Organizata “TOKA” ka një zyrë të re të veten në qendër të qytetit të Bajram Currit, tek Rruga “Sylejman Vokshi”, përballë Muzeut Historik të Tropojës, e cila ka një staf që përbëhet nga katër anëtarë, të cilët janë të gatshëm t’iu ofrojnë ndihmë banorëve të Tropojës.
Kjo Qrganizatë është krijuar më datë 29 Qershor të vitit 2016.
Organizata “TOKA” është e krijuar nga njerëz që dikur merreshin me projekte të vogla lidhur me përmirësimin e shëndetit ekonomik, social e mjedisor të Tropojës.
Puna e lufta më e madhe e saj është e njohur: “MOS MA PREK VALBONËN”, e cila ende vazhdon në mbrojtje të këtij Parku Kombëtar, të luginës e lumit të Valbonës.
Mbrojtja e Valbonës nga ndërtimi i hidrocentraleve është një luftë që ia vlen të luftohet.
Për tre vite rradhazi, pa u lodhur asnjëherë, Organizata “TOKA”, së bashku me banorët e Tropojës janë në mbrojtje të Valbonës, duke rendur sa në Shkodër sa në Tiranë, si në verë apo edhe në dimër. Duke zhvilluar protesta si në Tiranë ashtu edhe në Tropojë është bërë e mundur që zëri i Tropojanëve dhe i Organizatës “TOKA” të dëgjohej edhe jashtë kufinjëve të Shqipërisë. Aktivistë nga vende të ndryshme të botës si: Amerikë, Angli, Australi, Hollandë, Zvicër, etj. iu bashkuan Protestës së 17 Shtatorit të vitit 2018 në Valbonë, ku të gjithë së bashku të ulur këmbëkryq në rrugët e Valbonës të rrethuara me malet më të bukura dhe me mbresëlënëse të Shqipërisë protestuan në mënyrë paqësore kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë.
Që nga viti 2017 TOKA dhe vendasit kanë kryer një betejë agresive ligjore. Ndonëse së pari dukej se Qeveria do të pranonte që hidrocentralet ishin në interesin e publikut dhe do të refuzonin argumentet ligjore, në vitin 2018 ne shohim se opinioni publik tani është kundër shkatërrimit të Valbonës. “TOKA” do të fillojë veprime të reja ligjore para fundit të vitit.
Duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme në 2019, “TOKA” tani po fillon një strategji të re. Ata po i shtyjnë kandidatët politikë nga të gjitha partitë që të vijnë dhe të vizitojnë Tropojën–duke i hedhur një sfidë për të takuar njerëzit dhe të jenë pjesë e një zgjidhjeje.
Së fundmi, “TOKA” është duke punuar të bashkojë të gjitha komunitetet e Veriut, nga Kelmendi në Dibër, duke besuar se këta njerëz kanë të gjithë të njëjtin problem, dhe se një Veri i Bashkuar mund të thërrasë për zgjidhje me një zë të fortë.
Me marrjen e zyrës Organizata “TOKA” ka menduar se si mund të ndihmojë banorët e Tropojës në zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në katin e parë të ndërtesës do të hapet një dyqan në fillim të Sezonit të ri Turistik, ku banorët mund të sjellin gjëra artizanale dhe tradicionale për t’i shitur.
Në katin e dytë është krijuar një ambient mikpritës për banorët, të cilët mund të shprehin shqetësimet që ata kanë dhe ne t’i ndihmojmë në zgjidhjen e tyre. Gjithashtu këtu do të zhvilohen takime ku do të jenë të pranishëm edhe punonjës të Bashkisë si edhe pjestarë nga komuniteti, ku banorët mund të shprehin haptas shqetësimet e tyre dhe së bashku me punonjësit e Bashkisë si edhe institucione të tjera të mund të gjejnë një zgjidhje që është në të mirë të të gjithëve.
Gjithashtu është hapur një kurs pikture falas, ku fëmijët mund të vinë dhe të përsosin aftësitë e tyre në pikturë, si dhe për t’i ardhur më në ndihmë komunitetit është menduar të hapet edhe një kurs anglishteje si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.
Gjithashtu Organizata “TOKA” ka një plan konkret për t’iu ardhur në ndihmë banorëve, të cilët nuk mund të viJnë tek zyra, ku çdo të martë dhe të shtunë stafi i “TOKA”-s ka takim në terren me banorët. Ku banorët mund të tregojnë për problemet e tyre dhe ne t’u sugjerojmë një zgjidhje për problemin e tyre. Edhe pse ky projekt ka filluar në Tetor tetë fshatra janë vizituar, nga të cilët “TOKA” ka ndihmuar dy fshatra për të zgjidhur problemin e tyre duke sjellë në fshatin e tyre përfaquesin e Avokatin e Popullit. Qëllimi i kësaj
Organizate është t’iu vijë sa më shumë në ndihmë banorëve të Tropojës.
Por përveç këtyre projekteve Organizata “TOKA” ka bërë edhe projekte të tjera si: Përgatitja e shtigjeve–një projekt që u ka ardhur në ndihmë si banorëve po ashtu edhe turistëve. Turizmi–një tjetër projekt mjaft fitimprurës për banorët e Tropojës si edhe ndihmëse në promovimin e turizmit. Krijimi i ekipit të parë shqiptar për shpëtimin e maleve – një projekt mjaft i arrirë për sa i përket mbrojtjes së maleve. Hartat e shumta që Organizata “TOKA” ka bërë për t’iu ardhur në ndihmë edhe banorëve të Tropojës, por edhe turistëve.
“Ne si organizatë ju ftojmë që të paraqiteni pranë zyrës tonë për të na treguar si për problemet ashtu edhe për idetë tuaja në të mirë të Tropojës.
JU MIRËPRESIM TË GJITHËVE!”