Nga Skënder Buçpapaj
Një mik ma dërgon këtë foto të 24 viteve më parë. Kanë qenë ditë fillimnëntori, më 1994, kur jam takuar për herë të parë me George H. W. Bush, Presidentin e 41-të të Shteteve të Bashkuara, nga viti 1989 deri më 1993, dhe Zëvendës Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara (1981-1989). Republikan, kishte shërbyer më parë si kongresmen, ambasador, dhe drejtor i CIA-s. Deri sot ishte ish-presidenti i fundit i gjallë i cili ishte veteran i Luftës së Dytë Botërore.
Bush vinte në Shqipëri një vit e disa muaj pasi ishte larguar nga detyra e Presidentit të SHBA. Shqipëria sapo kishte mbajtur referendumin e famshëm të 6 nëntorit 1994 për Kushtetutën e Re të Shqipërisë, kushtetutë që u rrëzua në votime.
Në foto shikohet se i kemi shtrënguar fort duart dhe shikohemi në sy me njëri tjetrin, ndërsa Presidenti Bush më ka vënë dorën në sup në mënyrë shumë miqësore.
Nga fotoja, duket qartë se moti ishte i ftohtë dhe i vërenjtur. Buzëqeshja e mikut të madh të shqiptarëve harkonte ylbershëm mbi atë zymtësi që as unë, një nga mikpritësit e tij në aeroportin e Rinasit, sado që dëshiroja, nuk e fshihja dot.
Ishte njeriu që shumë herë e kisha parë në ëndërr, gjithmonë ai vinte nga qielli, siç bëjnë shpëtimtarët. Si krahu i djathtë dhe pasuesi e Reaganit atij i takoi të jetë njeriu që i dha fund Luftës së Ftohtë, me fitoren e demokracisë perëndimore.
George H. W. Bush, mik i madh e i paharrueshëm i shqiptarëve, është Presidenti amerikan që përcaktoi “vijën e kuqe të Krishtlindjeve” që ia ndalonte Millosheviçit shtrirjen e luftimeve në Kosovë dhe e paralajmëronte se do të përballej me fuqinë amerikane nëse e kalonte këtë cak.
Për Shqipërinë dhe shqiptarët është një fat i madh që e patëm mik të parin e dinastisë së Bushëve, është fat që prej tij trashëgojmë një miqësi të madhe me dinastinë e Bushëve, një nga më të fuqishmet dhe më përcaktueset në historinë dhe të ardhmen e Amerikës dhe të njerëzimit.
Ndarja e George H. W. Bush nga jeta është e pikëllueshme për shqiptarët, sepse fati kombëtar shqiptarëve nuk mund të kuptohet pa përkrahjen dhe mbështetjen e deritashme dhe të mëtejshme të Amerikës.