Hoeness: Erdhi koha të investojmë fuqishëm, Oliver Kahn është në planet tona

Asambleja e përvitshme e Bayern-it ka mbledhur në Audi Dome në Mynih 1682 anëtarë të klubit bavarez, ndërsa mbajtën fjalime figurat më të rëndësishme të klubit.

Presidenti Uli Hoeness mbajti një fjalim të gjatë, ku dha lajme mjaft të rëndësishme, duke nisur nga shifrat rekord në lidhje me anëtarësimet në klub, deri tek premtimi për shpenzime madhore verën e ardhshme.

Rekordet e këtij viti

Bayern-i është rritur nga viti në vit dhe tashmë shifra zyrtare e anëtarëve të klubit ka mbërritur në 291.000, shifër e paarritur ndonjëherë.

Edhe situata financiare e klubit është e shkëlqyer. Këtë vit Bayern ka arkëtuar 657 milionë euro, me 29.5 milionë euro fitim (rekordi i përket sezonit 2016-2017, me 39.2 milionë euro). Hoeness konfirmoi se drejtori financiar Dreesen dhe drejtori ndërkombëtar Jörg Wacker kanë rinovuar kontratat edhe për 5 vite, ndërkohë që do rinovojë edhe drejtori i marketingut Andreas Jung.

Investimet në skuadër

Hoeness informoi asamblenë se klubi dhe bordi drejtues kanë rënë dakord që të bëjnë investime serioze për sezonin 2019/2020.

“Bayern-i e ka ende luksin që të respektojë figurat që kanë dhënë gjithçka për këtë klub, ndaj nuk i largojmë lojtarët veteranë, edhe pse ka njerëz që duan patjetër yje të rinj në ekip. Verën e ardhshme disa lojtarë mund të tërhiqen nga futbolli, apo të largohen, ndaj do të bëjmë investime madhore në merkato, për të qenë në majë në Gjermani dhe në Europë. Ky është synimi. Do të investojmë për të qenë në majë për 5 apo 10 vitet e ardhshme, jo për të qenë të parët sot”.

Kovac dhe Kahn

Hoeness ka konfirmuar besimin te trajneri Kovac: “Kemi punësuar një trajner shumë shumë të mirë, një trajner të ri. Dhe duhet t’i japim mbështetjen tonë!

“Skuadra dhe trajneri janë në sintoni të plotë. Janë zhvilluar shumë biseda mes Rummenigge-s, drejtorit sportiv, trajnerit dhe skuadrës. Mendoj se ky sezon mund të jetë ende shumë i mirë”.

“Kahn? Mund t’ju siguroj se emri i tij është në planet tona, por nuk është një temë e të sotmes apo të nesërmes”.

Konferenca e famshme dhe kërcënimet për median

Hoeness ka prekur edhe çështjen e konferencës për shtyp, ku krerët e Bayern-it dolën para mediave para disa javësh dhe pati edhe kërcënime për mediat. Presidenti i Bayern-it pranoi se shumë gjëra mund të përmirësohen: “Premtoj se nëse dhe kur klubi të bëjë diçka të tillë sërish, do të jetë e koordinuar më mirë dhe do të ketë tone ndryshe”.