Dan IBRAHIMI: Libri “Rrëfime në kohë lufte”, një letërnjoftim i njeriut me atdheun nën sqetull

Nga Dan IBRAHIMI

Fillim dhe mbarim libri i autorit, Izet Shala “Rrëfime në kohë lufte” është i mbushur me të dhëna sa rrëqethëse po aq edhe të lavdishme të asaj kohe që shtronte për secilin  dilemën TË JESH A TË MOS JESHË. Izet Shala me shokët kishte zgjedhur të ishte dhe ky libër është një dëshmi e gjallë e asaj kohe që do të mbetet në biblioteka si një bar kundër harresës.

Ma. Sc. Izet Shala tashme nuk është emër i panjohur që na  shfaqet papritmas, ai ka një bagazh interesant si të krijimtarisë letrare, asaj publicistike-letrare dhe çka është edhe shumë më e rëndësishme, të veprimtarisë atdhetare. Izet Shala  i takon një gjenerate që kishte një barrë të madhe mbi supe, çlirimin përfundimtar të atdheut të pushtuar e të përdhosur nga pushtuesit serb dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ai duke pasur parasysh interesin kombëtar ka lënë të gjitha mundësitë për të ikur, krijuar jetë më komode dhe në rast të çlirimit të Kosovës kthim burracaku e mburracaku siç kanë bërë shumë të tjerë të asaj gjenerate dhe të tjerave.

Libri “Rrëfime në kohë lufte” është një letërnjoftim i vërtetë i njeriut me atdheun nën sqetull do të thosha dhe, ky njeri ishte Izet Shala me shokët anë e këndë trojeve shqiptare që iu përgjigjën me kohë sfidës së kohës për të qenë në krye të obligimit moral, material e fizik për ti dalë zot atdheut.

Fillimisht autori jep pasqyrën e rrethanave në të cilat ndodhej gjendja në rajonin e Malishevës, por me siguri kushte të përafërta ishin edhe në pjesët e tjera të Kosovë, pastaj përpjekjet vetëmohuese në të gjitha drejtimet që janë bërë për të qenë të gatshëm që të mbrohet atdheu me çdo kusht. Si kryetar politiko ushtarak për Banjën, e dihet që Banja e Malishevës por edhe tërë Llapusha ishin qendër e lëvizjes së fuqishme të armatosur kundër pushtuesit serb, Izet Shala na sjell informacione të bollshme për ta njohur gjendjen, kohën dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare në rajonin e Malishevës dhe shumë më gjerë.

Pas njësive I. II dhe III, autori shpalos edhe fletët e ditarit të mbajtur po gjatë luftës të cilat për gjeneratat e reja sidomos kanë vlerë të pashterur për disa arsye: 1. Do ta kuptojnë gjendjen mbi të cilën u ngrit dhe zhvilloj luftën ushtria jonë çlirimtare. 2. Do ta ndjenjë pulsimin e asaj kohe sa të rëndë po aq edhe të lavdishme. 3. Do të mësojnë që kishin baballarë të devotshëm që kaluan përmes tehut të ferrit dhe arritën ta shpëtojnë më në fund këtë copë të atdheut. 4. Do të mësojnë që atdheu është gjëja më e shtrenjtë sepse baballarët e tyre e kanë ujitur me gjak cep më cep.

Si dëshmitarë i një kohe dhe aq më tepër si njëri nga ndërtuesit e asaj qe ne e quajmë Ushtri Çlirimtare e Kosovës, Izet Shala na sjell të plotë panoramën e kohës sa të duket që po e përjeton gjendjen e flakëve, barotit, rënieve të mëdha, vuajtjeve të civilëve etj.

Duke filluar nga atmosfera e rëndë e luftës në Banjë, Karvansari, Senik, Kleçkë e gjetiu, si një dëshmitar i vërtetë ai na rrëfen me një gjuhë të së vërtetës, por edhe me finesa të caktuara artistike që librin e bëjnë shumë më të pranueshëm. Nga faqja në faqe na parakalojnë të rënë dhe të gjallë që i takojnë asaj kohe, emra heronjsh, vepra të lavdishme mbi të cilat u ngrit liria e Kosovës. Po ashtu aty na paraqitet krahas luftës titanike të UÇK-së edhe atmosfera e rëndë e popullatës në male që mbrohej me heroizëm nga luftëtarët e UÇK-së.  

Libri i Izet Shalës është i mbushur përplot fakte si: fletët e ditarit, dokumentet dhe fotot e shumta që flasin për luftën e UÇK-së, gjendjen e civilëve, bombardimet e NATO-s, pastaj copëza të rrëfimeve nga ata që detyrimisht ishin ndjekur përtej kufirit të Kosovës nga forcat ushtarake e policore serbe.

Fillim dhe mbarim libri “Rrëfime në kohë lufte” është i mbushur me të dhëna sa rrëqethëse, po aq edhe të lavdishme, të asaj kohe që shtronte për secilin  dilemën TË JESH A TË MOS JESHË. Izet Shala me shokët kishte zgjedhur të ishte dhe ky libër është një dëshmi e gjallë e asaj kohe që do të mbetet në biblioteka si një bar kundër harresës.

Inline image