Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Amerikë me ish presidentin George Bush, ku ka thënë se ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se me të është pajtuar që se është e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte mbylljen e konfliktit njëshekullor, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, përcjell Bota sot.
Thaçi po ashtu e ka dekoruar me Urdhrin e Pavarësisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Në Dallas takova mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentin George Bush. Në këtë takim të ngrohtë e miqësor diskutuam për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës.
Bashkë evokuam shumë kujtime nga e kaluara jo e largët, mirëpo fokusi ynë ishte tek përpjekjet e tashme të shtetit tonë për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe në paqe.
Në kontekst të këtyre përpjekjeve, u pajtuam se është e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte mbylljen e konfliktit njëshekullor, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE.
Sigurisht se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk është aspak e lehtë. Por, presidenti Bush më dha një këshillë të çmuar, të cilën dua ta ndaj me ju.
“Ju si liderë nuk do të mbaheni në mend për vendimet populiste, por për vendimet e vështira dhe të drejta që merrni për vendin dhe popullin tuaj”.
Duke i shprehur mirënjohjen më të lartë në emër të qytetarëve të Kosovës, sot kisha privilegjin që presidentin Bush ta dekoroj me Urdhrin e Pavarësisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. HTH (Foto: Astrit Ibrahimi)