranimit të fajësisë.
Ndërsa, marrëveshja për pranimin e fajësisë si njëra ndër format alternative të zgjidhjes së ҫështjeve penale, nënkupton bisedimet mes prokurorit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, në bazë të së cilës i pandehuri pajtohet të pranojë fajësinë, në këmbim për pajtimin e prokurorit të shtetit, që ti rekomandoj gjykatës denim më të butë apo edhe lirimi nga dënimi, qëllimi i së cilës është kursimi i kohës së palëve, zvogëlimi i shpenzimeve procedurale, si dhe arritja e efektit preventiv të sanksionit penal. Në Kosovë (periudhën janar-nëntor 2018), janë arritur gjithsej 938 marrëveshje për pranimin e fajësisë. Sa më shumë të lidhen marrëveshje për pranimin e fajësisë, më shpejtë dhe më shumë lëndë do të zgjidhjen në Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës.